Ditën e sotme, më 13 Janar, Policia e Shtetit ka shënuar 111-vjetorin e themelimit të saj si institucion.
Në 111-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Taulant Balla premtoi sërish rritje pagash për punonjësit e policisë.
Ministri tha se nga 1 korriku i këtij viti, Policia do të jetë përfituese e fondit prej 400 milion eurosh, për rritjen e pagave.
Sot është dita të përkujtojmë këtë datë të veçantë, por duke e filluar nga ata qindra forca të rendit publik të cilët ndër vite, që nga 1913 e kanë mbrojtur jetën me jetë, e të cilët do t’i nderojmë. Qoftë i përjetshëm kujtimi i Dëshmorëve të Atdheut në radhët e Policisë së Shtetit!
Të dashur pjesëmarrës, Unë e kam nder për mua të jem të flas për rolin e pazëvendësueshëm ndër vite të PSH, në përkushtimin e saj për të siguruar jetën e pronën. Shpreh mirënjohjen më të thellë gjithashtu, për çdo punonjës të Policisë së Shtetit për sakrificën e pakursyer. Përkushtimi juaj i palodhur për të mbrojtur dhe shërbyer ndaj kombit është në vëmendjen e shoqërisë dhe qeverisë. Pasi akorduam fundvitin e kaluar kreditë pa interes për shtëpi për 92 punonjës policie, ju garantoj se vijojmë këtë vit me 300 kuotat e tjera dhe me më shumë në vitin 2025, për të zgjidhur një problem emergjent për rreth 900 familje të punonjësve të Policisë. E siç e kemi thënë, nga 1 korriku i këtij viti, Policia do të jetë përfituese e fondit prej 400 milion eurosh, për rritjen e pagave. Policia kam kërkuar të jetë më e vlerësuar.
2023, ishte një vit i jashtëzakonshëm për sigurinë publike, si viti me nivelin më të lartë të sigurisë, për më shumë se një dekadë. Këto arritje, që i bëmë publike një javë më parë në një komunikim me publikun, janë dëshmi e përkushtimit të palodhur të oficerëve të policisë, që gjej rastin t’i përgëzoj, por edhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me agjencitë e tjera ligjzbatuese, gjithashtu me partnerët, e ajo çka për mua është me shumë rëndësi, bashkëpunimi me qytetarët. Pa ata, nuk do t’ja dalim dot kurrë të kemi sukses në punën tonë.
Jam i vetëdijshëm se edhe mes të sukseseve e arritjeve, ekziston një shqetësim që kërkon vëmendjen dhe veprimin tonë të përbashkët: ndër to është numri shqetësues i krimeve brenda familjes, për të cilat sado të pakta qofshin janë prioritet i punës sonë. Këto ngjarje godasin në zemrën e shoqërisë, duke na detyruar të intensifikojmë përpjekjet, jo vetëm në zbatimin e ligjit, por edhe në nxitjen e ndërgjegjësimit, mbështetjes dhe mekanizmave të ndërhyrjes për të mbrojtur shtetasit e rrezikuar, përgjithësisht nënat dhe motrat tona. Përballja me këto sfida kërkon një qasje edhe më të shumë-anshme. Duhet të vazhdojmë të përforcojmë strategjitë tona të zbatimit të ligjit, duke garantuar që autorët me bazë gjinore, të dhunës seksuale, të krimeve ndaj të miturve të vendosen para drejtësisë menjëherë e me vendosmëri. Po aq e rëndësishme është nevoja për të krijojmë mekanizma për t’i parandalimin e ngjarjeve të tilla, përpara se ato të ndodhin.
Jam krenar të dëshmoj progresin e vazhdueshëm të vetëpastrimit brenda radhëve të Policisë së Shtetit – një dëshmi e përkushtimit tonë të pandërprerë për të mbajtur standarde të larta profesionalizmit, ndershmërisë dhe integritetit. Përpjekja e palodhur për përgjegjshmëri, transparencë dhe sjellje etike është thelbësore në nxitjen e besimit të publikut për Policinë.
Nga ana tjetër, jemi aktualisht, dhe shkon më shumë se kudo tjetër këtu në Akademinë e Sigurisë në mes të një procesi për rekrutimin e të rinjve e të rejave në Polici. Jam i gëzuar nga numri i lartë i aplikimeve e cila tregon se besimi i publikut, po pasohet nga besimi i të rinjve e të rejave se ka një profesion shumë të vlerësuar në Shqipëri, sikurse është uniforma e PSH. Ka ardhur koha të bëjmë gjithçka për ta energjizuar, dinamizuar e për të krijuar një sistem të ri karriere në PSH, që bazohet në vlerësimin e punës, ndershmërisë dhe rezultateve. Kjo do të mundësohet edhe falë ligjit të ri për PSH, që shumë shpejt do ta kalojmë në qeveri e kuvend.
Por na duhet të thellojmë reformat për të forcuar aleancën me qytetarët e natyrshëm të përmirësojmë komunikimin me qytetarët duke përdorur sa më shumë teknologji. Jetojmë në kohën e inteligjencës artificiale, e shumë shpejt do të kemi edhe në PSH modele të reja të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në përmirësimin e punës hetimore apo dimensione të tjera të punës së përditshme të PSH, duke ju sjellë në vëmendje një prej indikatorëve të rritjes së besimit qytetar, është rritja me disa fish e thirrjeve tek numri unik 112, por kjo rezulton edhe nga sondazhet tona apo të organizatave të pavarura.
Dua ta ritheksoj se siguria është parakushti, mbi të cilin garantohet zhvillimi e progresi i çdo shoqërie. Dita ditës e kemi përmbushur këtë kusht. Le ta shndërrojmë 2024 në një vit të arritjes së objektivit të përbashkët, të shndërrimit të PSH në institucionin numër një, të besimit të qytetarëve. Jam i sigurt se rezultatet e deritanishme janë një premisë e mirë për t’ja arritur këtij objektivi të përbashkët.
Gëzuar 111 vjetorin e themelimit të PSH, mirënjohje ndaj të gjithëve pa asnjë përjashtim të anëtarëve të PSH për punën e përditshme që bëni në dobi të zbatimit të ligjit, garantimit të rendit dhe sigurisë publikë në tërësi”- tha Balla.
/Argumentum.al