Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria shënojnë sot 101-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Në një mesazh publikuar në rrjetet sociale, ambasada amerikane theksoi se: “Sot është 101-vjetori i vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Lidhjet zyrtare diplomatike mes vendeve tona filluan më 28 korrik 1922, menjëherë pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku Presidenti i SHBA Wilson qëndroi në krah të popullit shqiptar për pavarësinë dhe sovranitetin e tij. Vitin e kaluar, me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, ne festuam miqësinë e ngushtë mes dy kombeve tona, duke theksuar aleancën e fortë strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Presidenti i SHBA Joe Biden dërgoi një mesazh të veçantë shprese për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për një të ardhme edhe më të ndritshme për popullin shqiptar. Urojmë për më shumë vite të tjera miqësie dhe bashkëpunimi!”.
Ambasada risolli edhe mesazhin e Presidentit amerikan, Joe Biden, drejtuar popullit shqiptar në vitin 2022, kur u shënua 100-vjetori i këtyre marrëdhënieve.
“Mbarë popullit shqiptar, i dërgoj urimet e mia më të përzemërta dhe miqësinë jetëgjatë të SHBA. Kur Shtetet e Bashkuara mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, u krijua një miqësi e përhershme midis popujve tanë. Një dashuri të përbashkët për lirinë dhe për vlerat e demokracisë, të cilat nuk u thyen kurrë dhe kur populli i Shqipërisë i qëndroi dekadave në diktaturë. Uroj që dy kombet tona të vazhdojnë të ndërtojnë mbi gjithçka që kemi arritur së bashku dhe të ofrojnë një të ardhme më të ndritshme dhe më shpresëdhënëse për fëmijët tanë”, shprehej Biden në mesazhin e tij në atë kohë”, thuhet në mesazhin e Ambasadës së SHBA-së.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar 101-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një mesazh publikuar në rrjetet sociale, Begaj shprehet se SHBA ka qenë dhe do mbetet, aleati me strategjik i Shqipërisë, në rrugën tonë euroatlantike.
“Në këtë 101-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, shohim me krenari se si këto marrëdhënie janë gjithnjë e më të forta! Përgjatë historisë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë në krahun tonë, duke na mbështetur në të gjitha projektet dhe sukseset tona madhore, ndaj për këtë do i jemi përherë mirënjohës. Gëzuar 101-vjetorin e miqësisë me SHBA-në, partnerin strategjik më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Presidenti.
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot 101-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një status në facebook krahas fotot së dy flamujve të Shqipërisë dhe SHBA-së, Rama shprehet se dy vendet janë “miq dhe aleatë”.
Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA kanë nisur më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Uillson doli në krah të vendit tonë.
Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922.
Ambasadori i parë shqiptar në Uashington ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929 nga Ahmet Zogu.
Më pas Ambasada amerikane në Tiranë u mbyll më 16 shtator 1939, ndërsa ngrirja e marrëdhënieve zgjati edhe gjatë kohës kur në pushtet erdhi Enver Hoxha.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e SHBA në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë dhe i pasuar nga ambasadori i SHBA Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.
Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmëssekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha “marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare… të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”
Më 11 qershor 1991, ish-Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA, që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Që nga ajo kohë, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, dhe Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës, sidomos në luftën globale kundër terrorizmit.
/Argumentum.al