Kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përkujtimit të 35 vjetorit të ekzekutimit të poetit Havzi Nela.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se, “Havzi Nela ishte një gjeni i kurajës njerëzore. Në udhëtimin e një intelektuali mes konformizmit dhe qëndresës ai zgjodhi qëndresën dhe qëndroi i pamposhtur në çdo rrethanë”.
“Havzi Nela, është një simbol i ndritur, është një simbol nga më të arrirët në historinë e lirisë, të mendimit të lirë, dhe është një poet universal. Poetët, shkrimtarët kanë gjithmonë dimensionin e tyre universal. I gjithë dimensioni universal i Havzi Nelës ishte dinjiteti dhe liria e kombit, dinjiteti njerëzor. Ishte dhe Kosova. Në kohën e Havzi Nelës, Kosova ishte e ndaluar”, theksoi ai.
“Unë linda dhe u rrita në Tropojë, por librat e mi flisnin për Mongolinë dhe për Kosovën, asnjë fjalë. E ndaluar, nuk kishte fjalë. Fatmirësisht që familjarët nga mëngjesi në darkë flisnin vetëm për Kosovën, por Kosova ishte e ndaluar. Havzi Nela i kushton asaj mijëra vargje. Në këtë kontekst ai është një simbol i ndritur, një tribun lirie, por edhe një simbol i ndritur i mendimit intelektual, fuqisë së poezisë”, tha më tej Berisha.
“Elegjia e tij, ‘Ejani të vajtojmë Shqipërinë’ është një nga elegjitë më të bukura të letrave tona. E tillë është edhe ‘Saharaja’ e Vilson Blloshmit. Ajo që të bën përshtypje është se tek sinteza që i bëjnë, godasin me guxim dhe të dy e paguan me jetë, të gjitha aspektet e atij regjimi. Izolimin total, mungesën e lirive. Havzi Nela është gjeni guximi”, u shpreh Berisha.