Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim u takuan me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Komisioneri Celibashi i informoi ambasadoret mbi përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Gjithashtu, Komisioneri theksoi përpjekjet e KQZ-së për të garantuar një garë të ndershme, duke përfshirë monitorimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe transparencën për të dhënat financiare.
Dy ambasadoret theksuan se, ishte thelbësore për procesin zgjedhor që institucionet si KQZ-ja të lejoheshin ta kryenin punën e tyre pa ndërhyrje dhe se njerëzit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin lirisht për kë të votojnë.
Ambasadorja Hohmann e lidhi zhvillimin e zgjedhjeve me rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
“Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë është duke u zhvilluar dhe ka përfunduar shqyrtimi i grupimit të parë të kapitujve, ku zgjedhjet janë një komponent i rëndësishëm i bazave. Prandaj, do t’i kushtohet vëmendje e shtuar zhvillimit të zgjedhjeve lokale”, tha ambasadorja Hohmann.
Dy ambasadoret theksuan rëndësinë e integritetit të kandidatëve në zgjedhje dhe të pasurit e kushteve të barabarta për konkurrentët elektoralë. Ato theksuan se KQZ-ja duhet të ruajë besueshmërinë dhe respektin e arritur deri tani dhe të fokusohet në zbatimin e rekomandimeve të paplotësuara të ODIHR-it.
Komisioneri Celibashi falënderoi BE-në dhe SHBA-në për mbështetjen e tyre ndaj KQZ-së dhe procesit zgjedhor më gjerësisht. Celibashi vlerësoi në veçanti platformën digjitale të financuar nga BE-ja për raportimin e financimit të partive dhe fushatave, zbatuar përmes Këshillit të Evropës.