Në Bllokun e Ambasadave në Tiranë, në kujtim të 2 korrikut 1990 është vendosur një monument për të simbolizuar eksodin e rreth 5 mijë shqiptarëve, të cilët për 11 ditë qëndruan brenda ambasadave për një jetë të lirë, ku regjimi komunist mori goditjen më të fortë ndonjëherë. Kjo ngjarje e përkujtuar me emocion nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko por dhe nga ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf, shteti i të cilit priti më shumë shqiptarë në vendin e tij dhe sot janë banorë të respektuar në Gjermani.
Ambasadori Zingrfa e nisi fjalimin e tij në shqip, duke thënë se 2 korriku 1990 tregoi fillimin e fundit të një prej regjimeve më të egra në Europë dhe ata refugjatë ishin ura e parë lidhëse e bashkëpunimit mes dy vendeve. Zingraf bëri gjithashtu thirrje që autoritete dhe shoqëria civile të gjejë forcën dhe mbështetje për të diskutuar për krimet e komunizmit, pasi të përballesh me të shkuarën do të sjellë vendime më të drejta për të ardhmen.
“Ngjarja e korrikut 1990 tregoi fillimet e fundit të një nga regjimeve më të egra të historisë në Europë. Këto refugjatë janë bërë ura e parë lidhëse mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Sot 30 vite më pas Shqipëria është zhvilluar dhe tani po përgatitet për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Fokusi duhet të jetë tek forcimi i demokracisë, lirisë dhe zhvillimit ekonomik. Të përballësh me të shkuarën është e vështirë, por e shëndetshme pasi do të ndihmojë të merren masat e duhur për të ardhmen. Unë inkurajoj shqiptarët të nisin diskutimet për vitet pas 1991 dhe të gjejnë forcën të bashkëpunojnë institucionet dhe shoqëria civile për adresuar të gjitha ato rekomandime që janë dhënë”, tha Zingraf.
Ndërsa për ministrin e Diasporës, Pandeli Majko sot është dita për të kujtuar se 2 korriku 1990 se si shqiptarët hapen negociatat me Europën nga një derë e vogël në ambasadë dhe sot vendi synon anëtarësimin në BE.
“2 korriku 1990 ishte dramatike ku në zemër të Tiranës vërshuan për të kërkuar strehim rreth 5 mijë qytetarë. Sot numri i shqiptareve me pasaportë në vendet e BE-së po shkon 500 mijë vetë. Sot jemi për të përkujtuar një rrugëtim që filloi nga dera e vogël e ambasadës me shpresën për të përfunduar në familje europiane. Në 2 korrik 1990 ishte strehuesja më e madhe e shqiptarëve dhe sot ata banorë 11 ditorë të ambasadës 30 vite më parë janë shtetas të respektuar në Gjermani. Në aktin e 2 korrikut shqiptarët hapën negociatat me familjen europiane dhe si i tillë meriton të kujtohet me një vepër arti”, tha Majko.
Gjatë ceremonisë së organizuar për përkujtimin e eksodit të 2 korrikut 1990, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se shumë prej atyre që në ato momente të vështira rrezikuan jetën për liri, sot janë sipërmarrës të suksesshëm në vendet ku jetojnë. Ai nënvizoi se vetëm duke përkujtuar të shkuarën, shoqëria jonë mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë
“Ndoshta vuajtjet na bënë më të denjë për të kërkuar një aspiratë më të madhe, për të qenë dinjitozë e fisnikë, ku sot jemi shumë krenarë për të gjithë ata shqiptarë të suksesshëm që janë integruar, që janë bërë sipërmarrës dhe punëdhënës të valës së re të emigrantëve që vijnë nga rajoni ynë. Kjo vepër e Gim Radës dhe ky bashkëpunim mes ministrit të Diasporës dhe Ambasadorit gjerman do të jetë një kujtesë e përditshme e atyre kujtimeve, e episodeve, rrëfimeve dhe unë besoj se nëse do kemi një të ardhme si komb, do jetë duke kujtuar ato gjëra që kanë ndodhur për të ndërtuar një histori shumë herë më të mirë se ajo që kaloi”, theksoi Veliaj.