Marjana Doda
Ndërsa fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut u mbyll zyrtarisht të hënën (22.04) dhe kur tashmë janë të njohura qëndrimet dhe zotimet e tyre përballë elektoratit, në këtë analizë do të pasqyrojmë të gjitha ndasitë dhe pikat përbashkuese të kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut.
Përkundrejt koalicioneve të mëdha që u krijuan si nga partitë politike shqiptare dhe ato maqedonase, në garë për kreun e shtetit janë jo pak por shtatë kandidatë që vijnë nga katër koalicione dhe tri parti politike.
Një garë që trupëzon jo vetëm votat por dhe qëllimin e saj. Ndonëse në fokus ka zgjedhjen e Presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht nëpërmjet raundit të parë të zgjedhjes së presidentit, do të shohim dhe kahjen e votës që do të përcaktojë dhe kryeministrin e ri në zgjedhjet parlamentare që do zhvillohen në 8 maj.
Por le të qëndrojmë konkretisht te fushata presidenciale.
Emra të njohur dhe të panjohur, u rrjeshtuan si kandidatë për kreun e ri të shtetit. Ata që janë ballafaquar edhe më parë në garën presidenciale janë kandidatet e VMRO-DPMNE dhe LSDM-së, përkatësisht Stevo Pendarovski përballë Gordana Siljanovska Davkova,
Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, garon për një mandat të dytë me propozim të Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, që është në koalicion me disa parti të tjera politike.
Gordana Siljanovska Davkova, ndonëse thotë se është kandidate e pavarur, ajo është gjithashtu e vetmja kandidate e VMRO-DPMNE-së.
Beteja për president nuk është vetëm mes dy partive të mëdha maqedonase por dhe ndërmjet dy kampeve të mëdha të partive shqiptare. Konkretisht Bujar Osmani nga ”Fronti Evropian”, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) dhe Arben Taravari, kandidat i koalicionit “VLEN”, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare.
Kandidatë për president janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetar i Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë E Majta.
Një fushatë elektorale atipike, që më shumë se sa për institucionin presidencial, partitë politike respektive, e kanë përdorur këtë fushate, si burim votash për zgjedhjet parlamentare madje disa syresh kanë përfshirë dhe politikën rajonale e globale si pjesë e diskursit politik gjatë kësaj fushate.
Pra kandidatët për president kanë folur edhe për çështje që nuk janë në fushën e tyre, si çështjet e politikës së jashtme, integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, sundimin e ligjit, forcimin e demokracisë etj.
Kujtojmë se Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara. Ai është komandant i përgjithshëm i Armatës, dekreton mandatarin për formimin e qeverisë dhe të ambasadorëve jashtë vendit, bën disa emërime në organet gjyqësore dhe në organet e sigurisë, por ata duhet të miratohen edhe në Kuvend.
Por siç e kemi parë narrativen e kësaj fushate presidenciale që prej 4 prillit, ka tejkaluar çdo kompetencë që një president mund të ketë. Madje në disa tubime elektorale, i kalon dhe kompetencat e vete shtetit maqedonas, ndërsa disa kandidatë merrnin përsipër të ishin pjesë e zgjidhjes përballë sfidave gjeopolitike rajonale e ndërkombëtare.
Por ku ndahen dhe ku bashkohen partitë politike shqiptare dhe maqedonase në zotimet e tyre elektorale?
Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, Kosova, Influenca ruse-serbe, Marrëveshja e Prespës, Nisma “Ballkani i Hapur”, janë disa nga pikat ndarëse dhe përbashkuese të koalicioneve dhe partive politike shqiptaro-maqedonase. Kjo fushate elektorale përgjatë tre javëve u dominua gjithashtu me akuza e kundërakuza ndaj njëra-tjetrës për “tradhti” dhe “politikë anti-perëndimore dhe pro-ruse”.
Po le të shohim se si janë rrjeshtuar kandidatët për president përballë këtij diskursi publik;
Ndryshimet Kushtetuese, vija e kuqe që ndan dhe bashkon kampet kryesore politike.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, që në fakt ishin shkaku që çoi qeverinë LSDM-BDI në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ato u bënë kryefjalë e fushatës elektorale presidenciale.
Ndryshimet kushtetuese bashkojnë LSDM, dhe dy kampet e mëdha politike shqiptare, koalicioni “Fronti Europian” dhe “VLEN”. Në fakt kjo është e vetmja pikë që bashkon dhe vetë shqiptarët, të cilët duken të vendosur për të përmbushur kushtin e BE-së për integrimin europian.
