Intervistë Ekskluzive për “Argumentum.al” me Ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, SHTZ. Alexey Zaytsev.
Intervistoi: Marjana Doda
Kryeredaktore
Kjo intervistë zhvillohet në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Rusisë.
Në një intervistë ekskluzive për Argumentum.al, Ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, i cili pak kohë më parë dorëzoi kredencialet e tij Presidentit të Shqipërisë, flet për historinë e marrëdhënieve diplomatike gjatë këtyre 100 viteve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në të kaluarën, dhe mes Shqipërisë dhe Rusisë pas vitit 1990.
Përveç kësaj, në kontekstin e rrethanave gjeopolitike globale, dhe konkretisht sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka hyrë tashmë në vitin e saj të tretë, Ambasadori tregon faktorët që çuan në këtë konflikt dhe mundësitë që ai të marrë një zgjidhje paqësore.
Përgjatë një shekulli, marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë kanë njohur periudha ngritjeje dhe rënieje, duke kaluar nëpër momente të vështira, por edhe faza bashkëpunimi të ngushtë, sidomos pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Siç e thekson Ambasadori, marrëdhëniet zyrtare midis dy vendeve filluan në vitin 1924, me një iniciativë të qeverisë shqiptare për të kërkuar mbështetje nga Bashkimin Sovjetik, pas të cilës, përfaqësuesi i parë diplomatik sovjetik mbërriti në Tiranë. Pavarësisht disa vështirësive politike të brendshme dhe ndërhyrjes së fuqive perëndimore, marrëdhëniet u rinovuan në vitin 1934 dhe vazhduan deri në ndërprerjen e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Marrëdhëniet ruso-shqiptare kanë njohur periudha luhatjeje, ku bashkëpunimi i ngushtë dhe ndihma sovjetike ishin më të shquara në mes të shekullit të 20-të, ndërsa tani ato janë në një nivel minimal, për shkak të orientimit të Shqipërisë në politikën perëndimore”, shprehet Ambasadori.
I pyetur për ndikimin e mundshëm të konfliktit ruso-ukrainas në sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe botë por dhe për marrëdhëniet e ngushta mes Rusisë dhe Serbisë që shihen pengesë për paqen mes Serbisë dhe Kosovës, Z. Zaytsev thekson se kërcënimi i ndikimit të krizës ukrainase në sigurinë globale nuk është potencial, por mjaft real. Ndërsa sa u përket çështjeve të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, ai përgjigjet si vijon:
“Shpesh dëgjojmë se si “ekspertët” dhe “vëzhguesit politikë” akuzojnë pa arsye Rusinë se kërkon, gjoja, të hapë një “front të dytë” në Ballkan, të destabilizojë situatën këtu për të larguar vëmendjen e vendeve të NATO-s nga konflikti ukrainas. Kjo nuk është e vërtetë. Rusia gjithmonë ka dalë në favor të ruajtjes së paqes në rajon. Mungesa e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës kushtëzohet jo nga roli destruktiv i Kremlinit, por nga veçoritë historike dhe etno-fetare të çështjes së Kosovës, si dhe nga politika e SHBA-së dhe BE-së, të cilat për shumë vite janë përpjekur të monopolizojnë zgjidhjen, për ta çuar atë përtej bazës së vetme legjitime – rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e detyruar Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës dhe t’i ndërpresë lidhjet vëllazërore historike midis popujve rusë dhe serbë. Fatkeqësisht, udhëheqësit evropianë harrojnë se zgjidhjet e imponuara, pa marrë parasysh interesat themelore të popujve që jetojnë në rajon, janë jetëshkurtra”.
Në lidhje me bisedimet për paqe dhe negociatat diplomatike, se pse deshtuan para nisjes së luftës dhe, gjithashtu, pse ato dështojnë edhe tani për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të këtij konflikti, Ambasadori përgjigjet duke shpjeguar në mënyrë kronologjike të gjitha përpjekjet dhe angazhimet për bisedime dhe zgjidhje paqësore të këtij konflikti. Duke theksuar se Rusia është e hapur për negociata dhe çdo propozim serioz që vërtet synojnë arritjen e paqes por jo ultimatume si “Formula e Zelensky-t” ose iniciativa të tjera të ngjashme.
