Autoritetet më të larta shtetërore kryen sot homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri” në përkujtim të të rënëve për lirinë e atdheut.
Sot është 5 Maji që njihet si Dita e Dëshmorëve.
Të pranishëm në homazhe ishin Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, autoritetet vendore, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, veteranë dhe qytetarë.
Autoritetet shtetërore vendosën kurora me lule dhe u përulën para memorialit në nderim të atyre që dhanë jetën për lirinë dhe prosperitetin e vendit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kreu sot homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri” për të nderuar dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Veliaj u përul në respekt të të rënëve pranë memorialit “Nënë Shqipëri”.
Ndërkaq, kryebashkiaku i Tiranës përcolli në rrjetet sociale pamje nga Tirana e zbukuruar me flamujt kuqezi në nder të 5 majit. “Sot, më 5 Maj, nderojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit tonë. Lavdi dëshmorëve!”, shkroi Veliaj.
Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë jo vetëm rehabilitimit të Varrezave të Dëshmorëve, por dhe përkujtimit të datave dhe ngjarjeve historike për vendin tonë.
Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nderoi sot kujtimin dhe veprën e dëshmorëve të atdheut. Në emër të kreut të shtetit u vendos edhe një kurorë me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.
Begaj pati dhe një mesazh në këtë ditë shënuar për Dëshmorët e Atdheut.
“Ata sigurisht që e deshën jetën e tyre, por më shumë deshën atdheun, ndaj dhe u martirizuan për atë që ne gëzojmë sot, lirinë. Kurajoja, patriotizmi, shpirti i tyre i sakrificës deri në dhënien e jetës, kanë e do të kenë përjetësisht nderimin tonë
Lavdi dëshmorëve të Atdheut!”, është mesazhi i Begajt.
Dita e Dëshmorëve të Kombit njihet si dita e nderimit të atyre që kanë dhënë jetën për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 Maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
/Argumentum.al