Duke nisur nga sot, për tri ditë në Kosovë shënohet 26-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 5, 6 dhe 7 mars në vitin 1998 është zhvilluar njëra ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së kundër agresionit ushtarak të Serbisë.
Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovëse nisi me `Sërish vjen marsi` e `Mora fjalë`
Me himnin shtetëror të Kosovës dhe atë kombëtar të Shqipërisë ka nisur seanca në nderim të sakrificës së familjes Jashari, të rënë në Prekaz të Drenicës. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar një minutë heshtje për të nderuar heronjtë e rënë për lirinë e Kosovës.
Të pranishëm ishin Rifat Jashari dhe përfaqësuesë të tjerë të familjes heroike, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadorë e krerë të tjerë shtetëror.
Këngëtari dhe kantautori Ilir Shaqiri në seancën solemne interpretoi këngën kushtuar ditëve historike të këtij muaji, “Sërish vjen marsi”. Ndërkaq Shkurte Fejza ka interpretuar këngën “Mora fjalë”, e cila njihet si dedikim për komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Adem Jashari ka bashkëdyzuar lirinë e tij individuale me lirinë e popullit, duke u bërë emër i përveçëm në histori.
“Kosova është çliruar nga Serbia okupatore pikërisht nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit. Nga po kjo trashëgimi është ngritur dhe po ndërtohet e forcohet edhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura e rezistencës së armatosur dhe aktivizmit të kulluar politik, sidomos që nga Lidhja e Prizrenit e këtej, që i ka karakterizuar shqiptarët dhe veçanërisht Kosovën”, ka thënë ai.
Rrezistencën e familjes Jashari, Kurti e ka ndërlidhur si frymëzim nga kryengritësit që kundërshtuan pushtetin otoman në krye me Hasan Prishtinën, nga lëvizja e Azem Bejtës dhe Shaban Polluzhës dhe një vargë nismash të tjera historike për çlirim.
“Në këtë histori të çlirimit dhe shtetndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij ka një hise të madhe. Në të vërtetë kjo është hisja më e madhe që mund ta ketë një njeri në historinë e vendit dhe kombit të tij. Ajo është hisja e një njeriu që brenda kohës dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij, gjatë gjithë jetës, deri në rënien heroike. Liria ishte kushti i jetës, e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Nëse historia është përparimi i vetëdijes së popullit për liri, Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilën mund t’i referohemi lirisë sonë”, ka thënë Kurti.
Osmani: Vepra e familjes Jashari-testament për fuqinë e shpirtit njerëzor
Presidentja Vjosa Osmani, në seancën solemne dedikuar 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se vepra e familjes Jashari është testament për fuqinë e shpirtit njerëzor, teksa ka dhënë mesazhin e unitetit për çështje kombëtare të Republikës së Kosovës.
“Republikës do t’i shërbejmë me devotshmëri, ashtu siç i shërbyen të gjithë të rënët. Vepra e Adem Jasharit dhe gjithë familjes është testament për fuqinë e shpirtit njerëzor, një kujtesë se edhe në orët tona më të errëta ne gjejmë forcë si popull për t’u ngritur mbi rrethana të rënda dhe për të luftuar për atë që besojmë”, ka deklaruar Osmani përballë familjes Jashari.
Ajo ka thënë se Kosova meriton çdo ditë përkushtim të palëkundur, transmeton RTKlive.
“Përpjekja jonë e përbashkët në këtë proces nuk ka mbaruar. Tani më shumë se kurrë uniteti për çështjet e interesit kombëtar është i domosdoshëm sepse është mjeti i vetëm për ta forcuar shtetin tonë dhe për ta nderuar kujtimin e atyre që u sakrifikuan për Republikën tonë. Na takon neve ta shkruajmë kapitullin tonë të ri të historisë së shtetit tonë: atë të zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.
Presidentja tutje e ka quajtur familjen Jashari si gardian të përhershëm të lirisë, ndërkaq pragun e shtëpisë së tyre si simbol të vet Kosovës.
“Marsi është muaji i skalitur në analet e luftës së kombit tonë për liri, një muaj kur shpirti i paepur i Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Prandaj ‘Sërish vjen marsi’ nuk është më veç një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit të luftës tonë për liri e pavarësi, e cila padyshim identifikohet me kryepersonazhin e luftës sonë, komandantin legjendar Adem Jasharin, familjen e tij dhe të gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ajo, transmeton RTKlive.
Në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bërë homazhe edhe pranë obeliskut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kazermën “Adem Jashari”, e janë zhvilluar aktivitete tjera nga Ministria e Mbrojtjes.
Me këtë rast, krerët e shtetit nderuan sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për liri.
“Sa herë vjen 5,6 dhe 7 marsi kujtesa jonë rikthehet te ditët e krenarisë dhe lavdisë ku në Prekazin heroik u zhvillua beteja historike. Një armatë e tërë vrastare kundër një familje të vetme. Kulla e tyre ishte Kosova. Epopeja e Prekazit dhe flijimi i tyre ndryshoi zhvillimin e kursit për liri e pavarësi. Me mijëra vajza e djem iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë të lavdishme ua rikujtojmë se Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar me kushtetutë e institucione të bazuara në vlerat dhe standardet më të larta. Ne do ta mbrojmë lirinë dhe paqen me çdo kusht”, deklaroi shefja e shtetit, Vjosa Osmani.
Kurti: Ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë gjithmonë paqen
Kurse kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se si në çdo mars “ne jemi këtu në një nga vendet më të duhura për kujtimin dhe kuptimin e epopesë”.
“Ky vend mban emrin e duhur dhe njerëzit e duhur. Ne e njohim historinë tonë, ne e vlerësojmë historinë tonë, sepse ajo është e dendur në vepra. Ne jemi shumë sepse bartim në mendje emra të shquar. Secili është më shumë se vetvetja. E ajo që jemi më shumë se vetvetja na bënë të gjithëve bashkë. Tani epoka po flet ndryshe. Së pari sepse ne jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Ne jemi shtet i një shoqërie që synon zhvillimet perëndimore e demokratike. Së dyti, sepse epoka dhe vetëdija po ndryshojnë. Po kuptohet gjithandej se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë gjithmonë paqen. Paqja dhe padrejtësia nuk mund të bashkëjetojnë”, deklaroi Kurti.
Jashari: Në këtë ditë të shënuar është nder të flasësh para uniformës së ushtarëve tanë
Lulzim Jashari, djali i komandantit Adem Jashari, tha se në këtë ditë të shënuar është nder të flasësh para uniformës së ushtarëve tanë.
“Në këtë ditë të shënuar është nder të flasësh para uniformës së ushtarëve tanë. Para atyre që po të jetë nevoja do të jenë të parët që do ta japin jetën për mbrojtjen e atdheut. Duhet të jeni shumë krenar që mbani mbi supe traditën. Armët tuaja janë vazhdimësi e armëve më të pastra në Ballkan dhe më gjerë. Armët e paraardhësve nuk i ndotën kurrë me gjakun e civilëve. Arma e shqiptarëve shkrepi vetëm në emër të lirisë”, tha Jashari.
Ai shtoi se këto tradita duhet t’i ruajmë dhe t’ua trashëgojmë brezave. “Arma jonë kryesore ka qenë zemra dhe e drejta.
RTK-Argumentum.al