Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani qëndroi këtë të mërkurë në Shkup, vizita e tij e parë zyrtare në vendin fqinj, ku bisedoi me homologun e tij dhe me zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë mbi sfidat e integrimit evropian dhe ato të sigurisë. Shefat e diplomacive theksuan në një konferencë shtypi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve. Ministri Hasani, ndërkohë shprehu mirënjohje për rolin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, në ruajtjen e qëndrueshmërisë, siç tha dhe për orientimin euro-atlantik të vendit.
Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në vizitën e tij të parë zyrtare në Shkup ka diskutuar me homologun e tij dhe me zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë mbi përvojën dhe sfidat e përbashkëta në rrugën e integrimit evropian.
Ai tha se drejtimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në vitin që lamë pas dhe i Shqipërisë me Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe më herët në OSBE, janë tregues i pjekurisë që ka arritur politika e jashtme e dy vendeve respektive.
Zoti Hasani theksoi arritjen e rezultateve mbresëlënëse, siç tha të dy vendeve në reformat modernizuese dhe europianizuese, ndërkohë që vuri në dukje përkushtimin e Tiranës dhe të Shkupit në rrugën drejt BE-së:
“Ne sapo kemi përfunduar me sukses procesin e screening-ut dhe jemi në pritje të hedhjes së hapave të mëtejshme në një proces për të cilin të dy vendet tona kanë bërë shumë sakrifica dhe gjatë të cilit jemi përballur me ngërçe e pengesa jo të lehta. Ne kemi ecur së bashku në një pjesë të madhe të kësaj rruge, duke mbështetur e ndihmuar njëri tjetrin. Besoj fort që ky rrugëtim i përbashkët ka ndikuar për të forcuar më shumë bashkëpunimin mes nesh e për të na bërë ta shohim rajonin e të ardhmen e tij në të njëjtën mënyrë”, tha zoti Hasani.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani po ashtu nënvizoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në më shumë fusha midis dy vendeve, duke qenë anëtare të NATO-s dhe me synimin e përbashkët për anëtarësim në BE:
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shumë më tepër se fqinjë të mirë; jemi vende mike, kemi marrëdhënie të thella reciproke, partnerë dhe aleatë, të cilët vazhdojnë së bashku drejt ambicieve evropiane. Në sfidat moderne të kërcënimeve hibride të ndikimeve të jashtme por edhe një luftë aktive në tokën evropiane, integrimi i Ballkanit perendimor në Evropë është gjithashtu çështje e politikës së sigurisë. Agresioni rus kundër Ukrainës meriton çdo dënim dhe jemi këtu të pandarë dhe të qëndrueshëm në këtë qëndrim. Evropa, sigurisht me pjesëmarrje të thellë edhe të SHBA-së duhet të forcojë praninë e saj në rajon, të forcojë pjesëmarrjen e saj edhe në politikat e brendshme të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë mënyrë, jo vetëm të forcojë rolin tonë mbrojtës, por edhe të dërgojë një mesazh të fuqishëm parandalimi si një nga politikat kryesore të sigurisë së Evropës”, u shpreh kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Ndërkohë, Ministri Hasani theksoi mbështetjen për Korridorin e VIII që i lidh dy vendet fqinje me Bullgarinë dhe Italinë e që do të transformonte pozitën e tyre strategjike por dhe atë të zhvillimit ekonomik. Ministri shqiptar theksoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut për stabilitetin e këtij vendi dhe për forcimin e lidhjeve në mes dy vendeve si dhe për ruajtjen e orientimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut gjatë një rrugëtimi të vështirë dhe me mjaft sakrifica, siç tha.
“Besoj që fakti që Maqedonia e Veriut, edhe pse përkohësisht, do të ketë për herë të parë në historinë e saj një kryeministër shqiptar, është një tregues simbolik i progresit që ka bërë ky vend e kjo shoqëri, për çka unë dua t’ju shpreh respektin e admirimin tim të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, u shpreh zoti Hasani.