20 vite pas rikthimit të familjes mbretërore në Shqipëri në bulevardin “Zogu I” në Tiranë u përurua sot statuja e mbretëreshës Geraldinë.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zëvendësministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray, princi Leka Zogu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, qytetarë etj.
Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë së Tiranës, Veliaj tha se ndihet krenar që drejton këtë qytet, që sot i respekton të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në vendin tonë.
“Kemi pasur një vit shumë intensive: Fillimisht vendosëm statujën e Skënderbeut në sheshin dhe parkun kryesor të Budapestit, kurse sot përurojmë statujën e Nënës Mbretëreshë në bulevardin kryesor të Tiranës. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shprehur këtë lidhje midis dy shteteve. Midis Shqipërisë dhe Hungarisë ekziston një raport i veçantë. Edhe bashkitë respektive bëjnë punën e tyre: kemi një raport të shkëlqyer me bashkinë e Budapestit, por raporti mes njerëzve është më i miri. Raporti që kanë zhvilluar njerëzit, duke filluar nga Janosh Huniadi me Skënderbeun, dhe i mbretit tonë Zog me mbretëreshën Geraldinë, tregon se urat që lidhen mes njerëzve janë të pathyeshme”, theksoi Veliaj.
Zëvendësministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray, i cili mbërriti në Tiranë posaçërisht për këtë përurim foli për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Hungarisë ndër vite.
“Ne jemi shumë të nderuar dhe shumë të lumtur që jemi këtu sot. Ne hungarezët e çmojmë shumë këtë miqësi që ekziston prej një kohe të gjatë me popullin shqiptar. Historia jonë, përmes shekujsh, ka treguar që jemi së bashku dhe gjithmonë kemi pasur një frymë të mirë bashkëpunimi që prej Skënderbeut dhe Janosh Huniadit e deri më sot”, nënvizoi zëvendësministri hungarez, Peter Sztáray.
Princi Leka Zogu tha se kjo vepër arti do të stolisë një nga arteriet qendrore të kryeqytetit.
Duke falënderuar kryebashkiakun Veliaj dhe zv.ministrin hungarez Sztáray, princi Leka u shpreh se “falë punës dhe këmbënguljes suaj historia do t’ju mbajë mend si artizanë të vërtetë të paqes dhe të vëllazërisë mes kombeve tona. Falënderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e këshillit bashkiak të Tiranës, që kanë përzgjedhur këtë shesh në mes të bulevardit “Zogu I”, si vendin e ngritjes së shtatores së mbretëreshës Geraldinë, ata kanë përmbushur një amanet që vjen nga historia dhe kanë drejtuar gishtin nga aspirata e popullit shqiptar për pajtim kombëtar”.
Ceremonia e përurimit të statujës së mbretëreshës Geraldinë u organizua nga bashkia e Tiranës me Ambasadën hungareze. Statuja është realizuar nga skulptori Sandor Kligl dhe është një donacion i Ambasadës hungareze për qytetin e Tiranës.
Mbretëresha Gerladinë ishte konteshë hungareze, para se të bëhej princeshë në vitin 1937, kur u fejua me mbretin Zog dhe Mbretëreshë nga prilli 1938, kur ata u martuan. Geraldina ose siç e quanin ‘trëndafili i bardhë i Hungarisë’, mbretëroi më pak se një vit, në prill 1939, së bashku me Mbretin dhe djalin dyditësh, Leka, u larguan nga Shqipëria. Në qershor 2002 ajo u kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, pas shfuqizimit të ligjit që i kishte ndaluar me dekada hyrjen në vend. Nëna mbretëreshë Geraldinë ndërroi jetë pesë muaj më vonë, në moshën 87-vjeçare, në Tiranë, ku u varros me nderime të larta shtetërore.
Presidenti Meta: Do kërkoj krijimin e dekoratës ‘Mbretëresha Geraldinë’
Presidenti Ilir Meta bëri me dije sot se ka vendosur t’i kërkojë bashkëpunimin Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës për krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.
Në Facebook, Meta shkruan se kjo dekoratë do të jetë në vlerësim dhe nderim të përkushtimit të Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë dhe se do t’u jepet grave që promovojnë vendin tonë.