Ndryshe nga deklarimet e VMRO-DPMNE apo nga kandidatja e “E Majta” që këto ndryshime kushtetuese i shohin si tradhëti ndaj atdheut dhe e kundërshtojnë me bindje para elektoratit të tyre, në fakt, Mickovski, kryetari i VMRO-DPMNE, e ka zbutur pak tonin kundërshtues ndaj ndryshimeve kushtetuese, pasi ai thekson se këto ndryshime duhet të vijne nën kushte e rrethana të tjera.
Hristijan Mickovski, kryetari i VMRO DPMNE-së dhe kandidat për kryeministër i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme, ka thënë se partia e tij “pas fitores në zgjedhje” do të arrijë të sigurojë marrëveshje me të favorshme dhe pa kushte të reja nga Bullgaria, që do t’i hapin rrugën procesit integrues.
Gjithashtu, kandidatja për presidente e VMRO-DPMNE, Gordana Silanovska-Davkova, është kundër ndryshimeve kushtetuese, që janë kusht në procesin e integrimit të këtij vendi në Bashkimin Evropian, por në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Silanovska-Davkova tha se nëse përbërja e re parlamentare do t’i votonte ndryshimet kushtetuese, ajo do ta respektonte një vendim të tillë, pavarësisht se nuk do të pajtohej me të.
Kosova/ Bujar Osmani përdor funksionin e tij zyrtar si Minister i Jashtëm
Kosova, tensionet me Serbinë, janë bërë gjithashtu kryefjalë e fushatës për zgjedhjet presidenciale që në thelb duket tejet absurde.
Kjo u vu re që në javën e parë të fillimit të fushatës presidenciale, ku kandidati për president i koaliconit “Fronti Europian” Bujar Osmani, deklaroi se derisa ka qenë kryesues i OSBE-së, ka dalë me plan 9 pikësh për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, gjatë muajit qershor të vitit të kaluar. Plani, sipas Osmanit, më pas është bërë pjesë e Qeverisë.
Kjo deklaratë ka përplasur ashpër Taravarin me Osmanin.
Kandidati për president nga radhët e “VLEN”, Arben Taravari, deklaroi se është tronditur me informatën nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, se Bujar Osmani ka qenë hartues i planit 9 pikësh nga OSBE për deeskalimin dhe normalizimin e situatës në Veriun e Kosovës, i cili parashikonte tërheqjen e forcave speciale të Kosovës nga Veriu, dorëheqjen e kryetarëve të zgjedhur në katër komuna të veriut, ndërkaq për sigurinë e qytetarëve të kujdesej policia e rregullt.
A është koncepti juaj për paqen, hapja e rrugës për terroristët dhe cenimi i sovranitetit të Kosovës?”, tha Arben Taravari.
Kosova është vija e kuqe mes Osmanit dhe Taravarit, edhe sepse ky i fundit dhe koaliconi i tij qartësisht kanë marrë bekimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë përfshirja e situatës së Kosovës në këtë fushatë është e papërgjegjshme nga të gjitha palët.
“Ballkani i Hapur”. A do largohet Maqedonia e Veriut nga kjo nismë?
Opozita shqiptare e bashkuar në koaliconin “VLEN” me kandidat për president Arben Taravarin, që në krye të herës janë deklaruar kundër kësaj nisme, e cila sipas tij cenon drejtpërdrejt Kosovën, duke e quajtur nismë ruso-serbe që nuk i sjell asnjë të mirë shqiptarëve.
Si premtim, Taravari ka theksuar daljen menjëherë nga kjo nismë.
Ndërkohë LSDM-BDI, si bashkëqeverisëse kanë bashkëpunuar ngushtë për implementimin e saj bashkë me Tiranën dhe Beogradin.
Megjithatë, Bujar Osmani, deklaroi papritur se Maqedonia e Veriut do ta shqyrtojë largimin nga nisma “Ballkani i Hapur”, në fakt kjo deklaratë u anatemua menjëherë nga qeveria e Maqedonisë së Veriut ku shprehen se “në Qeveri ende nuk ka arritur një kërkesë e tillë nga MPJ-ja për t’u diskutuar nga ekzekutivi”, duke sjellë në pamje të parë një përplasje mes dy ish-bashkëqeverisësit LSDM-BDI.
Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, lidhur me njoftimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani për rishikimin e pjesëmarrjes së Maqedonisë së Veriut në nismën Ballkani i Hapur, thotë se Ballkani i Hapur është një nismë me origjinë nga rajoni i formuar nga tre shtete, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, dhe e cila bazohet në katër liritë e Bashkimit Evropian (BE).
Por duket qartë se deklaratat e Osmanit për “Ballkanin e Hapur”, janë në funksion të fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale.
“Osmani dhe Ali Ahmeti, (kryetar i BDI-së) ishin promotorët kryesorë të Ballkanit të Hapur gjatë gjithë këtyre viteve, ndaj kjo kthese gjatë fushatës presidenciale kishte si qellim të hiqte vëmendjen nga mbështetja që Taravari ka fituar në Kosovë edhe falë qëndrimit të tij kundër nismës “Ballkani i Hapur”.
Sa i përket partive të tjera maqedonase, ato janë pak konfuze në deklaratat e tyre dhe aspak të lexueshme nisur nga afërsia politike që kanë me Serbinë. Ndaj nuk është aspak e besueshme se një qeveri e VMRO-DPMNE mund të tërhiqet nga një nismë e iniciuar në Serbi. Sikundër as një qeveri LSDM-BDI nuk pritet ti japë fund kësaj nisme.
Ndikimi ruso-serb versus-shqiptar (Tirana-Prishtina)
Një nga tezat më të fuqishme që është shpalosur gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, ka qenë influenca ruse dhe serbe. Agresioni rus ka qenë retorike e Ali Ahmetit dhe “Frontit Europian” gjatë kësaj fushate presidenciale çka ka sjell jo pak habi si brenda dhe jashtë vendit,
Kandidati për president i koaliconit ”Fronti Europian” duke përdorur sërish funksionin e tij si Ministër i Jashtëm flet për rreziqet ruse, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe këto të dhëna thotë se i ka nga qasja që gëzon në informacionet e aleancës veri-atlantike, NATO-s.
Ai theksonte se kërcënimet ruse mund të kenë pasoja mbi marrëdhëniet ndëretnike, që janë shtylla e stabilitetit dhe e sigurisë në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë nuk ka ende asnjë indicie reale për kërcënim të sigurisë nga Rusia apo ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Maqedonisë së Veriut. Ndaj dhe ky slogan i Ahmetit është më shumë për tu përfshirë në vorbullen gjeopolitike, pasi tani në arenën ndërkombëtare Rusia është shteti malinj, por asgjë më shumë.
Ndërsa nga koalicioni”VLEN”, vijon theksi Serbi-Kosovë.
Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari bashkë me liderët e koalicionit VLEN, në një tubim në diasporë(19-20 prill) tha: “Maqedonia në këto zgjedhje është para një udhëkryqi shumë të rëndësishëm. Zgjedhjet janë historike për shkak se baza e garës politike e Maqedonisë, në qoftë se e thjeshtëzojmë, del se garon Albinizmi kundrejt Vuçizmit.
Një togfjalësh që tregon se Maqedonia e Veriut mund të jetë fushëbeteja e radhës mes Kurtit dhe Vuçiçit.
Ndërsa po nga koalicioni “Vlen” ka ardhur një akuzë e rëndë nga Bilall Kasami i cili akuzon Ahmetin se me ndihmën e Beogradit, ka ndërhyrë që Albin Kurti të mos jetë në mitingjet e koaliconit “VLEN” në Diasporë.
Kryetari i Lëvizjes BESA në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami, është shprehur se partia shqiptare BDI në RMV ka lobuar që të ndalonte një tubim të koalicionit opozitar VLEN (pjesë e të cilit është edhe Lëvizja VetëVendosje) në Berlin dhe Zyrih me emigrantët shqiptarë atje.
Lidhur me ketë pikë, partitë maqedonase kanë bërë një hap pas, duke mos përfshirë akuzat për ndikim rus apo serb edhe për vetë linjën politiko- historike të Maqedonisë dhe partive maqedonase, ndonëse kanë kundërshtuar ndikimin dhe mbështjen e hapur që është parë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare në këtë fushatë.
Marrëveshja e Prespës përplasja LSDM-VMRO-DPMNE
Një tjetër pikë me rendësi në këtë ballafaqim elektoral, është ajo mes dy partive më të mëdha maqedonase, LSDM-VMRO, lidhur me një marrëveshje historike, që i hapi rrugën integrimit europian të Maqedonisë dhe anëtarësimit të saj në NATO.
