Rreth 37% e totalit të ndërmarrjeve shqiptare kanë një hua për të paguar. Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare të ndërmarrjeve tregoi se për gjysmën e dytë të vitit 2019 ky tregues ka pësuar rënie me 5.2 përqindje krahasuar me një vit më parë. Huamarrja është përdorur më pak sidomos nga bizneset e vogla, ndërsa është rritur në segmentin e ndërmarrjeve të mesme. Në nivel sektorial, ngarkesa me borxh rezulton më e theksuar tek ndërmarrjet e sektorit të shërbimeve dhe ato të tregtisë.
Rreth 91% e bizneseve marrin hua në rrugë formale, te bankat apo institucionet e tjera financiare. Kombinimi i burimeve formale dhe atyre informale është përdorur nga 5% e ndërmarrjeve.
Huamarrja e ndërmarrjeve përdoret kryesisht për kryerjen e investimeve afatgjata (rreth 45% e totalit të ndërmarrjeve të përgjigjura) dhe për të përballuar shpenzimet korrente (30% e ndërmarrjeve të përgjigjura). Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, pesha e ndërmarrjeve që kanë marrë hua për kryerjen e një investimi paraqitet në rritje.
Huamarrja në valutë rezulton më e përdorur nga ndërmarrjet e mëdha. 54% e tyre i kanë huatë në valutë të huaj dhe kryesisht në euro. Të analizuara sipas madhësisë, raporti mes huasë dhe kapitalit ka rezultuar më i lartë te ndërmarrjet e mëdha, ku 23% e tyre shprehen se ky raport është i barabartë ose tejkalon vlerën e kapitalit, duke nënkuptuar një ngarkesë më të lartë me borxh të tyre