“Rusia ka propozuar në mënyrë të përsëritur, dhe kjo është e njohur për të gjithë, për të kërkuar një zgjidhje të problemeve në Ukrainë me mjete paqësore. Një plan realist për rivendosjen e paqes dhe integritetit territorial të Ukrainës u fiksua në “Kompleksin e masave për përmbushjen e Marrëveshjeve të Minskut” të nënshkruar në shkurt 2015, asnjë nga pikat e të cilit, meqë ra fjala, nuk u përmbush nga pala ukrainase. Në fund të vitit 2021 Kievi ka deklaruar haptazi për refuzimin nga marrëveshjet e Minskut dhe ka filluar të zbatojë një skenar të “kthimit” të Donbasit në Ukrainë me forcë. Diplomacia ruse nuk u step. Në dhjetor 2021, NATO-ja dhe SHBA-ja u ftuan të nënshkruanin me Rusinë dy marrëveshje për garancitë ligjore të sigurisë që do të hapnin rrugën për paqe të qëndrueshme në kontinentin tonë. Sidoqoftë, siç e dini, propozimet e Moskës u refuzuan.
Për më tepër, në tetor 2022 Presidenti i Ukrainës ka nënshkruar një dekret që e ndaloi atë të zhvillojë ndonjë negociatë me Rusinë. Ky dekret është ende në fuqi. Me pak fjalë, është regjimi i Kievit dhe sponsorët e tij perëndimorë që nuk kanë interes për një zgjidhje politike dhe diplomatike të krizës. Ndryshe nga Ukraina, Rusia është e hapur për negociata dhe çdo propozim serioz që vërtet synojnë arritjen e paqes. Sidoqoftë, këto duhet të jenë negociata, dhe jo ultimatume si “Formula e Zelensky-t” ose iniciativa të tjera të ngjashme.
Në prag të 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, ambasadori i Rusisë në Tiranë vlerësoi kontributin e Shqipërisë në këtë luftë të rëndësishme. Ai theksoi se më 29 nëntor të këtij viti, Shqipëria do të festojë 80 vjetorin e çlirimit nga forcat nazifashiste, një ngjarje që shënon një moment të madh në historinë e vendit. Ambasadori theksoi me krenari se populli shqiptar e arriti çlirimin me forcat e veta, duke paguar një çmim të lartë – me 28 mijë patriotë shqiptarë që dhanë jetën për lirinë e vendit. Ky akt i lavdishëm nuk do të harrohet kurrë, shprehet ai.
Në këtë intervistë, ndërsa rishikojmë marrëdhëniet e dy vendeve, duke u fokusuar jo vetëm në aspektet historike të së shkuarës, por edhe në mundësitë dhe perspektivat për të ardhmen, ambasadori shfaq një qëndrim optimist për zhvillimet e mundshme të marrëdhënieve dypalëshe duke theksuar se duhet të shikojmë gjithmonë në të ardhmen me shpresë.
Ai thekson se ka shumë arsye për këtë optimizëm, duke përmendur se popujt e dy vendeve janë të lidhur nga një respekt i thellë për historinë dhe kujtesën e paraardhësve, dhe se kanë jetuar dhe bashkëjetuar në paqe për shumë shekuj, përfshirë komunitetet ortodokse, katolike dhe myslimane. Ambasadori thekson gjithashtu dashurinë e shqiptarëve për kulturën dhe artet ruse.
Nga ana tjetër, ambasadori nënvizon edhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën ekonomike, duke përmendur kompetencat e Rusisë në teknologji të lartë, digjitalizim, industrinë e mjekësisë dhe IT, si dhe burimet alternative të energjisë. “Rusia është e gatshme të rinovojë bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë, sa herë që realitetet politike do ta lejojnë këtë”, thekson ndër të tjera në këtë intervistë Ambasadori i Federates Ruse në Shqipëri A.A.Zaitsev
Intervista e plotë:
Znj. Marjana Doda: Z. Ambasador, së pari Ju falënderoj për mundësinë e intervistës në kontekstin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ruso-shqiptare që shënohen këtë vit. Ky jubile na gjen në një periudhë të vështirë, të mbushur me sfida ndërkombëtare dhe paqëndrueshmëri në rritje në botë. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet midis vendeve tona kanë një të kaluar të pasur, duke përfshirë bashkëpunimin politik, tregtar, ekonomik, kulturor dhe humanitar. Ndaj le te flasim për zhvillimin dhe perspektivat e marrëdhënieve ruso-shqiptare në të ardhmen.
