Me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një letër urimi homologes, Vjosa Osmani.
Në letër, presidenti Biden ka shprehur mbështetje e SHBA-së për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, si dhe për dialogun me Serbinë.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës, gjersa shënoni 15 vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj. Përgjatë viteve të fundit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të dy vendet tona”,-shkruhet në letër.
Po ashtu lideret e Francës dhe Gjermanisë kanë thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thelbësor në rrugën e Prishtinës dhe Beogradit drejt bllokut evropian.
Në letrat e ndara që presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe ai gjerman, Frank Walter-Steinmeier, i kanë dërguar homologes së tyre kosovare, Vjosa Osmani, për 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në letrën drejtuar Osmanit, Macron theksoi nevojën e rinisjes së bisedimeve në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Është thelbësore të rifillojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është element qendror për perspektivën evropiane të dy vendeve dhe për sigurimin e stabilitetit të rajonit dhe kontinentit evropian. Ne presim që të dy vendet të angazhohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkroi Macron.
Ndërkaq, Steinmeier tha se Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Kosovës, por shtoi se dialogu me Serbinë, mbetet “sfidë thelbësore” për Kosovën.
“Dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga BE-ja, mbetet një sfidë thelbësore për vendin tuaj referuar normalizimit të marrëdhënieve të të dyjave vendeve dhe promovimit të qëndrueshëm të sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Se sa i rëndësishëm është angazhimi i të dyja palëve në bisedime, këtë e kanë treguar rishtazi edhe tensionet e fundit. Gjithashtu, gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së”, tha ai.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011. Së fundmi, palët kanë pranuar propozimin evropian – që njihej fillimisht si propozimi franko-gjerman – për normalizim.