“Kjo dekoratë, në vlerësim, në respekt dhe në nderim të përkushtimit, angazhimit dhe dashurisë së Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë, vendin që ajo nuk e harroi kurrë, do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan Atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë europiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar. Kjo dekoratë e lartë do të vlerësojë njëkohësisht, për merita të jashtëzakonshme, për shërbime të shquara dhe sakrifica të mëdha, për përkushtim, angazhim dhe kontribute të vyera në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në familje e në shoqëri e institucione dhe fuqizimin e kontributit të saj thelbësor në procesin e europianizimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian”, shkruan Meta.
Fjala e plotë e Princit Leka Zogu
Shkëlqesia Juaj, Zoti Pèter Sztáray,
Shkëlqesia Juaj, Z. Lóránt Balla
Shkëlqesia Juaj, Znj. Fino
I nderuar dhe I dashur Erion,
I dashur Shpetim,
Të nderuar anëtarë të trupit diplomatik dhe përfaqësues të bashkësive fetare,
Të dashur miq,
Të nderuar motra dhe vëllezër,
Shkëlqesia juaj, Z. Sztáray, ju falenderoj përzemërsisht që jeni sot i pranishëm në këtë ngjarje të shënuar. Për ne do të thotë shumë. Ju lutem përcillni falenderimet tona qeverisë së Republikës mike të Hungarisë për financimin e kësaj vepre arti që do të stolisë sot e mbrapa një nga arteriet qëndrore të qytetit tonë.
(Your Excellency, Mr Sztáray, thank you from the heart for your presence today in this historical event. It means a lot to us. Please convey our heartfelt thanks to the government of the Republic of Hungary for the financing of this beautiful piece of art that will embellish from today on one of the principal avenues of our beloved capital.)
Nagyon szépen köszönjük!
Një falenderim të veçantë dua t’i drejtoj skulptorit, Z. Sandor Kligl, që ka riprodhuar mjeshtrisht tiparet e një nga grave më të bukura që kam parë në jetën time.
Zoti Ambasador dhe Zoti Kryetar i Bashkisë, falë punës dhe këmbënguljes tuaj, historia do t’ju mbajë mend si artizanë të vërtetë të paqes dhe vëllazërisë mes kombeve tona. Ky monument, sikurse busti i heroit tonë kombëtar në Városliget të Budapestit, ripërtërin dhe pavdekëson aleancën shekullore mes Shqipërisë dhe Hungarisë.
Zoti Ambasador Balla për ju çdo përkthim në anglisht është i pavend. Shqipja juaj e rrjedhshme më bën me turp mua nipin e Matit!
Kam dëshirë, gjithashtu, të falenderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e Këshillit bashkiak të Tiranës. Duke përzgjedhur këtë shesh të mrekullueshëm, në mes të bulevardit Zogu I, si vendin e ngrehjes së shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, ata kanë përmbushur një amanet që vjen nga historia dhe kanë drejtuar gishtin kah aspirata e popullit shqiptar për pajtim kombëtar. I përgëzojmë dhe i inkurajojmë nxehtësisht në këtë udhë. Ka ende shumë figura, familje, dhe komunitete që janë të lëna padrejtësisht jashtë perimetrit të nderimit në hapësirën publike.
Rastësi apo jo, është një koinçidencë që dy gratë më të famshme shqiptare të shekullit të shkuar – Nënë Tereza dhe Mbretëresha Geraldinë – kur u takuan në New York më 25 qershor 1981, ndanin me njëra-tjetrën një fat të përbashkët: të dyja ishin të djegura për të parë Shqipërinë; të dyja e kishin të ndaluar të shkelnin mbi dheun e këtij vendi.
Por harku i historisë u përkul përpara tyre. Të dyja eventualisht u lejuan të hynë në Shqipëri: Nënë Tereza për të vizituar varret e nënës dhe motrës së saj; Mbretëresha Geraldinë për t’u prehur në amshim në atdheun e saj të adoptuar në Mauzeloumin e rindërtuar të Familjes Mbretërore. Sot monumentet e tyre hijeshojnë dy anët e bulevardit më famshëm të Tiranës dhe frymëzojnë shqiptarët drejt humanizmit dhe atdhedashurisë.
Dua të mbyll fjalën time, duke cituar mikun tim dhe të Elias, shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare, që përpara 20 vitesh i shkruante kështu gjyshes time:
“Zonjë e lartë, vendimi juaj për t’u kthyer e për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve një lajm i gëzuar dhe jashtëzakonisht prekës. Ju po ktheheni në vendin që fati e solli të bëhet atdheu i juaj, ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime. Me këtë akt të lartë, ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”.
Faleminderit!