Nga Stefani NOVA
Një batërdi e vërtetë. Kështu po ngjan sot e gjithë situata e krijuar menjëherë pas komunikimit të vendimit të Këshillit Evropian për moshapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por rikthmin e çështjes së zgjerimit përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor vitin e ardhshëm.
Dy vende të vegjël këta, që prej të paktën një dekade gati sa nuk po e “shpërthejnë” derën e Bashkimit Evropian, por nuk po futen që nuk po futen dot brenda tij. Herë të përulur dhe herë me kryeneçësinë shpesh zevzeke të ballkanasve, kanë kaq vite që duan t’i bindin evropianët se janë si ata. Dhe jo vetëm që nuk e kanë arritur dot, por shpesh kanë marrë edhe “shpulla” fytyrës, si kjo vetoja e sotme e Francës. Madje në unison: njëherë Shqipërisë dhe njëherë Maqedonisë së Veriut. Edhe pse kjo e fundit, ndoshta është përpjekur më shumë t’u shkojë për hise evropianëve, duke pranuar deri edhe ndërrimin e emrit të saj. Por ç’e do. As kjo nuk ia vlejti.
Ncuq! Franca mesa duket nuk deshi t’ia dijë as për këtë. Dhe as për përpjekjet e politikanëve të këtyre vendeve që ta shisnin mallin ballkanas shtrenjtë në Elize. Ja që e kishin gabim pra. “Sa frëngu pulën…” Duhet ta njohin mirë këtë shprehje, që sintetizon një popull i cili i shet shtrenjtë gjërat e veta dhe kësisoj nuk ka sesi të mbetet gojëhapur nga risitë që po i sjell aksi Shkup-Tiranë. Jo më kot kanë bërë pjesë gjithmonë në grupin e të përzgjedhurve emblematikë të historisë: Fuqitë e Mëdha! I keni harruar? Janë pikërisht ato që prej shekujsh kanë përcaktuar fatet e dhjetëra kombeve që në gjenezën e tyre. Pse jo, edhe gjatë “aborteve” historike, pa patur mundësinë të ravijëzohen kurrë si shtete, pikërisht nga vetot e këtyre fuqive, që realisht paskan qenë të mëdha.
E tillë u shfaq sot edhe ajo e treguar prej Francës para gjithë shpurës së vendeve të tjera evropiane. Duke qenë madje edhe më me revansh se ato që “e drodhën” vetëm duke thënë që Shqipëria të ndahej nga Maqedonia e Veriut sa i përket hapjes së negociatave. Në këtë këndvështrim, Franca mund të cilësohet si një fuqi edhe më e madhe se Spanja, Holanda, apo Danimarka; që të treja këto vende të cilat përpiqen herë pas here të paraqiten si “revolucionare” brenda kampit të Brukselit, duke harruar se si Madridi, si Amsterdami, edhe Kopenhageni nuk e kanë dot forcën e Parisit për të thënë të vetën majë foltores kur është fjala për fatin e kombeve. Qoftë kjo edhe një veto negative si ajo e sotmja për dy të vegjlit e Ballkanit.
Qoftë edhe përmes një lideri të ri, si në moshë edhe në përvojë politike, siç është zoti Makron, ende shumë shumë largqasjes dhe shëmbëlltyrës politike që ofruan ndër shekuj personalitete sharmantë të politikës franceze si Napoleon Bonapart apo Sharl De Gol. Në këtë këndvështrim, Franca mund të thuhet se sot përmes këtij zotërie rishtar në Champs Elysee rishfaqi edhe njëherë egon e saj tradicionale, që i buron ndër nyjet limfatike për të qenë jo vetëm një fuqi e madhe, por edhe për të treguar se ka ende në dorë fatet e kombeve, sidomos atyre të vegjël, që mbeten të tillë pavarërisht gjithçkaje. Pavarësisht miqësive të mëdha gjeostrategjike që zgjedhin si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që shpesh i përthyejnë sipas interesave në mënyrë të kithët me linjat e Lindjes.
Ja që as këto nuk të bëjnë dot të madh. Fuqi të madhe jo e jo. Dhe mbetesh gjithmonë i destinuar t’u bindesh vendimit të atyre që konsiderohen vërtet të tilla. Cilatdo qofshin dhe cilatdo linja përkrahshin. Të mos na vijë keq. Franca na e vërtetoi edhe njëherë më së miri këtë. Ajo mbetet e madhe dhe ne… ende të vegjël…
Ndërkohë, le të vazhdojë edicioni i lajmeve të kësaj mbrëmjeje “të zjarrtë” ballkanike me reagime dhe kundër-reagime, me justifikime dhe analizime…
Shikim të këndshëm!
Eksluzivisht për argumentum.al
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
© Argumentum