Ambasadorja Yuri Kim ka ndarë ditën e sotme një lajm shumë të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë.
“Ndërsa festojmë 100 vjet marrëdhënie midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Ambasadorja Yuri Kim ndan një lajm shumë të rëndësishëm, që do ta bëjë më të lehtë për shqiptarët të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Shtetet e Bashkuara. Shihni videon për të mësuar më shumë rreth këtij lajmi fantastik!”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Me anë të një videomesazhi, diplomatja amerikane thotë se, duke nisur nga 1 prilli, vizat turistike dhe për biznes tashmë nuk do të jenë më 3-vjeçare por do të zgjaten në 10 vite.
Kjo vjen si dhuratë për popullin shqiptar, në 100 -vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Sipas Ambasadores Yuri Kim kjo do ta bëjë më të lehtë për shqiptarët të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Shtetet e Bashkuara.
“Ndërsa festojmë 100 vjet marrëdhënie midis SHBA dhe Shqipërisë kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mrekullueshëm që besoj do t’i sjellë amerikanët dhe shqiptarët akoma dhe më afër së bashku.
Çdo vit, shumë më shumë shqiptarë po vizitojnë Shtetet e Bashkuara ashtu si gjithnjë e më shumë amerikanë po vizitojnë Shqipërinë.
Tashmë do ta bëjmë me të lehtë për shqiptarët, të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Amerikë, të shohin vendet tona dhe të ndërtojnë marrëdhënie biznesi.
Duke filluar nga 1 prilli, vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjatet nga 3 në 10 vjet. Kjo do të thotë ser nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas viza juaj do të jetë e vlefshme për 10 vjet, jo vetëm 3″, thote ambasadorja Kim.
Sipas ambasadores, vizat nuk do të kenë më nevojë për rinovim. Ndërsa sqaron se ky vendim vjen pasi shqiptarët kanë respektuar rregullat e udhëtimit në SHBA.
“Ju do të keni mundësi të shkoni dhe të vini në SHA në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse pa pasur nevojë që të rinovoni vizën tuaj deri në 2032.
Vendimi i SHBA për të zgjatur vlefshmërinë e vizës në 10 vjet pasqyron faktin që shqiptarët gjithë e më shumë po ndjekin rregullt kur vizitojnë SHBA.
Shpresoj që të gjejmë akoma më shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku”, shprehet Kim.
/Argumentum.al