Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Duman mori pjesë sot në takimin e parë të një nisme dialogu mes institucioneve dhe aktorëve të politikbërjes, “IDM Morning Briefing”, e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Dumani shpreh sot se “ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet lidhur me korrupsionin”.
“Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty? Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin”, theksoi Dumani.
Ai informoi se gjatë vitit 2023 janë regjistruar kallëzime sa për tre vite së bashku.
“Duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve në medie, kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në medie kemi regjistruar rreth 67 procedime që i përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurimet. Për të qenë të ndërgjegjshëm duhet të bëjmë të gjithë, por ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbilfryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë”, theksoi ai.
Dumani bëri të ditur po ashtu se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori, ndërsa siguroi se “detyra e Prokurorisë së Posaçme është të hetojë dhe anëtarët e SPAK janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata”.
Sipas tij, “shqetësimi më i madh është kërcënimi nga krimi i organizuar dhe jo kërcënimi nga politika”.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos të kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyre”, tha Dumani.
Sipas tij, SPAK nuk ka bërë gjë tjetër veçse të përmbushë detyrimet kushtetuese si ndaj korrupsionit edhe ndaj krimit të organizuar.
“Pavarësisht se kemi hyrë në vitin e pestë duhet vlerësuar veprimtaria, që do të thotë kemi bërë hetime dhe ngritur akuza ndaj çdo zyrtari pavarësisht pushtetit dhe lidhjeve. Por gjatë katër viteve SPAK ka treguar se ne jemi vetëm në fillimet e punës sonë. Shpresojmë që gjykatat të japin vendime fajësie për akuza të ngarkuara nga ana jonë. Ne kemi patjetër rezultate të suksesshme dhe ky është synimi ynë. Për pesë vitet e ardhshme duhet të besojmë që kemi një institucion të konsoliduar me hetime dhe vendime ndaj të gjitha niveleve. Është e vështirë, por jo e pamundur, por qoftë dhe këto rezultate na stimulojnë dhe na nxisin që të punojmë akoma më shumë”, theksoi ai.
Dumani u ndal edhe te paqartësitë që lidhen me statusin e prokurorisë së Posaçme.
“Mandati është nëntë vjet dhe pas kësaj nuk dihet ku do shkojë një prokuror. Mendoj që kjo është e padrejtë sepse prokurori duhet të shkojë atje ku ka qenë, dhe nga maja e karrierës ta dërgosh prokurorin e Posaçëm në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm në Shkodër apo nga vijnë kolegët e mi të nderuar, shkakton mungesën e sigurisë”, tha Dumani.
Kreu i SPAK deklaroi se familja e një prokurori të Prokurorisë së Posaçme është kërcënuar nga krimi i organizuar.
Teksa nuk e bëri publik emrin e prokurorit, Dumani theksoi se e shqetësojnë kërcënimet nga krimi i organizuar dhe jo ato që vijnë nga politika. Megjithatë ai shtoi se prokurorët janë të përgatitur për këto situata në mënyrë që të mos kthehen pas dhe të vijojnë hetimet e krimit dhe korrupsionit.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që ti përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë”, ka thënë Dumani.