Sot më 11 Maj, në përvjetorin e 33-të të daljes së numrit të parë të gazetës së pavarur, KOHA JONE, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dorëzoi në një ceremoni zyrtare Dekretin me Dekoratën e Lartë botuesit të KOHA JONE, Nikoll Lesi.
Në ceremoni ishin gazetarë dhe ish-gazetarë të gazetës KOHA JONE.
“Emri i Nikollë Lesit është pazgjidhshmërisht i lidhur me gazetën që ai themeloi, drejtoi dhe botoi, gazetën “Koha Jonë”. Për shqiptarët që e kanë lexuar e ndjekur, Gazeta “Koha Jonë” pati një ndikim të fortë në kapërcyellin e dy shekujve në Shqipëri. Ajo ishte një medie e lirë, një shkollë gazetarie, një akademi që rriti dhe frymëzoi disa breza. Nikollë Lesi, me vizionin e tij për medien e lirë e të pavarur dhe frymën opozitare vendosi në gazetarinë shqiptare standardin e guximit për të shkruar të vërtetën“, tha nder te tjera Presidenti Begaj ne fjalen e tij pershendetese ne ceromonine per dekorimin e botuesit të KOHA JONE, z. Nikoll Lesi.
Fjala përshendetëse e Presidentit Begaj
Të nderuar të pranishëm,
Jemi këtu sot për t’i dorëzuar titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarit, drejtuesit dhe botuesit të suksesshëm, Nikollë Lesi.
Ky titull i firmosur nga unë disa muaj më parë, nuk u tërhoq nga zoti Lesi.
Përmes një modestie të pashëmbullt, ai kërkoi që titullin ta tërhiqte në 33-vjetorin e gazetës “Koha Jonë”, pikërisht më 11 maj. Siç m’u shpreh,- ky titull shkon për kontributin, pasionin, profesionalizmin, sakrificat dhe idealizmin e gjithsecilit prej atyre që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi mediatik.
Kjo m’u duk shumë e bukur.
Emri i Nikollë Lesit është pazgjidhshmërisht i lidhur me gazetën që ai themeloi, drejtoi dhe botoi, gazetën “Koha Jonë”.
Për shqiptarët që e kanë lexuar e ndjekur, Gazeta “Koha Jonë” pati një ndikim të fortë në kapërcyellin e dy shekujve në Shqipëri.
Ajo ishte një medie e lirë, një shkollë gazetarie, një akademi që rriti dhe frymëzoi disa breza.
Nikollë Lesi, me vizionin e tij për medien e lirë e të pavarur dhe frymën opozitare vendosi në gazetarinë shqiptare standardin e guximit për të shkruar të vërtetën.
Liria e medies është liri e të menduarit dhe të shprehurit, është liri e fjalës është thelbi i demokracisë dhe unë mendoj se askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo.
Shoqëria jonë ka gjithmonë nevojë për zëra të cilët mbartin frymën e lirisë dhe pavarësisë në fushën mediatike.
Prandaj shembulli i medias “Koha Jonë” dhe botuesit të saj, përbëjnë një burim frymëzimi dhe shprese sidomos për brezin e ri të gazetarëve.
Ata sot përfundojnë formimin e tyre në degën e gazetarisë dhe komunikimit, formim që për shumë nga gazetarët e 30 viteve të fundit kaloi nga shkolla e medias “Koha Jonë”.
Sot ish gazetarët e “Koha Jonë” janë kudo në median shqiptare, madje e drejtojnë atë.
Ata kanë ruajtur e kanë marrë me vete nga ajo kohë idealizmin dhe pasionin, pasi në çdo kohë këto janë vlera që duhet të shoqërojnë profesionalizmin dhe paanësinë në thënien e së vërtetës.
Vetëm kështu ata kanë arritur të jenë faktorë, influencues të opinionit publik dhe të meritojnë të qenurit Pushteti i Katërt.
Gëzuar 33 vjetorin Koha Jonë!
Gëzuar Nikollë Lesi!’- përfundoi Presidenti i Republikës.
Pas fjalës së zotit Bajram Begaj e mori fjalën botuesi i KOHA JONE, Nikoll Lesi, i cili falenderoi Presidentin për vlerësimin dhe nderimin që i bëri personalisht, por Lesi theksoi se kjo Dekoratë është për të gjithë gazetarët që kanë punuar e shkruar në KOHA JONE që nga maji i vitit 1991 e deri me sot.
Gazeta KOHA JONE me 11 maj 1991 doli si gazetë e lirë.
/Argumentum.al