Marrëveshja e Prespës, çuditërisht u kthye në vëmendje gjatë fushatës, edhe pse nuk ka më vend për diskutim të saj.
Gjithsesi kandidatja për presidente e VMRO-DPMNE por dhe kandidatja nga Partia ”E Majta” e konsiderojnë akoma të hapur edhe Marrëveshjen e Prespës, që ka të bëjë me ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, dhe që i hapi rrugën këtij vendi për anëtarësim në NATO.
“Kur them se është çështje e hapur, këtë e bazoj në pakicën maqedonase që jeton atje. Më shpjegoni se si mund të themi se vetëm ne nuk kemi pakicë në Greqi, kur atje kemi shoqatën maqedonase ‘Vinozhito’”, theksonte Davkova.
E njëjta retorikë politike kundër kësaj marrëveshje u përdor fort nga Mitsotakis, si lider i opozitës në atë kohë, por si kryeministër i Greqisë ai u shpreh se, “Marrëveshja e Prespës duhet respektuar, pasi përfaqëson një marrëveshje të shtetit grek.”
Kujtojmë gjithashtu se lidhur me Marrëveshjen e Prespës, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në vitin 2021 nënshkroi urdhër ekzekutiv, me të cilin u parapa ngrirja e pronës dhe ndalesë për hjyrje në SHBA të personave të cilët punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së Ohrit.
“Ata të cilët janë përgjegjës apo të përfshirë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë, në shkelje apo në veprim i cili e pengon apo është cënim për implementimin e cilës do marrëveshje të sigurisë rajonale, paqësore apo marrëveshje bashkëpunimi, apo marrëvehsje kornizë lidhur me Ballkanin Perëndimor, duke i përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018, Marrëveshjen kornizë të Ohrit të vitit 2001“, qëndron në urdhrin ekzekutiv të Bajdenit.
Të gjitha partitë politike e dinë mirë që nuk ka kthim pas, e megjithatë e përdorin si retorikë boshe përballë elektoratit të tyre.
Partitë maqedonase kundër atyre shqiptare
Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ndodheshin në mesin e fushatës për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, sollen në vëmendje idenë e zgjedhjes së kreut të shtetit përmes Parlamentit, pas përfundimit të mandatit të presidentit të ri që do të zgjidhet në rundin e dytë më 8 maj.
Debati është ndezur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila doli me ofertën drejtuar dy partive maqedonase, që nëse duan votat e kandidatit të saj për president, Bujar Osmani, në rundin e dytë të zgjedhjeve, të pranojnë kërkesën e këtij subjekti që presidenti në të ardhmen të zgjidhet nga Kuvendi.
Por, kjo kërkesë është refuzuar në mënyrë kategorike si nga Partia Social Demokrate (LSDM) e ish-kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, ashtu edhe nga VMRO DPMNE-ja e pretendentit për kryeministër të ri, Hristijan Mickovski.
Pra, VMRO dhe LSDM janë bashkuar kundër kërkesës së Bashkimit Demokratik për Integrim dhe “Frontit Evropian” për zgjedhjen e presidentit në Parlament, njëkohësisht dhe kundër koalicionit “VLEN”.
Po qytetarët?
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut pa marrë parasysh etninë e tyre, më shumë se asnjëherë janë të bombarduar nga retorika boshe dhe folklorizëm politik. Asnjë premtim apo zotim i drejtpërdrejtë që ka në prioritet qytetarin, ndoshta edhe për shkak të funksioneve të kufizuara që ka institucioni i presidencës.
Megjithate, vlen të theksohet se edhe njëherë kjo fushatë u shoqërua nga nota nacionaliste. Por sot në vitin 2024 të shek XXI shoqëria shqiptaro-maqedonase kërkon pajtim dhe jo ndasi etnike.
Politikanët e të dyja palëve politike, qofshin maqedonas apo shqiptare, duhet që të ulin dozat e nacionalitetit dhe të shpalosin, programe konkrete për mirëqenien e secilit qytetarë që jeton brenda territorit të RMV-së pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare, kjo vlen mbi të gjitha për zgjedhjet parlamentare që në fakt ishin të pandashme gjatë gjithë fushatës elektorale presidenciale.
/Argumentum.al