Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndet mbajtjen e Kongresit të Lushnjes, themelimi i parlamentarizmit shqiptar.
“104 vjet më parë, në 21 janar 1920, filloi punimet Kongresi i Lushnjes, me të cilin nis historia e parlamentarizmit shqiptar. Këshilli Kombëtar, të cilit Kongresi i dha atributet e institucionit legjislativ të vendit, u bë parlamenti i parë i Shqipërisë”, shkruan Nikolla.
“Parlamentarizmi shqiptar u zhvillua paralel me përballimin dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha të vendit: plotësimi i vendimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës; konsolidimi i pavarësisë kombëtare; pengimi i copëtimit dhe mbrojtja e integritetit territorial, me mbështetjen e ShBA dhe të Presidentit Willson”, vijoi Nikolla.
“Sot, duke kremtuar e nderuar Kongresin e Lushnjes, është koha të punojmë për të fuqizuar Kuvendin e Shqipërisë si garant i Kushtetutës dhe Republikës. Për konsolidimin e demokracisë, thellimin e reformave, luftën kundër krimit e korrupsionit, avancimin e procesit të integrimit dhe ndërtimin e Shqipërisë europiane”, u shpreh ajo.
“Për të bashkëpunuar e për t’u kthyer në normalitetin e veprimtarisë parlamentare, për të diskutuar e vendosur për alternativat e zhvillimit dhe kapërcimin e sfidave të së ardhmes.
Për të ushtruar kontrollin parlamentar të qeverisë dhe institucioneve, duke respektuar e mbështetur ndarjen e pushteteve. Që në Kuvendin e Shqipërisë të sundojë forca e argumenteve dhe jo arsyeja e forcës, që Kuvendi të mos bëhet peng i qëllimeve, interesave dhe vullneteve individuale, por mbrojtës i interesit kombëtar e publik, i mirëqenies dhe të drejtave të qytetarëve.”, përfundoi Nikolla.