Presidenti i Republikës Sh.T.Z Bajram Begaj mori pjesë sot (20.10) në konferencën ndërkombëtare “Roli i Gjykatave Kushtetuese në Demokracitë e Reja”, organizuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi se Gjykata Kushtetuese është një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Që nga 1992, Gjykata Kushtetuese është konfirmuar si një institucion i balancuar dhe i vendosur në rrugëtimin drejt standardeve më të mira. Ndryshimet ligjore në këto 30 vite e kanë vënë Gjykatën Kushtetuese para sfidave të ndryshme, duke prekur aspekte të organizimit, kompetencave dhe funksionimit normal”, tha Presidenti.
Sipas tij, “reforma në drejtësi, e mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, ka sjellë zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese”.
“Rregullimet në mënyrën e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës, përfshirja e disa organeve kushtetuese, me kompetenca të detajuara, ka mundësuar një përzgjedhje në bazë të meritës profesionale dhe shkëputje nga ndikimi politik”, tha ai.
Sipas Presidentit, “zgjerimi i rrethit të subjekteve, që mund të iniciojnë një gjykim kushtetues, është gjithashtu një zhvillim pozitiv”.
“Lejimi i ankimit individual ndaj çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor, rrit kontrollin mbi kushtetutshmërinë e akteve dhe ofron mbrojtje më të madhe të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara në Kushtetutë”.
Begaj theksoi se “transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe për të siguruar një qasje të lehtë dhe cilësore të qytetarëve në drejtësi”.
“Pavarësimi dhe paanshmëria kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore, për të mundësuar funksionalitet, aftësi vetërregulluese dhe për të mos lejuar asnjë cenim, nga asnjë degë e pushtetit”, tha Presidenti.
30-VJETORI I KRIJIMIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE
20 tetor 2022
E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Shkëlqesi ambasadorë, pjesëmarrës dhe të ftuar,
Ndryshimet e viteve ’90 dhe kthesa e madhe drejt demokracisë, sollën nevojën për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, si një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
30 vjet nuk janë shumë në konsolidimin e një institucioni kyç për rendin demokratik të një vendi, por nuk janë edhe pak.
Një vend, që linte pas një të shkuar diktatoriale, me institucione të kontrolluara tërësisht nga partia-shtet, në këtë rrugëtim të ri nuk kishte si të mos përballej me sfida të shumta.
Konceptet themelore të funksionimit të institucioneve në demokraci, si ndarja e pushteteve, kontrolli dhe balanca, paanshmëria e drejtësisë, mund të duken të thjeshta në planin njerëzor intelektual, por zbatimi i tyre ishte dhe mbetet kompleks.
Ai përfshin jo vetëm reformim të kuadrit kushtetues dhe ligjor, të shumë institucioneve, por edhe mendësi të re, formim të ri profesional e intelektual të shumë aktorëve institucionalë e shoqërorë, brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë.
Që nga 1992, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar çështje të natyrave të ndryshme dhe është konfirmuar si një institucion i balancuar dhe i vendosur në rrugëtimin drejt standardeve më të mira.
Emra të shquar të jurisprudencës shqiptare kanë qenë pjesë e këtij institucioni dhe kanë hedhur themelet e drejtësisë kushtetuese në vendin tonë.
Sot është dita më e mirë për të shprehur vlerësimet më të larta për të gjithë anëtarët dhe drejtuesit e kësaj Gjykate ndër vite, që kanë punuar me përkushtim për të ndërtuar një Gjykatë me autoritet, e ngjashme me gjykatat homologe në Evropë.
Është dita e duhur për të mbështetur trupën e Gjykatës, në punën e tyre për të garantuar që pushteti ushtrohet gjithnjë brenda legjitimitetit kushtetues dhe që interesi publik është i mbrojtur në çdo rast.
Besoj se do të diskutoni gjerësisht sot, për çka ka ecur mirë dhe për vështirësitë, për sa është mbështetur dhe mundësuar pavarësia e kësaj Gjykate në veprimtarinë e saj.
Ndryshimet e herëpashershme ligjore, në këto 30 vite, e kanë vënë Gjykatën Kushtetuese para sfidave të ndryshme, duke prekur aspekte të organizimit, kompetencave e funksionimit normal.
Reforma në drejtësi, e mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, ka sjellë zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese.
Rregullimet në mënyrën e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës, përfshirja e disa organeve kushtetuese, me kompetenca të detajuara, ka mundësuar një përzgjedhje në bazë të meritës profesionale dhe shkëputje nga ndikimi politik.
Zgjerimi i rrethit të subjekteve, që mund të iniciojnë një gjykim kushtetues, është gjithashtu një zhvillim pozitiv.
Lejimi i ankimit individual ndaj çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor, rrit kontrollin mbi kushtetutshmërinë e akteve dhe ofron mbrojtje më të madhe të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara në Kushtetutë.
Transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe për të siguruar një qasje të lehtë dhe cilësore të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese.
Të nderuar pjesëmarrës,
Funksionimi i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës është një kusht i panegociueshëm për objektivin tonë të pandryshueshëm: anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Agjenda e Integrimit, veçanërisht pas hapjes së negociatave për anëtarësim, shton detyrat për të gjithë institucionet e vendit.
Raporti i Progresit, i publikuar ditë më parë, ka vlerësuar progresin në institucionet e reja të drejtësisë, por ka vënë në dukje edhe problematikat, që kanë cenuar eficensën e sistemit gjyqësor.
Raporti bën thirrje për përmirësim të ritmit të procedurave të vetingut, pa dëmtuar cilësinë e procesit, si dhe rritje të eficensës dhe transparencës në gjykata dhe prokurori.
Zhvillimi i jurisprudencës kushtetuese sipas praktikave më të mira ,bashkëpunimi me institucionet homologe në Evropë dhe Amerikë, janë me rëndësi për konsolidimin e autoritetit të Gjykatës dhe forcimin e pavarësisë së saj.
Pavarësimi dhe paanshmëria kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore, për të mundësuar funksionalitet të plotë, aftësi vetë-rregulluese dhe për të mos lejuar asnjë cënim, nga asnjë degë e pushtetit.
Të dashur anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Ajo që nuk duhet të harroni sa herë gjendeni përballë një vendimmarrje, të lehtë apo të vështirë, është që Gjykata Kushtetuese është Kurora e Demokracisë së një vendi dhe Rojtarja e Paqes Sociale!
Unë jam i bindur në profesionalizmin dhe vullnetin tuaj për të qenë mbrojtës të paanshëm të interesave më të mira të vendit, të individit, dhe garantë të rendit demokratik, juridik dhe kushtetues.
Faleminderit për ftesën dhe përgëzime për organizimin e kësaj konference ndërkombëtare.
Suksese në punën tuaj!
/Argumentum.al