REAL POLITIK FLASH NR. 98
17 – 31 TETOR 2024
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
DR. JORGJI KOTE
1.Samit i dobësisë europiane u quajt ai i BE-së i zhvilluar në Bruksel më 16 – 18 Tetor. Krahas ndihmave për Ukrainën, ai iu kushtua zgjidhjes dhe lehtësimit të krizës së rëndë të emigracionit të paligjshëm. Mes debateve dhe mosmarrëveshjeve që ka ngjallur dhe modeli italo-shqiptar i Gjadrit. Mirëpo entusiazmi i fillimit mbi këtë projekt si rrugëzgjidhje e emigracionit të paligjshëm në vende jashtë BE-së ai hasi shumë kundërshtime, duke filluar nga liderët e vendeve më të mëdha, Francës, Gjermanisë, Spanjës, Polonisë, etj.
U tha qartë se Pakti Meloni – Rama nuk është zgjidhje e vërtetë dhe e përhershme për BE-në. Ai ndoshta mund ta lehtësojë deri diku krizën dhe efektet e saj, duke i transferuar përkohësisht jashtë BE-së, por do të krijojë probleme të tjera dhe më të mëdha. Sidomos sa i takon mbrojtjes të të drejtave dhe lirive themelore të azilkërkuesve dhe trajtimit të tyre, mes dyshimesh të shumta.
Për më tepër, Marrëveshja Meloni-Rama po kundërshtohet fort në Romë dhe në Tiranë nga opozita, shoqëria civile, pushteti gjyqësor, etj. Kësisoj, ai rrezikon të bëhet më shumë pjesë e krizës europiane të azilit se sa zgjidhje e saj. Shkurt, ky model nuk zgjidh gjë por më shumë ai tregon dobësitë e BE-së.
2. Leyen prapë në Ballkan! Me 23 – 25 Tetor, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ishte në turin e saj të parë në Ballkanin Perendimor mbas rizgjedhjes në postin e lartë. Dihen tashmë rezultatet e kësaj ”qoke” europiane. Në mungesë të përparimit të vërtetë të rajonit dhe të trysnisë gjeopolitike në rritje për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perendimor, kryesisht për shkak të kërcënimit rus, BE-ja dhe Von der Leyen po bëjnë çmos t’i mbajnë vendet e rajonit ”me të mirë”, me shpresa, premtime dhe forma të reja kalimtare deri sa te vijë dita e anëtarësimit në BE, por që askush nuk e thotë se kur.
Me Shqipërinë me ” llokumen ” e çeljes së negociatave të anëtarësimit për grup kapitujt e parë, ndërsa vendet e tjera me Planin Ekonomik të Rritjes dhe me axhendën e reformave pa mbarim me vështirësi në zbatimin e tyre. Po ashtu, me ” kulaç dhe kërbaç” për Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si kusht i panegociueshëm për më tej. Por, nga ana tjetër, von der Leyen e bëri të qartë me gjuhë të butë alla europiançe dhe pa asnjë afat konkret se anëtarësimi në BE do të jetë në varësi të dinamikave dhe përparimit të tyre të mëtejshëm. Pra, me reforma dhe përballimin e sfidave të tyre të brendshme. Këto dhe të tjera ” kusure demokratike” janë pasqyruar dhe në Progres Raportet të publikuaea më 30 Tetor.
