Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA) bashkorganizuan Konferencën VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit me tematikë “Ndërtimi i besimit: Promovimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në politikat kundër korrupsionit”.
Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të niveleve të larta nga mbi 150 autoritete publike qendrore, të pavarura, të sistemit të drejtësisë dhe të vetëqeverisjes vendore, si dhe ekspertë e aktivistë të shoqërisë civile dhe medias. Në fokus të aktivitetit ishte roli i domosdoshëm i shoqërisë civile dhe medias në promovimin e të drejtës për akses në informacionin me karakter publik dhe fuqizimin e transparencës, për formimin e institucioneve të përgjegjshme e me integritet.
Kryeministri Edi Rama, vlerësoi rëndësinë e renditjes së legjislacionit shqiptar për të drejtën e informimit në vendin e 7-të në rang botëror. Ai kritikoi mentalitetin dominant në administratë që e konsideron dhënien e informacionit si një ekspozim të panevojshëm dhe theksoi se informacioni publik duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, vuri në dukje përparimin e bërë gjatë dekadës së fundit në zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit. Ajo theksoi rritjen e numrit të autoriteteve publike që zbatojnë Programin e Transparencës dhe funksionimin e regjistrit qendror të kërkesave dhe përgjigjeve në 222 autoritete publike.
Komisioneri Besnik Dervishi theksoi rëndësinë e punës së bërë deri më tani nga autoritetet publike në rritjen e transparencës, por nënvizoi se rruga drejt arritjes së standardeve më të larta është ende e gjatë dhe e vështirë. Ai theksoi se transparenca është një element thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe ftoi të gjitha palët të forcojnë llogaridhënien dhe të përfshijnë qytetarët dhe aktorët e shoqërisë civile në këtë proces.
Një kontribut të vyer në konferencë dha eksperti i Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD), Drago Kos, me prezantimin e tij mbi luftën kundër flukseve të paligjshme financiare.
Gjatë konferencës u diskutua gjendja e transparencës së autoriteteve publike shqiptare, problematikat ekzistuese dhe propozimet për përmirësimin e saj. Në panelet e posaçme u theksua rëndësia e rritjes së besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve për të arritur standardet më të larta të transparencës dhe llogaridhënies në vend./ATA