Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot dy projektligje të propozuara nga këshilli i ministrave në fushën e mbrojtjes, pr/ligjin “Për Miratimin e Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë” si dhe projektligjin “Për Miratimin e Planit Afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024-2033”.
Pr/ligjet u prezantuan nga zv/ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, i cili në fjalën e tij në komision u shpreh se, “nëpërmjet këtyre pr/ligjeve do të bëhet i mundur vlerësimi i rreziqeve dhe kërcënimeve, ri përcaktimi i nivelit të ambicies, zhvillimi i kapaciteteve dhe forcave, opsionet e përgjithshme ushtarake ndaj kërcënimeve të mundshme, forcimi i instrumenteve ushtarakë dhe i qëndrueshmërisë, si dhe harmonizimi me dinamikat, politikat dhe planet në kontekst të NATO-s dhe BE-së”.
Ai u shpreh se, vëmendje të veçantë në Strategjinë do të ketë zhvillimi dhe ngritja e kapaciteteve kritike të mbrojtjes.
“Ngritja e kapaciteteve të mbrojtjes kundër ajrore në bazë në tokë dhe kapaciteteve operacionale të sistemeve stacionare të lëvizshme për zbulimin dhe neutralizimin e objekteve fluturuese pa pilot, për mbrojtjen e popullsisë, infrastrukturës kritike dhe instalimeve ushtarake të vendit. Fuqizimi i kapaciteteve fluturuese pa pilot (dronëve), nëpërmjet rritjes së edukimit dhe trajnimit teknik dhe profesional të personelit të përzgjedhur dhe trajnuar për të qenë të gatshëm në çdo detyrë e mision. Implementimi i kapacitetit të grup batalionit të lehtë të këmbësorisë i cili vazhdon të përbëjë objektivin kyç si angazhim ndaj Aleancës”, tha Tola.
Ai shtoi se, “konsolidimi i flotiljes së helikopterëve “Black Hawk”, dy prej të cilëve u morën në dorëzim në janar 2024, konsiderohet thelbësore, jo vetëm për angazhimet e mundshme të NATO-s apo BE-së, por edhe një perspektivë kombëtare”.
“Seti strategjik i këtyre dokumenteve që ne ju propozojmë sot për miratim, do na shtyjë më tej për të investuar në infrastrukturën e sigurisë dhe mbrojtjes, për t’u vendosur në dispozicion të Aleancës dhe BE-së”, iu drejtua Tola deputetëve.
Tola u shpreh se, po bëhen përpjekje promovimin e korridorit të 8-të si korridor sigurie që lidh detin Adriatik me detin e Zi.
“Nën dritën e zhvillimeve dhe implementimit të planeve rajonale të NATO-s, po bëhen përpjekje për promovimin e korridorit të 8-të si korridor sigurie që lidh detin Adriatik me detin e Zi dhe në këtë drejtim para pak ditësh, gjatë punimeve të Samitit në Uashington, u nënshkrua një marrëveshje, një letër qëllimi me Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për të promovuar dhe për të zhvilluar së bashku projekte që lidhen me këtë aspekt”, nënvizoi ai.
Në fund të mbledhjes të dy pr/ligjet u miratuan nga deputetët.