Shpendi Topollaj
Data 15 tetor është dita ndërkombëtare e “Shkopit të bardhë”, pra dita që u kushtohet të drejtave dhe lirive të të verbërve. Ajo është një ditë e cila duhet të sensibilizojë të gjithë hallkat e shoqërisë për t`u gjendur më pranë shqetësimeve dhe problemeve që ata kanë, për t`u plotësuar atyre të paktën gjithçka që është miratuar me ligjin Nr. 8098. Të verbërit janë njerëzit me një mangësi jo të vogël, por që kanë ditur të jetojnë me dinjitet dhe atë kurajën e madhe që dikush e ka formuluar kështu: “Do të kacafytem me fatin dhe s`do ta lë të më mposhtë”. Ata nuk janë mposhtur asnjëherë; pasi secili prej tyre ka jetuar një jetë duke u ndeshur me vështirësi të panumërta dhe ka triumfuar mbi to. Pra, një jetë që fare mirë mund të përbëjë materialin e duhur për të shkruar një roman. Mjeshtri i madh i penës, francezi Viktor Hygo i cili në librat e tij gjithmonë tregoi vëmendjen e duhur edhe për personazhet që kishin ndonjë cen fizik, dhe kam parasysh Guinplenin te “Njeriu që qesh” dhe kurrizon te “Shën Mëria e Parisit”, i ka përshkruar ata me shumë dashuri dhe humanizëm. Duke shkuar më tej, ai njëkohësisht ka thënë: “Na tërheq pikërisht gjëja që na mungon. Askush nuk e dëshiron dritën aq sa i verbëri”. Dhe çdo lexues e kupton se ata e kanë ndriçimin së brendshmi. Ai ndriçim buron nga shpirti i tyre i pastër.
Njerëzit me shikim të kufizuar, të dëmtuar ose të plotë, janë nga ai lloji i përsosur i njeriut pa vese, pasi nuk kanë asnjë synim egoist, as lakmi. Nuk ka sesi të përdorin mënyra të pandershme për karrierë, pasuri apo të shkelin normat morale të shoqërisë. Gjeniu i shurdhër, i pavdekshmi Ludwik van Bethoven, mirësinë e ka quajtur të vetmen shenjë epërsie të njeriut. Dhe nisur nga kjo mirësi që ata i karakterizon, pa frikë mund të themi se kanë epërsi mbi të gjithë ne të tjerët. Një librin tim të botuar tash së fundi, me titull “Përsiatje rreth pikturës”, mikut tim të verbër ja kam kushtuar me motivacionin: “Skënder Kokobobos, shokut tim të vjetër, plot ndjenja, kulturë e zemërmadh, të cilit trillet e fatit ja dobësuan shikimin deri sa të mos e ushtronte dot gjer në fund aftësinë e tij si piktor mjaft i talentuar”. Është për të ardhur keq kur vëren se ne, që duke i pasur të plota ato që natyra i ka dhuruar qysh në lindje njeriut, mërzisim njeri – tjetrin, bëjmë prapësira, provokojmë, grindemi, shpifim, nuk marrim gjithmonë në konsideratë mjetet për arritjen e qëllimeve, duke bërë hilera, zhvatje, imoralitete, apo duke u treguar të pabesë e dinakë. Asnjëherë nuk e kanë shpënë të verbërit, njerëzimin në luftë. Ata i duan njerëzit, i vlerësojnë ata, pasi duan dhe vlerësojnë vetë jetën, edhe pse ajo nuk u tregua bujare me ta. Nuk kanë bërë ndonjëherë krime të verbërit. Më lejoni t`u rrëfej një rast të turpshëm nga historia, kur ata me shikim të qartë, kanë verbuar mijra e mijra njerëz. Për këtë po shkëpus një pasazh nga historia e Bullgarisë: “Në vitin 1014 ndodhën ngjarje dramatike. Ushtritë bizantine mundën ta rrethojnë fortifikatën pranë fshatit të sotëm Kljuç, afër qytetit Petriç dhe zunë robër 14.000 ushtarë bullgarë. Që ta mbyste frymën e qëndresës bullgare perandori Vasili II urdhëroi të verboheshin, duke lënë me një sy vetëm një njeri në njëqind që t`u printe.
Për këtë akt tejet mizor ai u quajt “bullgarovrasësi”. Me t`i parë ushtarët e verbuar mbreti Samuill vdiq në çast nga një atak në zemër. Me vdekjen e tij agonia bullgare hyri në fazën finale”. Më sipër fola për shpirtin e madh të të verbërve, për urtësinë e thjeshtësinë e tyre. Më shumë ankohemi ne se ata dhe kjo është fisnikëri. Tani, mendoj se duhet ngritur zëri i çdo intelektuali a politikani edhe për lehtësirat që ata duhet të kenë. Shoqëria duhet t`ua shpërblejë këtë mirësi, në problemin me të cilin ndeshen. Dhe ato nuk janë kushedi çfarë; pension më dinjitoz, semaforë e rrugëkalimi të posaçme, udhëtime urbane dhe interurbane me pagesë të reduktuar, ndonjë punësim dhe respekt. Se më duket që paradoksalisht më shumë vëmendje po tregohet për homoseksualët sesa për ata, për nevojat jetike që ata kanë. Ata mbeten një pjesë e nderuar e jona, pasi qoftë edhe si metaforë, më duket se ka shumë të drejtë regjisori dhe aktori Vittorio Gassman kur shprehet se “Është gjë e mirë të jesh i verbër, pasi të verbërit nuk i shohin gjërat siç janë, por siç i imagjinojnë”. Dhe imagjinata e njerëzve të mirë është gjithmonë e bukur.