EDITORIAL I ARGUMENTUM
Po, aq janë, dhe këtë e thotë tani së fundi një ”Star” ekonomist botëror, Nouriel Roubini në librin e tij ” best seller” të promovuar më 20 Tetor ” 10 Megakërcënime – 10 prirje që rrezikojnë të ardhmen tonë dhe si t’u mbijetojmë”( Ten Megathreats- Ten Trends that imperil our future and how to survive them” Roubini deri në vitin 2008 njihej me nofkën ” Dr. Doom ( Katastrofa) për shkak të profecive të tij negative. Ai parashikoi me saktësi qysh në fillimin e viteve 2000 krizën e rëndë financiare të vitit 2008; mirëpo, askush nuk e besoi deri kur ajo ndodhi. Nga ajo kohë, fjala dhe mendimi i tij dëgjohet me vëmendje, duke e konsideruar tashmë si ” Dr. Realisti”. Libri i tij i lartpërmendur ka shkaktuar interes, vëmendje pse jo dhe panik në mjediset politike, mediatike, ekonomike dhe publike.
Sipas këtij ”star” ekonomisti, planeti tanimë kërcënohet jo më nga një e dy, por nga 10 rreziqe të përmasave të mëdha. Ato janë: lufta e Rusisë në Ukrainë, konflikti Iran – Izrael, Kinë – SHBA, demokracia, klima, ngrohja globale, borxhet, stagflacioni, pandemitë dhe paaaftësia e shoqërive të sigurimit shëndetësor në kushtet e plakjes masive të popullsisë.
Një kontrast i fortë me vitet 60-70, kur situata ishte shumë më e mirë në të gjitha drejtimet. Roubin që ka lindur në Stamboll, por i ka jetuar vitet 60-70 në Itali kujton se në ato vite ndiheshin mirë, nuk kishte kërcënime bërthamore, ishte detanta midis BS dhe Perëndimit, nuk njiheshin pandemitë si COVID – 19, as ngrohja globale, papunësia, borxhet ishin nën kontroll dhe të menaxhueshme, popullsia ishte e re në moshë, shoqëritë e sigurimeve nuk kishin borxhe dhe nuk ishin të tejmbytura me detyrime financiare si sot; edhe inflacioni ishte lehtësisht i administrueshëm. Demokracia ishte stabël edhe pse jo perfekte. Tronditjet gjeopolitike ishin fare të vogla dhe të ralla krahasuar me të sotmit.
Ndaj, historiani i famshëm Niall Ferguson thotë se “ do të jemi me fat nëse do të kishim një krizë si ajo e viteve 70 por jo luftë si në vitet 40”!
Mirëpo, sot po ndodh krejt e kundërta. 10 megakrizat e rrezikshme janë planetare, të njëkohshme dhe të lidhura pazgjidhshmërisht me njera tjetrën; me mundësi shumë të vogla ndërhyrjeje dhe manovrimi, sepse ato shkaktojnë pasoja të tjera jo më të vogla. Në këto kushte, ndonëse i domosdoshëm, edhe prioritizimi gjatë trajtimit dhe përballimit të tyre nuk jep garanci, sepse secila nga 10 krizat ka 10 nënkriza të tjera. Kështu, sot prioriteti absolut është përballimi i pasojave të rënda të agresionit rus ndaj Ukrainës, pastaj vjen konflikti Iran – Izrael dhe Kinë – SHBA. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të lihen pas dore, përkundrazi, të trajtohen me po atë theks inflacioni, borxhet, pandemitë, ngrohja globale, papunësia, azili, etj.
Se sa serioze janë këto megarreziqe për çdo vend, sado i madh dhe i fuqishëm të jetë, Roubin jep rastin e SHBA-ve. Kështu, në Kaliforni fermerët do të shesin të drejtat e ujit, sepse nuk kanë më leverdi ta përdorin atë në bujqësi. Në Florida agjencitë nuk do të bëjnë më sigurimin e banesave të shkatërruara nga fatkeqësitë natyrore. Për pasojë, pritet që gjysma e amerikanëve në të ardhmen të zhvendosen në pjesën qendrore ose në Kanada.
Ose le të marrim krizën kërcënuese mbas një pushtimi hipotetik të Tajvanit nga Kina, që sipas disa të dhënave mund të ndodhë deri në vitin 2030, edhe pse nuk është e thënë detyrimisht. Mirëpo kjo do të verë në rrezik 50 për qind të vëllimit botëror të gjysëm përçuesave dhe 80 për qind të sofistikuar. Kjo mbasi sot ne jemi më të varur prej përçuesave se sa prej naftës !
Lidhur me përhapjen e teknologjisë së përparuar kineze 5 G, autori tregon se në përgjigje të pyetjes së tij përse përdornin atë teknologji që bart rrezikun e spiunimit, Presidenti i një vendi afrikan i kishte thënë se si vend i vogël kushdo mund t’i spiunojë ata, mirëpo parapëlqejnë Kinën, se i ka tarifat më të lira !.
Borxhi është bërë shqetësim i madh kërcënues kudo. Aktualisht borxhi planetar është sa 350 për qind e GDP-së; borxhi privat dhe publik në 50 vitet e fundit janë rritur nga 100 në 420 për qind. Problemi i madh është se çdo ndërghyrje rrezikon përkeqësimin e treguesve të tjerë ekonomikë dhe financiarë, sidomos rritjen ekonomike dhe punësimin.
Ose rritja e normave të interesit, si një mënyrë për të mbajtur nën kontroll inflacionin vërtet mund të shtyjë skadencën e borxheve, por do t‘i bëjë ato më të shtrenjta, duke krijuar telashe të tjera. Plakja e popullsisë, rënia e ritmeve të lindjes, emigracionet masive kanë krijuar probleme dhe në pakësimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe paaftësinë e kompanive të sigurimit dhe të shtetit për të përballuar fluksin në rritje të numrit të pensionistëve. Kjo tashmë ka prekur dhe vendet e zhvilluara, ndërsa në vendet e tjera situata është dhe më keq. Kështu, në 20 vendet më të zhvilluara, llogaritet se kompanitë e sigurimit kanë 780 miliard Euro boxhe.
Po kështu, në fushën e mbrojtjes së klimës dhe ngrohjes globale, reduktimi i emetimit të gazrave karbonikë CO2 mund të dobësojë dhe të ulë ritmet ekonomike me probleme dhe pasoja të tjera të dëmshme.
« Ngushëllimi » për menazhimin e këtyre 10 krizave që të mos arrijnë « pikën e vlimit » është një administratë dhe qeverisje më e përkushtuar, më e aftë dhe në bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar.
Së fundi, këto parashikime të besueshme Roubinit janë kambana të fuqishme alarmi për aktorët dhe faktorët politikë, ekonomikë, financiarë dhe socialë në vendin tonë dhe në radhë të parë të qeverisë. Ca më tepër se në vend të « qeverisjes së mirë » po shihet gjithnjë e më tepër mosqeverisje dhe mungesë përgjegjësie.
© 2022 Argumentum