Krerët më të lartë të shtetit shqiptar bënë sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” me rastin e e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.
Të pranishëm në homazhe, ishin Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtues të tjerë të shtetit.
Ata vunë kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri” në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit.
5 maji është Dita e Dëshmorëve të Atdheut që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Rama: Përulësisht me respekt për ata që e deshën atdheun me jetë
Kryeministri Edi Rama e nis ditën me një urim për 5 Majin, ditën e “Dëshmorëve të Atdheut” duke publikuar foton e monumentit “Nëna Shqipëri”.
Krah fotos ai ka shkruar se i përkujton përulësisht me respekt ata që e deshën atdheun me jetë.“Mirëmëngjesi. Përulësisht me respekt për ata që e deshën atdheun me jetë. Të paharrueshmit, Dëshmorët tanë.”, shkruan Rama.
Presidenti Meta
Me rastin e 5 Majit, “Ditës së Dëshmorëve”, Presidenti i Republikës, bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule te Monumenti “Nëna Shqipëri”, duke u përkulur me respekt në kujtim të Dëshmorëve të Atdheut, si dhe nderoi herozimin e sakrificat sublime të të gjithë atyre, të cilët dhanë jetën për liri.
Në këtë ditë të shënuar përkujtimi dhe nderimi ndaj Dëshmorëve të Atdheut, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Është një ditë shumë e rëndësishme, Dita e Dëshmorëve, Dita e Heronjve, e bijve dhe bijave më të mirë të Shqipërisë, që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut.
Është një ditë, jo vetëm për të nderuar sakrificat e tyre më sublime, por njëkohësisht, edhe një ditë reflektimi dhe angazhimi, për të pasur gjithmonë të shenjta, sovranitetin, lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.
Jo vetëm kaq, por dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, e sidomos për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë.
Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka nderuar sot nëpërmjet një mesazhi sakrificën sublime të Dëshmorëve.
“Nderimi për Dëshmorët është tregues i vlerave, fisnikërisë dhe mirënjohjes së një kombi. Sakrifica e tyre sublime ishte çmimi i Shqipërisë së lirë. Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria u rreshtua në anën e duhur të historisë.Vlerat e antifashizmit dhe të lirisë qëndrojnë në themelet e Shqipërisë demokratike, të Shqipërise evropiane. Nderim e lavdi Dëshmorëve të Atdheut!”, shkruan në mesazhin e saj kryetarja e Kuvendit, Nikolla.
/Argumentum.al