– Si janë zhvilluar marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shqipërisë që nga themelimi i tyre zyrtar?
SHTZ. Alexey Zaytsev: Në të vërtetë, ky vit ka mbushur 100 vjet të marrëdhënieve diplomatike ruso-shqiptare. Për herë të parë, çështja e themelimit të tyre lindi në qershor 1924, kur qeveria e F.Nolit, në përpjekje për të gjetur mbështetje ndërkombëtare, iu drejtua BRSS me një iniciativë të tillë. Në shtator të të njëjtit vit, pala sovjetike ra dakord dhe më 16 dhjetor 1924, pasi morën në Vjenë vizat hyrëse, një grup diplomatësh, i udhëhequr nga Përfaqësuesi Fuqiplotë sovjetik, A.A.Krakovecki mbërriti në Tiranë. Megjithatë, në kushtet e një situate mjaft të ndërlikuar të brendshme politike në Shqipëri dhe të presionit të fortë politik ndaj qeverisë së F.Nolit nga ana e fuqive perëndimore, të cilat kundërshtonin vendosjen e lidhjeve midis Shqipërisë e Rusisë Sovjetike dhe praninë e misionit diplomatik sovjetik në Tiranë, qeveria e F.Nolit u shpreh për shtyrjen për pak kohë të vendosjes së përfaqësisë diplomatike sovjetike në kryeqytetin shqiptar. Tre ditë pas mbërritjes në Tiranë, Përfaqësuesi Fuqiplotë sovjetik, A.A.Krakovecki u detyrua të largohej nga vendi, ndërsa marrëdhëniet diplomatike midis BRSS dhe Shqipërisë u ngrinë deri në 1934. Me sugjerimin e mbretit të Shqipërisë, A.Zogu, ato u restauruan në vitin 1934. Pastaj u ndërprenë përsëri – tashmë deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Siç mund ta shihni, në vitet e kaluara marrëdhëniet tona kanë përjetuar jo një herë ulje-ngritje. Kulmi i tyre ndodhi në vitet 1945-1961, kur BRSS dhe Shqipëria bashkëpunuan në mënyrë aktive në fushat politike, tregtare, ekonomike, kulturore dhe humanitare. Bashkimi Sovjetik ndihmoi republikën e re për të krijuar bazën e industrisë. Me kërkesë të qeverisë shqiptare, në vend u dërguan specialistë sovjetikë, të cilët gjatë periudhës së përmendur kryen punë gjeologjike, trajnimin e punëtorëve të profesioneve masive, ndërtimin dhe montimin e ndërmarrjeve të mëdha industriale, disa prej të cilave ende funksionojnë. Në periudhën 1947-1957, BRSS i dha Shqipërisë kredi preferenciale në shumën prej më shumë se 500 milion rubla, nga të cilat 85% (422 milion rubla) me kërkesë të palës shqiptare u falën më pas nga qeveria sovjetike. Si rezultat, 25 uzina të ndërtuara me kredi nga BRSS në fakt iu dhuruan popullit shqiptar. Do të vërej se këto ndërmarrje siguruan 25% të të gjitha të ardhurave të marra nga sektori industrial i ekonomisë.
Në ato vite, shumë studentë shqiptarë përfunduan me sukses studimet në universitetet sovjetike. Ndër ta ishin shkrimtarët e shquar shqiptarë I.Kadare, D.Xhuvani, poeti dhe romancieri D.Agolli, figura të tjera të ardhshme të kulturës shqiptare, si dhe inxhinierë e teknikë.
Në vitet 1940-1960, në Shqipëri jetonin dhe punonin qytetarë të vendit tonë, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shkencës dhe kulturës shqiptare. Midis tyre është Viktoria Puzanova, e cila u bë pioniere në studimin e artit mesjetar shqiptar. Ajo zbuloi emrin e piktorit të shquar të ikonave shqiptare Onufri, krijoi 32 kopje të afreskeve të vjetra kishtare, të cilat edhe sot ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë dhe përbëjnë “fodin e artë” të tij. Burri i saj Vasily Puzanov, një ornitolog dhe taksidermist, dha një kontribut të paçmuar në zhvillimin e shkencave natyrore këtu, duke themeluar Muzeun e shkencave natyrore në Tiranë.
