Sot shënohen 11 vjet nga Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.
Pikërisht 11 vjet më parë, më 19 prill 2013, në Bruksel u nënshkrua një dokument, i cili atëherë ishte një hap i madh në rrugën drejt normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pas negociatave të gjata, nënshkrimet e tyre kanë dhënë kryeministrat e atëhershëm të Serbisë dhe Kosovës, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi, si dhe ish shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Sot më shumë se një dekadë më vonë marrëveshja e Brukselit është përmbushur vetëm pjesërisht, kështu që pengesa më e madhe mbetet ende (mos) formimi i Unionit të Komunave Serbe.
E lidhur me këtë ka shkruar kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka theksuar se në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut, 30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Serbisë do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë.
Postimi i plotë:
Sot bëhen 11 vjet nga Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Thaçi e Daçiq.
Marrëveshja i ka 15 nene ku 6 nenet e para merren me një “Asociacion/Bashkësi të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë”.
Nenet tjera në vijim merren me integrimin e komunitetit serb në institucione të Kosovës, çështjen e energjisë dhe pajtimin që të mos pengohet rrugëtimi i njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.
Zbatimi i neneve për ‘Asociacionin’ u përcoll me një marrëveshje tjetër të parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore që u pat arritur dy vjet më vonë, më 25 gusht të vitit 2015, nga kryeministrat e asaj kohe Mustafa dhe Vuçiq.
Kjo e fundit përfundoi në Gjykatë Kushtetuese në dhjetor të atij viti. Doemos, pasi që marrëveshja e vitit 2015 buronte nga ajo e vitit 2013, gjykata u mor me të dyja.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj tha se kompetencat e parapara për ‘Asociacionin’ sipas të dy marrëveshjeve, shkelnin parimet e kushtetutës, karakterin multietnik të shtetit dhe cenonin rëndë rendin juridik.
Pas këtij vendimi të Gjykatës ku ‘Asociacioni’ me fushëveprimin dhe kompetencat e parapara shkelte rëndë Kushtetutën, marrëveshja u shkel nga Serbia në nenet tjera të saj.
Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi.
Para 11 vjetëve u arrit një marrëveshje e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia.
Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’.
Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë.
Nuk mund të flasim e diskutojmë vetëm për ‘Asociacionin’:
– pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) me Aneksin e Zbatimit (Ohër, 18 mars 2023);
– pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel (neni 10 i Marrëveshjes Bazike);
– pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese.
E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Serbisë) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë!
Qeveria jonë ka shumë më tepër probleme të trashëguara për progresin e Kosovës sesa sfida të kohës. E përkundër të gjitha atyre, po ia dalim me sukses.
Çfarë shkruhet në 15 pikat e Marrëveshjes së Parë të Brukselit?
I pari thotë: “Do të ketë një Bashkësi të komunave ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në Kosovë”. Anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër, me kusht që anëtarët të bien dakord”.
Më tej, marrëveshja parashikon që BKS do të ketë kryetar, nënkryetar, Kuvend, Këshill…, mbikëqyrje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe zhvillimit rural.
Pika 9 e këtij dokumenti përcakton në detaje organizimin e policisë në katër komuna në veri të Kosovës.
“Do të ketë komandant rajonal të policisë për katër komuna në veri ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviq). Komandanti i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme nga lista e dorëzuar nga katër kryetarë komunash në emër të Bashkësisë/Asociacionit. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen etnike të popullsisë së këtyre katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant rajonal të policisë për komunat e Mitrovicës së Jugut, Srbicës dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave veriore do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë”, thuhet në marrëveshje.
“Autoritetet gjyqësore do të integrohen dhe do të funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të formojë një kolegj që do të përbëhet kryesisht nga gjyqtarë nga radhët e serbëve të Kosovës dhe do të veprojë në raport me të gjitha komunat me shumicë serbe. Divizioni i Gjykatës së Apelit, i cili përbëhet nga personeli administrativ dhe gjyqtarët, do të ketë selinë e përhershme në Mitrovicën e Veriut (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilës dhomë të Departamentit në fjalë do të përbëhet nga gjyqtarë nga radhët e serbëve të Kosovës. Në dhomat e gjykatës do të ulen gjyqtarë përkatës, në varësi të natyrës së çështjes”, thuhet në pikën 10.
Pikat 13 dhe 14 theksojnë se të dy palët do të intensifikojnë bisedimet për energjinë dhe telekomunikacionin dhe do t’i përfundojnë ato deri më 15 qershor 2013 dhe se është rënë dakord që asnjëra palë të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e tjetrës në rrugën e saj drejt BE.
Marrëdhëniet në pikën e tyre më të ulët
Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ranë në pikën më të ulët që nga fillimi i dialogut në Bruksel. Situata pothuajse ka arritur në pikën kritike disa herë në vitet e kaluara, dhe në javët e fundit janë mbajtur disa raunde bisedimesh në Bruksel pas vendimit të Prishtinës për ndalimin e përdorimit të dinarëve në Kosovë.
Sipas dekretit të bankës qendrore në Prishtinë, nga 1 shkurti, e vetmja valutë në të cilën lejohen pagesat me para në dorë është euro, që nënkupton ndalimin e dinarit. Kjo vuri në pikëpyetje ekzistencën dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë, të cilët të ardhurat nga shteti serb i marrin në dinarë.
Në ndërkohë, përkundër tensioneve, për Kosovën u miratua liberalizimi i vizave dhe pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kosova është në prag të shndërrimit anëtare e Këshillit të Evropës.
11 vite më vonë, negociatorët kryesorë nga viti 2013 – Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi dhe ndërmjetësuesi i tyre Catherine Ashton u nominuan për Çmimin Nobel për Paqe. Më shumë se një dekadë më vonë – Hashim Thaçi është në gjyq para Tribunalit të Hagës, Ivica Daçiq është ende në Qeverinë e Serbisë, vetëm në një cilësi tjetër, ndërsa Catherine Ashton ka publikuar një kujtim. Ajo i kushtoi një kapitull negociatave dhe Marrëveshjes së Brukselit.
/Argumentum.al