Nga Dr. Jorgji KOTE
Le ta themi qysh në fillim se “DITA“ bëri mirë që botimin e librit të ri “ Antitabu – Këshilla për miqtë” e pasqyroi si ngjarje për politikën, publicistikën dhe diplomacinë tonë. Kjo jo vetëm se ky është i libri i 14 i Mjeshtrit të Madh Shaban Murati; por për vetë emrin, përvojën gati 50 vjeçare diplomatike, dy herë Ambasador, për 15 vite drejtor i Drejtorisë së Analizës dhe i Akademisë Diplomatike në MPJ dhe Këshilltar Special i Ish-Ministrit të Jashtëm. Këtë radhë autori vjen me një sintezë sa intriguese aq dhe interesante ngjarjesh. Ndryshe nga opinionistë dhe komentues të tjerë dhe si analist elitar, Shaban Murati nuk flet “ pas pilafit”; ai u paraprin me kohë dinamikave, dhe me rekomandime praktike për politikbërësit dhe vendimarrësit. Antitabutë në të 170 faqet e këtij libri shfaqen, preken dhe “thyhen” falë një bollëku esesh, aforizmash, thënieve të urta, referencave historike, kontrasteve me hapësirë dhe gjeografi inter-kontinentale, me theks të veçanë në 3 dekadat e fundit. Shqetësimi thelbësor që e përshkon librin është krijimi dhe funksionimi i një sistemi modern demokratik, jo si “ shtet fisi”, me politikë, media, qytetari të vërtetë, me diplomaci kurajoze, krijuese dhe vizionare.
Duke u ndalur në lëmin e politikës së jashtme, autori e thotë troç se një vend me keqqeverisje të brendshme, i mbështetur mbi parime farefisnore, nepotike, ku « bijtë e ish sekretarëve të parë bëhen ambasadorë e drejtorë » në një vend ku « kulti i individit zëvendëson kultin e shtetit »nuk mund të ketë politikë të jashtme produktive. Me po këtë shqetësim shtjellohen dhe deficitet e shumta në trajtimin e diplomatëve, larg frymës, standardeve ndërkombëtare dhe promovimit në karrierë. Kjo e vërtetë e dhimbshme tregohet bindshëm me një ndodhi në Gran Canaria, ku autori festonte 65 Vjetorin e lindjes; si dhuratë nga e bija e tij, Arba, Zonjë e nderuar dhe eksperte e proceseve zgjedhore në Bruksel e gjetkë. Ai u habit kur të nesërmen i sollën në dhomë një shampanjë, tortë me kartolinën e urimit; befasim i këndshëm kur i thanë se dhuratat ishin nga Drejtorja e Hotelit, e cila ia kishte parë ditëlindjen në pasaportë. I mrekulluar, autori pohon se këtë kënaqësi nuk e kishte patur në Tiranë, ndonëse kishte qenë Drejtor dhe Ambasador !
Më tej, duke përmendur thënien e njohur se « Ambasadori është një njeri që dërgohet jashtë për të gënjyer për interesat e vendit të vet » shprehet keqardhja se në Shqipëri, diplomatët dhe shefat e tyre gënjejnë vendin e vet. Po e aktualizoj këtë ide me justifikimet për dështimin në negociatat me BE-në. Ndonëse dhe » bufi » e di se këto negociata nuk çelen pa plotësuar 5 apo 15 kushtet e njohura, Kryeministri Rama pretendon se fajtore janë dinamikat e brendshme dhe zgjedhjet në disa vende europiane! Mirëpo, sipas kësaj logjike, i bie që negociatat të mos çelen asnjëherë, sepse zgjedhje dhe dinamika do të ketë përherë në në Francë, Holandë, Gjermani e gjetkë !
Për pasojë, diplomacia jonë nuk ka ende një mendim të formësuar dhe konsoliduar. Jo se nuk ka hapa, demarshe dhe ndonjë arritje, deri te kryesimi i OSBE-së; por sepse mendimi diplomatik është shumë më i gjerë, me afate të gjata kohore dhe jo me improvizime spontane, sipas oreksit dhe midesë politike të liderit të radhës në pushtet. Faktor tjetër negativ me ndikim është censura dhe ndalimi i shprehjes së lirë të mendimeve të diplomatëve të kualifikuar; vetë Shaban Murati tregon se si e ka pësuar tri herë mbi shpinë këtë dukuri negative në 20 vitet e fundit. Gjithsesi, fatkeqësia më e madhe është se të vërtetat që tregojnë këta analistë dalin sheshit shpejt, sepse « nuk mbulohet dielli me shoshë »! Deficitet tona diplomatike janë pasojë dhe e politikave të jashtme koniunkturore. Lidhur me këtë, autori kërkon kujdes « që të mos shajmë si ata që na duan dhe ata që nuk na duan; ndryshe « mund të na ndodhë që të mos na duan dhe ata që na duan » E keqja tjetër, siç pohon autori është se « vetëm te ne liderë dhe politikanë të ndryshëm kthehen brenda natës nga filo – në anti- grekë, serbë, rusë, kinezë, amerikanë, europianë, etj !
