Shqipëria do të ketë së shpejti ambasadën e saj në Kiev, në kryeqytetin e Ukrainës.
Kështu njoftoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në kohën kur po shënohet 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
“Shqipëria do të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj me maksimumin e aftësive të saj derisa të triumfojë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë. Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë një të ardhme në familjen Euro-Atlantike”, shkroi Xhaçka në një postim në Facebook.
Që prej 24 shkurtit të vitit 2022 kur nisi pushtimi rus i ukrainës, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës.
Në kuadër të kësaj mbështetje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë 1 vjeçare si dhe krijimin e një task-force për të menaxhuar aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare për shtetasit që vijnë nga Ukraina.
Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe, së voni, kanë ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.
Para fillimit të luftës dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave të Instituti të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina.
Sipas ambasadës ukrainase në Tiranë, që nga shkurti i vitit 2022, në Shqipëri janë strehuar afërsisht 3 mijë shtetas ukrainas.
Më 3 maj të vitit që shkoi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua me një fjalim online Kuvendit të Shqipërisë. Përveç falenderimit për mbështetjen, ai kërkoi që t’u ndalohej hyrja në Shqipëri, turistëve rusë.
Kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga qeveria shqiptare.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020.
Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë.
Në Ukrainë, në rajonin e Odesës jetojnë rreth 3500 shqiptarë.