Duhet pranuar se gjendja aktuale e marrëdhënieve ruso-shqiptare është në kontrast me atë që u vu re në vitet 1945-1961. Sot, kontaktet zyrtare janë në nivelin minimal. Dhe arsyeja për këtë është kursi i Tiranës zyrtare, e cila në politikën e saj të jashtme solidarizohet plotësisht me qëndrimet e NATO-s, SHBA-së dhe BE-së, duke mbështetur çdo iniciativë antiruse.
– Si ndikon konflikti i Ukrainës në marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Rusisë, duke marrë parasysh se Tirana mbështeti sanksionet perëndimore kundër Rusisë, ndërsa Moska e përfshiu Shqipërinë në listën e vendeve jo miqësore?
–Siç tashmë e përmenda, Shqipëria i përmbahet me vendosmëri parimeve euroatlantike në arenën ndërkombëtare, duke iu bashkuar të gjitha formateve antiruse dhe sanksioneve të vendosura kundër vendit tonë nga Brukseli dhe Uashingtoni. Tirana zyrtare mbështet “formulën e paqes” të pathemeltë të Zelensky dhe merr pjesë në “Platformën e Krimesë”. Në të njëjtën linjë ishte samiti “Ukrainë–Evropë Juglindore” i mbajtur në Tiranë në shkurt të këtij viti, tema qendrore e të cilit ishte ofrimi i ndihmës gjithëpërfshirëse për regjimin e Kievit për t’i shkaktuar Rusisë një “humbje strategjike në fushën e betejës”. Pala shqiptare shfaq iniciativën e saj në çështjen e kundërshtimit të “kërcënimit rus” në organizatat ndërkombëtare. Kështu, në kuadër të Këshillit të Evropës, delegatët nga Shqipëria janë të përfshirë në mënyrë aktive në zhvillimin e “regjistrit të dëmeve në Ukrainë”, në bazë të të cilit është planifikuar të formohet një lloj “mekanizmi kompensimi” për konfiskimin dhe transferimin e aseteve të ngrira ruse regjimit të Kievit. Jemi të bindur se krijimi dhe promovimi i mekanizmave të tillë nuk ka asnjë lidhje me një zgjidhje paqësore dhe ka për qëllim ndëshkimin e atyre që janë të përkundërt dhe frikësimin për të ardhmen të atyre që nuk pajtohen. Gjithashtu, kemi fiksuar faktin që autoritetet shqiptare nuk kanë shprehur ende asnjë fjalë dënimi për ndalimin në Ukrainë të Kishës Ortodokse kanonike Ukrainase. Theksoj: një vendim i tillë i autoriteteve të Kievit u mor në kundërshtim me të gjitha dokumentet e njohura ligjore ndërkombëtare në fushën e lirisë së besimit.
Thirrjet e palës ruse për të marrë një pozicion më të ekuilibruar dhe për t’u përmbajtur nga pjesëmarrja në formate hapur rusofobike, fatkeqësisht, injorohen nga autoritetet shqiptare. Një shembull i radhës është konferenca ministrore mbi aspektet humanitare të formulës së Zelensky e mbajtur në Otava (Kanada) më 30-31 tetor të këtij viti, në të cilën, ndër të tjera, u diskutua në detaje çështja e kthimit të fëmijëve ukrainas, gjoja, të “deportuar” nga autoritetet ruse në subjektet e Federatës Ruse. Pala ruse i bëri thirrje Shqipërisë të përmbahet nga pjesëmarrja në këtë projekt absolutisht propagandistik, i cili nuk ka asnjë lidhje me temën e një zgjidhjeje paqësore. Argumentet tona nuk u dëgjuan përsëri.
Theksoj: Rusia nuk ishte iniciatore e ftohjes së marrëdhënieve me Shqipërinë. Ky nuk është vendimi ynë. Moska është e hapur për bashkëpunim pragmatik me të gjitha vendet që janë të gatshme të marrin parasysh interesat ruse. Do të vërej se ne gjithmonë nisemi nga marrëdhëniet e barazisë, nuk përpiqemi të imponojmë vullnetin tonë dhe nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të shteteve sovrane. Krahasojeni këtë me qasjet e NATO-s dhe BE-së.
