EKSKLUZIVISHT PËR ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Me ftesë të Kancelarit gjerman Olaf Scholz, më 3 Nëntor 2022 u zhvillua në Berlin Samiti i Balkanit Perendimor. Ai bëri rijetësimin e Procesit historik të Berlinit, pas një pauze 18 mujore, për shkak të zgjedhjeve të vjetshme parlamentare dhe krijimit të koalicionit qeveritar gjerman.
Ky Samit pasoi Takimin e Ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm më 20/21 Tetor, po në Berlin, ku u miratuan 3 marrëveshje jetike dhe të prekshme për qytetarët tanë, të cilat u nënshrtuan më 3 nëntor.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e pranishme në Samit, njoftoi akordimin e 1 miliard Euro për të 6 vendet e Ballkanit Perendimor, për kapërcimin e krizës energjitike; gjysma e shuimës do të disbursohet qysh në janarin e ardhshëm. Gjithashtu, Kancelari Scholz dhe të tjerë këmbëngulën për një zgjidhje të shpejtë përfundimtare të dialogut Prishtinë – Beograd, sipas modelit franko-gjerman; të shoqëruar me kërkesën ultimative ndaj Serbisë për përcaktimin e qartë të qëndrimeve të saj pro – BE-së dhe Aleancës Perendimore, kundër Rusisë, politikave të saj agresive dhe lufës në Ukrainë.
Natyrisht që kryetema në Berlin dhe më tej ishte përshpejtimi i negociatave të antarësimit në BE, nëpërmjet realizimit pa vonesa dhe mungesa të reformave të brendshme demokratike dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal. Falë këtij “katalogu“ të larmishëm gjithëpërfshirës, Procesi i Berlinit rinisi vrullshëm, me arritje konkrete, të prekshme dhe bindëse.
Nga ana tjetër, ky 3 Nëntor Berlinez e gjeti “sfidantin“ e tij të vetëshpallur, “Ballkanin e Hapur“ në ditët e veta më të këqia, çyryk dhe gjysmak, të paraprirë me lajme, ngjarje, komente dhe parashikime negative në të gjitha frontet, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe qëndrimeve refraktare serbe në kundërshtim me linjën e BE-së dhe SHBA-ve.
Në Shkup opozita është rebeluar dhe ka dalë haptas kundër, duke venë në dyshim qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut në këtë nismë. Abazoviç që e përkrahu privatisht “ka rënë nga fiku kryeministror“ dhe bashkë me të dhe prania e Malit të Zi në ” Ballkanin e Hapur”. Think Tank i shquar “Rockefeler“ dhe disa “ asa“ të opinionbërjes politike amerikane për rajonin tonë – Prof. Daniel Server, Eduard Joseph dhe Janus Bugajski i kanë bërë ”autopsinë” duke e shpallur “non -grata“.
As Samiti i Beogradit me 1 – 4 Shtator, megjithëse vera dhe konjaku ballkanik ” u derdh lumë” nuk solli ndonjë gjë të re. Asnjë fjalë për të gjatë Dialogut Strategjik me SHBA-të më 25 Tetor, siç kishte paralajmëruar Kryeministri Rama më parë, as gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në Tiranë më 27 Tetor. Të gjitha këto ”terslllëqe” politike ndodhën 3 vjet pas lançimit të bujshëm të “ Mini-Schengen në Novi Sad.
Ja pse, në prag, gjatë dhe pas Samitit të Berlinit, me përjashtim të zërit të mekur për Ballkan i Hapur nga Rama sot në Berlin, në Tiranë, Shkup dhe Beograd ”ka rënë heshtje varri”, “as gëk as mëk“; pa prononcime, pa atmosferë, pa ” cicërima” tëitterash, aq sa dhe 3 Vjetori i ” Ballkan i Hapur” u la në harresë.
Ky “memecllëk“ pas megalomanisë së mëparshme të dalë boje është i kuptueshëm, sepse 3 Nëntor i Procesit të Berlinit është dhe datë – skadenca e “Ballkan i Hapur”, edhe pse ai “lindi i mbyllur. Ai do të mbetet në librat e historisë politike rajonale si relike, referencë dhe model i përçudnuar i amatorizmit diplomatik. Mirëpo, nëse në art, në sport dhe në fusha të tjera ky amatorizëm nuk sjell ndonjë të keqe, në diplomaci dhe gjeopolitikë, me ligje dhe rregulla tejet të ngurta disa shekullore, amatorizmi është shumët i dëmshëm dhe i rrezikshëm, sepse të çon në aventurizëm politik/diplomatik. Doemos që Beogradit i intereson dhe i pëlqen ky dilentantizëm për realizimin më lehtë të synimeve të tij të njohura, në kuadrin e krijimit të ” botës së madhe serbe”; mirëpo, ç’kusur kemi ne të tjerët dhe sidomos Kosova!