3. Mur i ri Anti-Perendim! Më 21 – 23 Tetor në Kazan të Rusisë u mbajt Samiti i BRICS nën kryesinë e Presidentit Putin. BRICS siç e tregojnë inicialet e tij përfshinte fillimisht Brazilin, Rusinë, Indinë dhe Kinën; më vonë aty hynë Afrika e Jugut, Egjipti, Arabia Saudite, Irani dhe disa vende të tjera të mëdha të të ashtuquajturit ” Jugu global”. BRICKS është një alternative ndryshe nga G-7 dhe G 20. Aty janë dhe vende me demokraci liberale, si India, Brazili, Afrika e Jugut, aleate me SHBA-të dhe Perëndimin, por që tani kanë zgjedhur aleancat e përkohshme dhe interesat gjeopolitike mbi vlerat dhe parimet perendimore. Është folur e shkruar shumë për këtë Samit, dhe te ARGUMENTUM; ndaj, këtu po theksojmë se ai ishte demonstrim force dhe imazhi i Putinit ndaj Perëndimit. Duke treguar se nuk është i izoluar dhe i dobësuar nga lufta dhe nga bota, madje as nga gjithë Perëndimi, duke e sfiduar atë hapur! Prania e mbi 20 kryetarëve të shtetit dhe qeverive, duke filluar nga Presidenti kinez, Kryeministri indian dhe të tjerë liderë të vendeve të mëdha dhe pamjet e përcjella ishin show i efektshëm propagandistik për Rusinë dhe Putinin. Madje, në Kazan ishte dhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili shtrëngoi dhe duart me Putinin, edhe pse ndaj tij ka një urdhër arresti ndërkombëtar nga Gjykata e Hagës!
Duke ndezur debate dhe diskutime të shumta brenda Aleancës ndaj këtij veprimi të Guteres. Ai e justifikoi shtrëngimin e duarve me Putinin si ” domosdoshmëri operative”. Në fakt ai nuk e shmangte dot, mbasi ishte ftuar nga gjithë ato vende me peshë në OKB dhe Këshillin e tij të Sigurimit! Tanimë nuk ka dhe aq rëndësi se sa do t’ia arrijë synimeve të veta gjeopolitike BRICS. Kjo mbasi është e qartë: BRICS përbën sfidë madhore serioze për Perëndimin dhe vlerat e tij! Ai jep 1/3 e GDP-së botërore, me 45 për qind të popullsisë së saj dhe me fuqi joshëse. Ai synon një rend dhe botë multipolare, ku të mos sundojë më një superfuqi e vetme. Një sfidë e madhe perendimore krahas agresionit rus dhe krizës në Lindjen e Mesme. Një Mur i madh ndarës me Perëndimin dhe vlerat e tij, më i keq se ai i Berlinit në 35 Vjetorin e shembjes së tij.
4. Bashkë por të ndarë! Më 29 – 30 tetor u zhvillua në Tiranë Takimi i 18 i Komisionit të Stabilizim Asociimit të Parlamentit Europian me Delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë. Këto takime filluan më 1998 me Procesin e Stabilizim – Asocimit, të cilin e njoh mirë mbasi e kam ndjekur si diplomat në Bruksel atë vit dhe në vazhdim, në Berlin, Tiranë dhe sërish në Bruksel deri vitet e fundit. Ka kohë që roli i këtij forumi ka rënë ndjeshëm. Kjo nga ndryshimet e shpeshta në drejtimin dhe përbërjen e tij dhe se tani të mëdhenjtë tanë takohen në Tiranë dhe Bruksel me ata të BE-së në të gjitha formatet. Plus pesha e drejtuesve dhe anëtarëve të Komitetit në 10 vitet e fundit ka ndryshuar rrënjësisht; shumica e tyre fare pak e njohin Shqipërinë dhe tematikat e saj të nxehta. Ajo çka peshon tani për ne është fjala e Biden dhe Blinken, Von der Leyen, Scholz, Macron, Ruttes, Melonit, Erdoganit. Veç të tjerash, këtë takim e « vodhi » prania e Fredi Belerit në këto takime ; siç e kemi përshkruar dhe më parë, nga Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, shkoi në burg, dhe tanimë në Bruksel si Europarlamentar i zgjedhur nga Greqia. Ndonëse i përbashkët, takimi dështoi të dilte me një qëndrim të njëjtë, për shkak të kundërshtimeve të papajtueshme midis shumicës dhe opozitës parlamentare.
© 2024 Argumentum