-Z. Ambasador, si do t’i komentonit shqetësimet e ekspertëve dhe politikanëve lidhur me ndikimin e mundshëm të konfliktit ruso-ukrainas në sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe botë? Duhet thënë se marrëdhëniet e ngushta mes Rusisë dhe Serbisë shihen si minim dhe pengesë për paqen mes Serbisë dhe Kosovës?
Kërcënimi i ndikimit të krizës ukrainase në sigurinë globale nuk është potencial, por mjaft real. Rusia ka vërejtur në mënyrë të përsëritur se mbështetja nga Perëndimi i regjimit të Kievit, furnizimet e tij me sisteme moderne të armëve, pjesëmarrja e instruktorëve të NATO-s në trajnimin e personelit ushtarak ukrainas vetëm rrisin gjasat e një përplasjeje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s, duke përfshirë zgjerimin e konfliktit të armatosur në vendet e tjera evropiane. Përveç kësaj, fakte të shumta të korrupsionit midis udhëheqjes ushtarake dhe politike të Ukrainës, gjë që njihet edhe nga Perëndimi, ashtu si edhe përfshirja e saj në tregtinë e armëve të furnizuara nga vendet e NATO-s si “ndihmë” ushtarake përbëjnë një kërcënim të rënies së armëve në duart e grupeve terroriste dhe ekstremiste në Lindjen e Mesme, Azi, Afrikë, si dhe vetë Evropën.
Qytetarët e zakonshëm të BE-së gjithashtu vuajnë nga politika koniunkture e Bashkimit Evropian dhe sanksionet e paligjshme antiruse. Sipas vlerësimeve të Eurostat, që nga vendosja e sanksioneve kundër Rusisë vendet evropiane kanë paguar tepër më shumë se 200 miliardë euro për “karburantin blu”. Si rezultat, sektori industrial, veçanërisht industritë me energji intensive, u gjend në një situatë të vështirë. Sipas të njëjtës agjencie evropiane të statistikave, në janar 2024, vëllimi i prodhimit industrial në BE u ul me 2.1% krahasuar me muajin e kaluar, dhe me 5.7% krahasuar me janarin 2023. Siç parashikon FMN, në vitin 2024 PBB-ja e BE-së do të rritet me jo më shumë se 1.1%. Pavarësisht degradimit të ekonomisë evropiane, rënies së të ardhurave të popullsisë dhe rrjedhjes së kapitalit në rajone më të begata të botës, Komisioni Evropian vazhdon me kokëfortësi të ridrejtojë burimet financiare jo për të mbështetur prodhuesit, sipërmarrësit dhe biznesmenët e tij, por për qëllimet terroriste të regjimit të Kievit.
Tani, sa u përket çështjeve të sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Shpesh dëgjojmë se si “ekspertët” dhe “vëzhguesit politikë” akuzojnë pa arsye Rusinë se kërkon, gjoja, të hapë një “front të dytë” në Ballkan, të destabilizojë situatën këtu për të larguar vëmendjen e vendeve të NATO-s nga konflikti ukrainas. Kjo nuk është e vërtetë. Rusia gjithmonë ka dalë në favor të ruajtjes së paqes në rajon. Mungesa e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës kushtëzohet jo nga roli destruktiv i Kremlinit, por nga veçoritë historike dhe etno-fetare të çështjes së Kosovës, si dhe nga politika e SHBA-së dhe BE-së, të cilat për shumë vite janë përpjekur të monopolizojnë zgjidhjen, për ta çuar atë përtej bazës së vetme legjitime – rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e detyruar Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës dhe t’i ndërpresë lidhjet vëllazërore historike midis popujve rusë dhe serbë. Fatkeqësisht, udhëheqësit evropianë harrojnë se zgjidhjet e imponuara, pa marrë parasysh interesat themelore të popujve që jetojnë në rajon, janë jetëshkurtra.
-Z.Ambasador, lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë. Si i vlerësoni aktualisht perspektivat e përfundimit të konfliktit dhe cilat janë qëllimet e Rusisë? Pse dështuan bisedimet dhe negociatat diplomatike para nisjes së luftës dhe, gjithashtu, pse ato dështojnë edhe tani për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të këtij konflikti?