Ky amatorizëm dhe aventurizëm diplomatik u shfaq qysh në krijimin e Mini-Schengenit në Tetor 2019, kur BE-ja i tha përkohësisht ”Jo ”çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kësisoj, Mini-Schengeni lindi si karshillëk ndaj Berlinit/Brukselit; protagonistët e tij e përforcuan këtë perceptim publik kur deklaruan ” Ballkani për Ballkanasit” dhe me “xhevahire” të tjera euroskeptike.
Veç kësaj, ky karshillëk absurd injoroi veprimtarinë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) CEFTA-s, etj; më e keqja, u injorua veprimtaria e Procesit të Berlinit. Fillimisht me justifikimin se “Ballkan i Hapur“ ishte pjesë, instrument dhe njësi e Berlinit; ndërsa më vonë u tha açik se “Ballkani i Hapur“ kompensonte dhe zëvendësonte, sipas tyre, Procesin e dështuar të Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal!!. Pa mohuar disa mangësi, dhe ato kryesisht për faj të aktorëve/faktorëve rajonalë, kjo nuk qëndron, ndaj dhe është refuzuar nga Berlini, Brukseli, Parisi, Roma dhe sponsorët e tjerë europianë.
Pas kësaj teze pa pikë besueshmërie me të drejtë lind pyetja: nëse dështon Berlini dhe Brukseli, ku veç 6 vendeve të rajonit janë dhe 10 vende antare të BE-së, si mund të besojmë se do t’ia dalë mbanë tripalëshi Beograd – Shkup – Tiranë? Kësaj i thonë ” më i rëndë bishti se sqepari”!
Mesa duket, ky karshillëk i ngutshëm nuk i dha kohën e duhur Vuçiç-it, Ramës dhe Zaev-it që të dilnin me një platformë të qartë, me parime dhe rregulla bazë dhe me një strukture tip sekretariati, për organizimin e brendshëm dhe funksionimin e kësaj nisme; për pasojë, “ Ballkani i Hapur” lindi “ pa kokë dhe pa këmbë“.
Gjithashtu, po për shkak të atij zelli dhe yryshi anti-europian, trinomi i lartpërmendur nuk bëri hapin e parë dhe më elementar diplomatik – konsultimin dhe konsensusin aq të nevojshëm nga partnerët tanë më të mëdhenj, BE-ja dhe SHBA-të. Këtë gjë u kujtuan ta bëjnë ” pas pilafit” por pa efekt.
Ashtu, sikurse duhej marrë pëlqimi i Merkel, si ideatore e ” Procesit të Berlinit“ ku, pavarësisht nga emri, pjesëmarrës janë dhe Italia, Franca, Austria, Polonia etj. Mirëpo, pa pëlqimin e tyre nuk ka se si të mendohet për sukses!
E keqja vazhdoi me faktin se veç Malit të Zi dhe Bosnie – Hercegovinës u la krejt pas dore Kosova, ndonëse me të kemi marrëveshje për mendim dhe veprim të përbashkët diplomatik. E “lamë në baltë” Prishtinën për hir të Beogradit, duke e ndihmuar këtë të fundit në demarshet e panumurta për defaktorizimin e Kosovës dhe imazhit të saj ndërkombëtar. Injoruam ndjeshmëritë, dyshimet dhe rezervat e saj madhore, duke i dhënë përparësi Beogradit. Aventurë e pajustifikueshme për politikën dhe diplomacinë tonë, e cila duhet ta ketë Kosovën përparësi absolute kudo, me çdo kusht dhe në çdo rrethanë në gjithë veprimtarinë diplomatike.
Ky amatorizëm duket dhe në faktin që Rama nuk ka dashur të dëgjojë dhe kuptojë “JO”-në diplomatike nga partnerët gjermanë dhe europianë, të shprehur në plot raste në Tiranë, Berlin, Bruksel dhe gjetkë. As mbështetjen e kufizuar dhe të kushtëzuar amerikane. Para disa kohësh ai sfidoi dhe vetë Escobarin në Beograd, kur e tha troç se “Ballkani i Hapur është shumë më tepër se ekonomi dhe tregti, është shumë më tepër dhe se politikë, është projekt i madh paqeje“! Ndonëse dhe “bufi e di“ se në rajon paqen dhe sigurinë e ka kërcënuar dhe po e kërcënon Serbia me mbështetjen ruse dhe askush tjetër!
Amatorizmi politik u shfaq dhe në injorimin e faktit se BE-ja ka akorduar 29 miliard Euro deri në vitin 2027 për zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Në këto kushte, BE-ja, Brukseli dhe Berlini nuk ka si “të zgjidhë qesen“ për ” Ballkan i Hapur“! Se kësaj i thonë “dhentë dhe dhitë e Zeres dhe nami i Hasan Qerres“!!
