I mituri u rrah të premten nga disa oficerë të policisë në periferi të Tiranës , i cili siç tha policia, ishte duke lëvizur pas kohës së lejuar . Një filmim i qarkulluar në mediat sociale tregon skena brutale të dhunës ndaj të miturit nga disa oficerë policie të cilat e bënë që Policia e Shtetit të pezullojë oficerin e policisë G.N. të Komisariatit Nr.2 të Tiranës.
Presidenti Ilir Meta dënoi të shtunën dhunën e ushtruar ndaj një të mituri nga policia e Tiranës vetëm se ai kishte thyer kufizimet e lirisë së lëvizjes.
Përmes një postimi në Facebook, Presidenti e cilësoi dhunën “sjellje joprofesionale dhe shproporcionale”.
“Ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e policisë duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit,” – theksoi Meta teksa i bëri thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të ngarkojnë me përgjegjësi ligjore abuzuesit.
Presidenti përfitoi nga rasti t’i kujtojë policisë që gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të bëjë kujdes me zbatimin e ligjit dhe misionit të saj duke pasur parasysh liritë dhe të drejtat e njeriut.
Pasditen e së premtes policia dhunoi një 15-vjeçar, i cili po lëvizte me biçikletë dhe nuk iu bind urdhërave për t’u ndaluar.
Të paktën 4 policë, njëri prej të cilëve drejtues i lartë, e rrëzuan atë përtokë duke e prangosur dhe goditur disa herë.
Pas ngjarjes dhe reagimeve të shumta në rrjetet sociale, policia njoftoi të shtunën se kishte pezulluar një nga policët.
Ndersa Avokati i Popullit (AP) nisi të shtunën shqyrtimin e çështjes së dhunimit të një të mituri nga policia, ngjarje e cila ndodhi të premten.
Këtë gjë AP e njoftoi përmes një postimi në Facebook-un zyrtar të saj, në të cilin u bëri thirrje autoriteteve të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve, sidomos fëmijëve.
“Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dërguar kërkesa për informacion institucioneve përgjegjëse dhe gjithashtu ka vendosur kontakt me prindërit e të miturit të dhunuar. Veprimet e dhunshme të kryera nga punonjësit e rendit publik janë të patolerueshme dhe AP kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin veprimet urgjente karshi tyre,” – thuhet në deklaratën e AP-së.
“Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë papajtueshmërinë me ligjin. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve të tyre, sidomos të fëmijëve, qoftë nga rreziku i infektimit prej virusit, ose nga dhuna, e cila gjen strehë në këtë periudhë të kufizimit drastik të lëvizjeve,” – shton më tej AP.
Për ngjarjen në fjalë autoritetet pezulluan një nga policët dhe nisën hetime për 3 të tjerët, ndërsa Presidenti Ilir Meta, UNICEF dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënuan dhunën.
© Argumentum