–Qëllimet e Rusisë gjatë operacionit special ushtarak në Ukrainë mbeten të pandryshuara. Folëm për to jo një herë: këto janë mbrojtja e popullsisë ruse dhe rusishtfolëse në Donbas, çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës dhe eliminimi i kërcënimeve që burojnë nga territori i saj ndaj sigurisë së Rusisë.
Rusia ka propozuar në mënyrë të përsëritur, dhe kjo është e njohur për të gjithë, për të kërkuar një zgjidhje të problemeve në Ukrainë me mjete paqësore. Një plan realist për rivendosjen e paqes dhe integritetit territorial të Ukrainës u fiksua në “Kompleksin e masave për përmbushjen e Marrëveshjeve të Minskut” të nënshkruar në shkurt 2015, asnjë nga pikat e të cilit, meqë ra fjala, nuk u përmbush nga pala ukrainase. Në fund të vitit 2021 Kievi ka deklaruar haptazi për refuzimin nga marrëveshjet e Minskut dhe ka filluar të zbatojë një skenar të “kthimit” të Donbasit në Ukrainë me forcë. Diplomacia ruse nuk u step. Në dhjetor 2021, NATO-ja dhe SHBA-ja u ftuan të nënshkruanin me Rusinë dy marrëveshje për garancitë ligjore të sigurisë që do të hapnin rrugën për paqe të qëndrueshme në kontinentin tonë. Sidoqoftë, siç e dini, propozimet e Moskës u refuzuan.
Përpjekjet për të rivendosur paqen në Ukrainë u bënë në Stamboll në mars 2022 dhe arritën një fazë mjaft e lartë dakordësimi të qëndrimeve. Marrëveshjet e Stambollit madje u nënshkruan paraprakisht nga pala ukrainase. Sidoqoftë, siç pranoi kreu aktual i fraksionit të partisë në pushtet “Shërbëtori i popullit” në parlament, David Arahamia, në fund të nëntorit 2023, pas bisedimeve ruso-ukrainase në Stamboll, kryeministri britanik i atëhershëm, Boris Johnson mbërriti me nxitim në Kiev dhe i bëri thirrje Zelenskyt të mos nënshkruante asgjë me Rusinë dhe “vetëm të luftonte”. Për më tepër, në tetor 2022 Presidenti i Ukrainës ka nënshkruar një dekret që e ndaloi atë të zhvillojë ndonjë negociatë me Rusinë. Ky dekret është ende në fuqi. Reagimi ashpër negativ i autoriteteve ukrainase ndaj iniciativave paqeruajtëse të vendeve të Jugut global është gjithashtu tregues. Pra, në një intervistë të fundit për mediat indiane, Zelensky përsëriti mungesën e alternativave ndaj “formulës së tij të paqes”, arriti deri aty, sa shantazhoi hapur Nju Delhin, duke kërkuar braktisjen e pozicionit neutral mbi konfliktin ukrainas. Me pak fjalë, është regjimi i Kievit dhe sponsorët e tij perëndimorë që nuk kanë interes për një zgjidhje politike dhe diplomatike të krizës.
Ndryshe nga Ukraina, Rusia është e hapur për negociata dhe çdo propozim serioz që vërtet synojnë arritjen e paqes. Sidoqoftë, këto duhet të jenë negociata, dhe jo ultimatume si “Formula e Zelensky-t” ose iniciativa të tjera të ngjashme.
-Këtë vit Shqipëria feston 80-vjetorin e çlirimit nga pushtimi nazifashist në Luftën e Dytë Botërore, në të cilën Rusia, si pasardhëse e BRSS, ishte ndër fituesit. Si e komentoni Ju këtë ngjarje historike dhe kontributin e shqiptarëve në atë luftë?
–Në të vërtetë, më 29 nëntor të këtij viti, Shqipëria do të festojë 80-vjetorin e çlirimit të vendit nga nazistët dhe fashistët. Populli shqiptar është krenar – dhe ne e ndajmë këtë krenari – që arriti çlirimin e vendit nga nazistët me forcat e veta. Në luftën për lirinë e saj ranë 28 mijë patriotë trima të Shqipërisë. Ne e dimë dhe nuk harrojmë këtë.
