2018-ta do kujtohet në Shqipëri, kryesisht për figura të rëndësishme të politikës, që janë akuzuar dhe përfshirë në trafiqe apo dhe krim të organizuar. Ish-ministrat e Brendshem me reagime e kunder-reagime, skandalet ‘Babale’, etj…
Saga nisi me aksionin e shkurtit kur u sekuestrua sasia rekord prej 613 kilogramësh kokainë në një kontenier qe importonte banane nga Kolumbia.
Shqipëria ishte rrugë tranzite për drogën, që destinacion përfundimtar kishte tregun e BE-së, ku vlera e saj shkonte në 180 milionë euro.
Skandalet vijuan në muajin maj, kur Partia Demokratike publikoi një audiopërgjim, ku sipas saj provohej se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj kontrollonte rrugët e trafikut të drogës nga Vlora për në Itali.
Disa javë më vonë hetimet nxorrën në pah emrin e Alfred Alizotit. Sipas prokurorisë, ky i fundit ka bërë zërin e Agron Xhafajt në përgjimin e publikuar nga PD në këmbim të 200 mijë eurove të premtuara.
Më tej, në muajin qershor, 3.4 mln euro u sekuestruan në portin e Durrësit. Paratë ishin fshehur në dy automjete që po hynin në Shqipëri për llogari të një koncesionari shitjesh automjetesh të përdorura.
Kurse në shtator, Emiljano Nuhu, ish-oficer i Policisë Gjyqësore në stacionin policor të Fushë-Krujës dëshmon nga Zvicra se është kërcënuar nga kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla që të mbyllë hetimet për përdhunim ndaj Rexhep Rrajas, djali i deputetit socialist të zonës së Nikëlit, Rrahman Rraja. Rexhep Rraja u akuzua nga Xhisiela Maloku, e cila në versionin fillestar të dëshmisë së saj e akuzonte atë për dhunë. Por vajza e ndryshoi dëshminë kur çështja u bë publike.
Kurse në muajin tetor, operacioni i Policisë së Shtetit “Vol-vo 4” çoi në pranga 34 persona në të gjithë vendin dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim. Epiqendra e goditjes ishte familja Avdylaj në Shijak. Përgjimet dyvjeçare të policisë dhe prokurorisë kishin grumbulluar prova të mjaftueshme për të vërtetuar se grupi kriminal i Shijakut drejtonte trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së edhe në bashkëpunim me grupet e tjera si Ndokajt në Lezhë dhe Bajrajt në Shkodër.Mes të arrestuarve ishin edhe Arben Ndoka dhe Arben Çuko, dy ish-deputetë.
Për ta mbyllur me skandalin e Unazës së Madhe i cili shpërtheu kur u zbulua se kompania “DH Albania” figuronte e regjistruar si degë e “Dunwell Haberman”. Vetë kjo e fundit ishte e regjistruar në shtetin e Delauerit në SHBA, i njohur si parajsë fiskale. Si të mos mjaftonin këto, një letërkëmbim nxorri në pah se kjo kompani kishte falsifikuar dokumentacionin dhe firmën e vete ekretarit të Shtetit të Delauerit, duke u paraqitur në Shqipëri si kompani e themeluar në 1998 dhe me një forcë punëtore mbi 3500 vetë të specializuar në infrastrukturën rrugore dhe energjitike.
Në të vërtetë, kompania në fjalë ishte regjistuar në qershor të 2018, pra thuajse 3 muaj para hapjes së garës për tenderin e unazës, të cilin ajo e fitoi.