Amatorizmi dhe aventurizmi ynë diplomatik u shfaq sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe “ gurit të provës” dmth qëndrimit të vendeve antare/kandidate ndaj Rusisë. Ishte rasti më i mirë që dhe ne të kërkonim nga Beogradi një qëndrim të qartë ndaj Kosovës, si kusht i domosdoshëm për vazhdimin e mëtejshëm të “Ballkan i Hapur“. Mirëpo Rama vazhdoi të bënte të kundërtën, duke mirëkuptuar, mbrojtur dhe promovuar me zell qëndrimet refraktare serbe, si avokat i saj në të gjitha forumet Euro – Atlantike dhe kur denoncoi me të drejtë Raportin e Dick Martyt në Strasburg! Edhe kur Lavrov shprehu hapur mbështetjen për ”Ballkan i Hapur” kjo u konsiderua satirë politike! Kësaj i thonë ”I zoti e shet, tellalli se jep!“
Ka ardhur koha që gjithkush, e sidomos lidershipi ynë politik ta kuptojë se sot, përpara verës, konjakut, shalqinit, pra bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, prej të gjithëve, por sidomos prej Serbisë problematike kërkohet qartësimi i pozicionit të saj gjeopolitik, besueshmëria dhe garancitë politike, sidomos në qëndrimet ndaj Rusisë dhe shenja afrimi, zbutjeje dhe jo largimi dhe acarimi me Prishtinën. Nëse “Ballkani i Hapur“ është projekt paqeje, atëhere, Serbia përpara se ta ftojë Kosovën në atë nismë, le të njohë krimet dhe genocidin ndaj Kosovës, të kërkojë ndjesë publike dhe të shpallë njohjen e saj, qoftë dhe shkallë shkallë; por jo të shpallë mobilizim ushtarak emergjent, siç po bën tani për targat e kahhershme!
Amatorizmi dhe karshillëku ynë diplomatik është shfaqur dhe kur lobonim zgjerimin e “Ballkan i Hapur” me vende të tjera, antare dhe kandidate të BE-së, duke abuzuar me kortezinë e tyre të njohur diplomatike. Çfarë ironie me to kur ty nuk të bashkohen tri vendet e Ballkanit Perendimor dhe pjesa më e madhe e publikut, ekspertëve dhe medias as në Tiranë, Shkup dhe Beograd!
Po kështu, në mënyrë absurde, Rama e “ngriti shumë pjacën” kur njoftoi nga tribuna e lartë e OKB-së se Turqia dhe Greqia mund të bëhen pjesë e “Ballkan i Hapur”! Imagjinoni tani një “picirruk” gjeopolitik dhe diplomatik që kërkon të bashkojë në hyqmin e vet “ pesha të rënda gjeopolitike” si Turqia; ca më tepër kur kjo e fundit kryeson “Detin e Zi“! Në një kohë kur “Ballkanit të Hapur” nuk denjojnë me të drejtë t’i bashkohen Slovenia, Kroacia apo dhe Bullgaria!
Tani, të ftosh shtetet e lartpërmendur në “ Ballkan i Hapur” është njësoj sikur “Beneluks“ të ftonte Parisin, Berlinin dhe Romën të bëheshin pjesë e tij pas vitit 1945! Nuk kishte asgjë të keqe, por në diplomaci nuk ndodh kurrë kështu! Përkundrazi, ndonëse Benelux u krijua i pari, ishin Franca, Gjermania dhe Italia që ftuan Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun për të krijuar BE-në më 1957!
Për të gjitha sa thamë më lart, 3 Nëntori berlinez është mundësia më e mirë dhe koha e duhur për t’i dhënë fund një herë e mirë amatorizmit dhe aventurizmit diplomatik me” Ballkanin e Hapur”. Boll më!
Natyrisht është në të drejtën e tyre që Beogradi, Tirana dhe Shkupi të vazhdojnë “avazin e Mukes” me “Ballkanin e Hapur”; por ky paralelizëm dhe karshillëk i panevojshëm dhe i dëmshëm politik dhe diplomatik është pa kuptim, pa perspektivë dhe absurditet. Ja pse, qoftë dhe për t’i shpëtuar “ nderin,” ishte e udhës që në prag të Samitit në Berlin, liderët e tij të kishin hequr dorë “ me lezet“ dhe me nga një fjalë të mirë nga “Ballkan i Hapur“; fare thjesht, duke shpallur shkrirjen e tij të natyrshme te “Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal“. Por këtë mund ta bëjnë dhe tani, se nuk është vonë për gjëra të mira. Ca më tepër se Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të zhvillohet në Tiranë, në Mars 2023. Sepse, le ta përsërisim për ata që duan të dëgjojnë: Procesi i Berlinit “na del dhe na tepëron”!
© 2022 Argumentum