15 Marsi 2024, shënon 16 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.
Paraditen e 15 marsit 2008, në Gërdec 10 km larg Tiranës ndodhi shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve, një shpërthim që u ndje fuqishëm edhe në kryeqytet.
Fillimisht ngjarja u klasifikua si një incident teknologjik, por ende sot pas 16 vjetësh familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi.
Familjarët e viktimave kanë vazhduar një betejë të gjatë ligjore, ndërkohë që sipas tyre, përgjegjësit e tragjedisë kanë mbetur ende të pandëshkuar.
Ndërkohë që kanë kaluar vite, familjet e viktimave ende kërkojnë drejtësi. Asnjë zyrtar nuk është pas hekurave. Aktualisht gjyqi vijon me të pandehurin, ish-ministrin e Mbrojtjes së kohës, Fatmir Mediu, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe Shpërdorim detyre” bazuar në kodin ushtarak.
Aktualisht, dosja “Gërdeci” po shqyrtohet në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ku i pandehur është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Mediu e konsideroi një proces të manipuluar mediatikisht dhe politikisht hetimin dhe gjykimin për masakrën e Gërdecit.
Bilanci i shpërthimit në tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec ishte tragjik me 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe me mbi 100 shtëpi të rrafshuara.