Ashtu si dhe te « Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës » autori përmend me theks të veçantë mungesat, mangësitë dhe vonesat e pajustifikueshme në procesin e shtetbërjes së saj. Ai është ndër të parët që krahas vlerësimeve, i ka përcjellë me kundërshtime, sugjerime e rekomandime të dobishme qëndrimet e ndryshme politike shqiptare. Nga viti 2005 – 2006 e në vazhdim, ai është shprehur kategorikisht kundër tezës për zhvillimin normal të marrëdhënieve me Serbinë, pavarësisht qëndrimeve të saj ndaj Kosovës. Dhe pse në pamje të parë duket si qëndrim i moderuar dhe europianist, ajo tezë nuk shkonte fare përballë realiteteve dhe specifikave të hidhura serbe ; natyrisht ajo ka ditur t’i shfrytëzojë në interesin e saj këto teza të syleshëve tanë politikë. Në fakt, ajo tezë duhej formuluar dhe zbatuar nën një këndvështrim tjetër afirmues dhe kushtëzues – siç ndodh zakonisht në diplomaci : « ok, t’i zhvillojmë marrëdhëniet me Serbinë, por paralelisht dhe në vartësi të qëndrimeve të saj ndaj Kosovës »
Për fat të keq ky lloj qëndrimi është forcuar më tej dhe pas vitit 2013. Ja shihni, më 9 Nëntor, dhe pse Thaçi me shokë dilnin përpara Gjykatës Speciale në Hagë, Rama dhe Vuçiç nuk e anulluan Takimin gjysmak të Mini-Shengenit, ndonëse të nesërmen ishte Samiti i Sofjes BE – Ballkani Perendimor! Tirana zyrtare nuk e pati për gjë të padiste Ish-Kryeministrin Haradinaj për shpifje, mirëpo ajo u tregua pothuajse « memece » kur Vuçiç e konsideroi masakrën në Reçak « thriller perendimor » apo dhe javën e kaluar, kur e krahasoi Kosovën me Nagorni Karabakun !
Në vijim, analizohen shkaqet e pasojat dhe dënohen ashpër « tezat e kufirit » të shpallura dy vite më parë. Autori thekson me shqetësim se ato ishin gafa trashanike që mund të çonin deri në një Konferencë të re të Londrës, duke vënë në diskutim gjithë demarshet dhe arrritjet e deritanishme historike dhe vetë Luftën Çlirimtare të Kosovës.
Më tej, jepen argumenta bindëse se Kosovës të këqiat nuk i kanë ardhur nga ekonomia, nga mungesa e rrugëve dhe autostradave, por nga politika shtypëse e Serbisë, krimet dhe genocidi, mosnjohja dhe fushatat për çnjohjen e saj ! Për pasojë, megjithë rëndësinë e tyre, ekonomia, tregtia, rrugët madje dhe lëvizja e lirë nuk kanë shans për sukses të qëndrueshëm, pa zgjidhur nyjen gordiane politike – njohjen e Kosovës nga Serbia dhe nga pesë shtete të BE-së, nga Spanja e Borrell dhe e Slovakia e Lajçak. Shihni, Maqedonia e Veriut ka patur e ka marrëdhënie diplomatike, tregti dhe investime të mëdha me Greqinë dhe Bullgarinë. Megjithatë, e para e bllokoi për 25 vjet për antarësim në NATO dhe në BE, ndërsa e dyta e bllokoi tani për çeljen e negociatave! Ndaj, autori « bërtet » me të madhe, se çdo gjë, çdo nismë e proces fillon nga NJOHJA e pavarësisë së Kosovës ! Ndryshe, gjithçka mbetet në kuadrin e llomotitjeve boshe !
Natyrisht në të gjithë këtë « mesele » sipas autorit ka përgjegjësinë e vet të madhe dhe BE-ja, sidomos ish Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini. Me mendimin naiv që « të mos u ikë nga duart Serbia e të bjerë në prehrin e Rusisë/Kinës ». Ndryshe nga qëndrimet e saj me Kosovën, BE është treguar sa kurnace në kritika, aq dhe bujare në lumenj me lëvdata ndaj Serbisë » Dhe Beogradi ka ditur të shfrytëzojë me mjeshtëri këto « dhurata » nga Brukseli, por çuditërisht dhe nga Prishtina e Tirana zyrtare; ai ia ka dalë mbanë që të kalojë nga « loja me karrike muzikore » te katërkëndëshi strategjik – « ta ketë grurë » me BE, SHBA-të, Rusinë dhe Kinën, ama pa lëvizur asnjë centim nga« embargoja » politike dhe diplomatike ndaj Kosovës.
