Një krim brutal në qytetin Hanau, jo larg, Frankfurtit. Njoftohet për 11 vetë të vdekur, mes tyre edhe autori i dyshuar i vrasjes. Ka të dhëna për motive ekstremiste të djathta të vrasjeve.
Një person i dyshuar për sulm me armë në qytetin Hanau në Gjermani është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij, disa orë pas të shtënave në dy lokale.
Oficerët gjithashtu kanë gjetur dhe një trup tjetër, por deri tani nuk janë bërë të ditura detaje.
Në një komunikatë zyrtare të policisë gjermane thuhet se në dy sulmet numri i viktimave është 9, duke e çuar në total 11 numrin e të vdekurve.
Sulmet kanë ndodhur në harkun e pak minutave, në orët e vona të së mërkurës. Dy lokalet mësohet se frekuentoheshin nga komunitetit kurd.
Gjermania është në alarm për rrezikun që i kanoset nga ekstremizmi i të djathtës ekstreme. Prokurorët thonë se po hetojnë mbi këtë motiv për sulmet.
Pas të shtënave, policia nisi kërkimet në qendër të Hanau, duke vënë në lëvizje dhe një helikopter për kërkimet nga ajri.
Fillimisht, policia bëri të ditur se ishin 8 viktima dhe 5 të plagosur, ndërsa një tjetër i vdekur u konfirmua më vonë.
Një makinë e zezë është parë të largohet nga zona ku ndodhi sulmi i parë ndërsa sulmi i dytë ka ndodhur rreth 2.5 km më larg.
Deri tani zyrtarët gjermanë nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimave. Lokalet ku ndodhen sulme janë shisha bar, ku njerëzit mblidhen për të tymosur duhan.
Tronditje në Gjermani
Kreu i bashkisë së Hanaut, Claus Kaminsky, CDU u shpreh i tronditur për dhunën në qytetin e tij. “Kjo ishte një natë e tmerrshme që do na preokupojë gjatë dhe do të qëndrojë gjatë si një kujtim pikëllues.” Kreu i bashkisë porositi që shkollat dhe disa kopshte në Hanau të mbeteshin të mbyllura ditën e enjte. Edhe deputetja e Bundestagut e zonës zgjedhore të Hanaut, Katja Leikert, CDU u shpreh e tronditur e bëri fjalë për një “skenar tmerri”. “Në këtë natë të tmerrshme, u dëshiroj familjeve të viktimave shumë forcë për të përballuar dhimbjen dhe shpreh ngushëllimin e thellë.”
Qeveria gjermane reagoi e tronditur pas dhunës në Hanau. “Mendimet tona janë këtë mëngjes tek njerëzit në Hanau, në qendër të të cilit u krye një krim i tmerrshëm”, shkroi zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në twitter. “Ngushëllimet tona për familjet e prekura që vajtojnë për të afërmit e humbur”, shkruan Seibert.
I tronditur u shpreh edhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel. “Humbja e pakuptimtë e jetëve të njerëzve është një tragjedi, pavarësisht ku ndodh ajo”, shkroi ai në twitter- “Pas sulmit të tmerrshëm jemi me mendje tek njerëzit në Hanau.”