Në të njëjtën kohë, kjo fitore u bë e mundur për shkak të humbjes së trupave fashiste në frontin sovjetiko-gjerman. Pikërisht ky kuptim i ngjarjeve mbeti i pandryshuar në Shqipëri nga ato vitet e largëta 1940 deri kohën e fundit. Për shembull, në Deklaratën e Beratit të mbledhjes së 2-të të Këshillit antifashist nacionalçlirimtar të Shqipërisë (tetor 1944) thuhej si më poshtë: “Ne e konsiderojmë Ushtrinë e Kuqe forcën kryesore që mundi armikun e betuar të njerëzimit. Për më tepër, për ne ajo është një simbol i luftës antifashiste për liri, garancia më e madhe e të drejtave tona. Ne i jemi mirënjohës Bashkimit Sovjetik për këtë, dhe populli ynë nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e madhe dhe luftën heroike të Ushtrisë së Kuqe, e cila na shpëtoi nga katastrofa”.
BRSS dhe Shqipëria ishin në të njëjtën anë të frontit, si pjesë e koalicionit anti-hitlerian, së bashku po afronin fitoren mbi fashizmin në Evropë. Kjo është fitorja jone e përbashkët mbi armikun e fortë dhe të pamëshirshëm, që shërbeu si një themel i sigurt për bashkëpunim të ngushtë dhe ndërveprim midis dy vendeve në vitet e pasluftës. Bëma e veteranëve që afruan fitoren mbi fashizmin në front dhe në prapavijë nuk do të harrohet kurrë.
-Duke iu rikthyer marrëdhënieve bilaterale, cili është vizioni juaj për të ardhmen e marrëdhënieve ruso-shqiptare? Si mund të zgjerohet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve, dhe cilat janë sektorët me potencial më të madh për zhvillim?
– Jam i bindur që gjithmonë duhet ta shikojmë në të ardhmen me optimizëm. Ka çdo arsye për këtë. Popujt tanë janë të bashkuar me respektin për kujtesën e paraardhësve të tyre, për historinë e tyre, me bashkëjetesën paqësore të ortodoksëve, katolikëve, myslimanëve, përfaqësuesve të konfesioneve të tjera, me dashurinë për vendin e tyre dhe shumë më tepër. Popullsia e Shqipërisë, veçanërisht brezi i vjetër, ende ruan një interes për kulturën ruse dhe gjuhën ruse. Është kënaqësi të vëresh se si në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dhe në ambiente të tjera mbahen koncerte muzikore me sallën plot, gjatë të cilave muzikantët interpretojnë vepra të P.I.Çajkovskit, N.A.Rimsky-Korsakov dhe kompozitorëve të tjerë të famshëm rusë. Në fund të dhjetorit, në prag të Vitit të Ri, në skenën kryesore të Shqipërisë trupat lokale do të interpretojnë baletin “Arrëthyesi” bazuar në motivet e klasikëve rusë. Publiku në Rusi gjithashtu tregon interes për artin dhe, në veçanti, letërsinë shqiptare. Kështu, në rusisht janë përkthyer romanet e I.Kadaresë “Dimri i Madh”, “Pallati i Ëndrrave”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, prezantimi i botimit të ri të të cilit u zhvillua në Moskë në tetor të këtij viti.
Rusia ka çfarë t’i ofrojë Shqipërisë edhe në sferën ekonomike. Vendi ynë ka zhvilluar kompetenca të mira në fushën e teknologjisë së lartë, digjitalizimit, industrisë prodhuese, mjekësisë dhe IT-së. Kemi teknologji të përparuara në fushën e energjisë bërthamore paqësore, zhvillojmë në mënyrë aktive burime alternative të energjisë bazuar në zgjidhjet inxhinierike ruse dhe vazhdojmë të mbetemi një furnizues i besueshëm i burimeve të naftës dhe gazit. Një tipar dallues i Moskës është se, duke ofruar bashkëpunim për vendet e huaja, ne nuk kërkojmë ndërprerjen e ndërveprimit me vendet e tjera. Do të jemi të gatshëm të shqyrtojmë mundësinë e rifillimit të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik me Shqipërinë sa më shpejt që të lejojnë realitetet politike.
M.Doda: Z.Ambasador, faleminderit për këtë intervistë!
Ambasadori: Faleminderit. Besoj se biseda jonë e sotme do të jetë e dobishme dhe do të gjejë interes mes publiku shqiptar.
© 2024 Argumentum