Me po këtë ashpërsi në libër shigjetohet i ashtuquajturi « Mini-Shengen » Të kuptohemi, Shaban Murati, por dhe kundërshtarët e tjerë ku bën pjesë dhe autori i këtyre radhëve mbështesim të katër liritë e mëdha europiane në rajon, të mishëruara te CEFTA, zona e tregtisë së lirë në Balkanin Perendimor, e mbështetur nga Procesi i Berlinit, BE-ja dhe SHBA-ja. Ajo çka kundërshtohet është protagonizmi dhe keqamballazhimi i tyre me « Shengenin serb » Madje, në kohën e gabuar, kur BE-ja ende nuk po jepte PO-në për negociatat, kur Kosova lëngonte nën peshën e krizave të brendshme dhe agresivitetit serb lidhur me ç’njohjet e saj ; pa harruar dhe pse jo vitin 1946, kur ish – Jugosllavia bëri demarshe të njëjta. Atëhere përse ky ngut, kur Kosova dhe dy vende të tjera hezitonin dhe kundërshtonin? Kur nuk kishte asnjë analizë dhe studim mbi kostot/ përfitimet, edhe pse Serbia dilte fituesja më e madhe ekonomike por dhe politike, plus imazhit të saj të kuruar për bukuri dhe me stil, falë ndihmesës së « levantinëve » tanë politikë, ama në dëm të Kosovës ? Se sa të drejtë ka autori i librit këtë e tregoi më 10 Nëntor Samiti i Sofjes BE – Ballkani Perendimor ; ai e mbylli kapitullin e » Mini-Shengenit që ishte kthyer në « mollë sherri » duke e zëvendësuar atë me « Tregu i Përbashkët Ballkanik dhe « Zona Rajonale Ekonomike. »
Mungesa e vizionit dhe mendimit të duhur diplomatik vitet e fundit është shfaqur dhe te asimetria, mosreciprociteti dhe përparësitë e duhura në marrëdhëniet me Greqinë fqinje. Krahas anëve pozitive, në libër ka konstatime dhe kritika të drejta nga këndvështrimi i realpolitikës për diplomacinë tonë folklorike, pa frymë e taban ; sidomos lidhur me çështjen e detit, ku Shaban Murati është shquar me qëndrimet, shkrimet dhe një libër të veçantë. Ai denoncon mungesën e transparencës publike, të argumenteve bindëse e sidomos strategjinë e mëparshme dështake të diplomacisë sonë, kur u futën « të gjitha vezët në një shportë » Për pasojë, u përzien keqazi çështjet kapitale që ulërasin për zgjidhje, duke vepruar me « aksion me goditje të përqëndruara » Edhe dërgimi i dosjes së Detit në Hagë në fakt është dështim i diplomacisë dhe vetëm një shtyrje me disa të panjohura në axhendë, por jo më shumë. Duke shtjelluar parimin e shenjtë të reciprocitetit, në libër tregohet se Greqia nuk i përmend dhe as i vlerëson si shqiptarë kapedanët tanë dhe trimat e tjerë që kontribuan në Revolucionin grek të vitit1821, ndërkohë që kërkon gjithandej varreza për të « rënët « e saj në Shqipëri. Autori përmend dhe faktin tjetër se kryediplomati grek nuk iu bashkua me 13 Qershor 2019 Letrës së 13 homologëve që kërkonin çeljen e negociatave dhe në Tetor abstenoi.
Vëzhgime e vërejtje të drejta bëhen dhe për « tabu » të tjera, sidomos trajtimin e pakicave. Autori e thotë « shqip » se « shpikja e minoriteteve duke vendosur rekord ballkanik nuk forcon integritetin territorial, as pozitën rajonale dhe integrimin europian; kështu vetëm kthehemi në subjekt ndërkombëtar të vetvrasjes kombëtare, shtetërore dhe diplomatike » Këtu është domethënës shembulli i Presidentit turk Erdogan, i cili gjatë vizitës më të fundit në Greqi më 8 Dhjetor 2017 shkoi në vendbanimin e tyre dhe drekoi me përfaqësues të 150.000 shtetasve me origjinë turke, duke kërkuar dhe njohjen e tyre si pakicë kombëtare ; ndërkohë që liderët dhe kryediplomatët tanë në 25 vitet e fundit nuk kanë shkuar të takojnë « qoftë dhe për një kafe » arvanitasit e pse jo, të kërkojnë njohjen e tyre si minoritet!! Ja pse, këto e shumë fakte e dukuri të tjera të përshkruara me stil tërheqës, të thjeshtë e plot ngjyrime, i bëjnë antitabutë e librit të ri të Shaban Muratit shumë më tepër se Këshilla për miqtë.»