Si sot 5 vjet më parë, më 15 Korrik 2016, Turqia u përball me një përpjekje për grusht shteti, ngjarje e cila perkujtohet çdo vit jo vetem në Turqi por në të gjitha vendet ku Turqia ka influence dhe jo vetem.
Kështu ky 5 vjetor është përkujtuar me solemnitet jo vetem në Turqi, por dhe në rajonin tonë.
Në shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, përfaqësusit e diplomacisë turke në bashkëpunim me institucionet vendase kanë organziaur aktivitete të ndryshme në nder të 15 Korrikut.
Mesazhi nga Turqia është i njëjte për të tre këto vende,”gëzojmë marrëdhënie të mira por Turqia pret Luftë të përbashket ndaj FETO-s”!
Turqi/ Erdogan: Ngjarjet e 15 korrikut, triumfi i drejtësisë mbi paligjshmërinë
“15 Korriku është fitorja e popullit, e vullnetit kombëtar, e atyre që janë të lidhur përzemërsisht me demokracinë. 15 Korriku është emri i triumfit të të drejtës mbi të padrejtën, i drejtësisë mbi tiraninë, i pavarësisë mbi nënçmimin. Me rezistencën e tij më 15 Korrik, kombi ynë zmbrapsi një tentativë për grushti shteti, por parandaloi edhe një përpjekje pushtimi që synonte ‘kapjen’ e vendit tonë. I ri dhe i moshuar, ky popull edhe një herë i tregoi të gjithë botës se Turqia është e pakalueshme”,- tha udhëheqësi turk.
“Ndërsa kombi turk po mbronte pavarësinë e tij në rrugë, deputetët e popullit mbrojtën me vendosmëri demokracinë dhe vullnetin kombëtar nën këtë çati sublime (Parlament)”,- vijoi Erdogan.
“Pavarësisht bombave që hidheshin mbi kokat e tyre, deputetët tanë duke vepruar në përshtatje me lavdinë e kuvendit tonë veteran nuk lejuan që amaneti i popullit të bjerë në tokë. Unë do të doja të përfitoj nga ky rast për të shprehur mirënjohjen në emrin tim, kombit dhe vendit tim për të gjithë ata që erdhën atë natë në Parlament dhe përmbushën përgjegjësinë e të qenurit përfaqësues i popullit, duke kapërcyer pengesat, duke ecur përreth tankeve, duke kaluar pranë tytave”, nënvizoi kreu i shtetit turk.
“Historia do ta shkruajë me shkronja të arta këtë solidaritet që u shfaq nën çatinë e parlamentit tonë veteran, ashtu siç ka bërë me heroizmat e tjerë që ndodhën natën e 15 Korrikut. Ashtu siç anëtarët e Kuvendit tonë të Madh Popullor, të cilët drejtuan dhe administruan Luftën tonë të Pavarësisë, përkujtohen ende me dashuri pavarësisht se ka kaluar një shekull, edhe udhëheqësit e përpjekjes për të ardhmen e Turqisë së re do të përkujtohen gjithmonë me falënderime dhe mirënjohje”,- përfundoi Erdogan.
Shqipëri
“Lufta jonë kundër FETO-s vazhdon me të njëjtën vendosmëri pothuajse në çdo skaj të botës”, deklaroi ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük
Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, është shënuar 5-vjetori i tentativës për grusht shteti në Turqi, që shënon edhe Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Turqi,
Në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë ku pjesë e parkut është “Parku i Demokracisë 15 Korriku” u organizua një ceremoni përkujtimore, ku ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke, qytetarë turq dhe shqiptarë.
Ambasadori Yörük, në deklaratën për mediat në ceremoni, duke theksuar se janë mbledhur për të përkujtuar dëshmorët e 15 korrikut që humbën jetën në këtë tentativë të dështuar dhe njëkohësisht për të përkujtuar heroizmin e mijërave të lënduarve gjatë kësaj tentative për grusht shteti më datë 15 korrik 2016, tha se natën e 15 korrikut, populli turk duke qenë si një trup i vetëm e mbrojti atdheun fort, “njëkohësisht duke deklaruar se Turqia është e pakalueshme, është e pathyeshme”.
“Terroristët nën kontrollin e organizatës terroriste FETO e cila që prej viteve 1970 kishte depërtuar në të gjitha institucionet e shtetit tonë, pikërisht pesë vjet më parë duke synuar shkatërrimin e rendit demokratik dhe kushtetues të vendit tonë, realizuan aktin më të përgjakshëm terrorist në historinë e Turqisë. Për fat të mirë, kjo tentativë tradhtare për grusht shteti dështoi përballë qëndrimit të vendosur nën udhëheqjen e presidentit tonë, të qeverisë dhe parlamentit tonë dhe përballë përpjekjeve të milionave qytetarëve tanë të cilët u derdhën rrugëve të gjendur të gatshëm për të sakrifikuar madje edhe jetën e tyre gjithmonë në mbrojtje të demokracisë, të rendit kushtetues, të shtetit ligjor dhe integritetit tonë kombëtar”, tha Yörük.
Ai theksoi se turqit dhe shqiptarët kanë qenë gjithmonë së bashku krah për krah përballë çdo fatkeqësie, njësoj si në luftën e Çanakkalasë dhe shtoi se zgjatimet, qarqet e FETO-s edhe në Shqipëri tentojnë vazhdimisht për të mbuluar të gjitha të vërtetat dhe njëkohësisht solidaritetin që ekziston mes Turqisë dhe Shqipërisë.
“Lufta jonë kundër FETO-s vazhdon me të njëjtën vendosmëri pothuajse në çdo skaj të botës. Kjo në fakt nuk është hakmarrje ndaj asaj organizate, por është një luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Strukturat terroriste të lidhura me FETO-n, të fshehura nën petkun e arsimit, shëndetësisë si dhe ndihmave humanitare, duke ndjekur një axhendë shumë sekrete dhe të fshehtë shtohen si qeliza kancerogjene brenda strukturës shtetërore pothuajse në të gjithë vendet ku ushtrojnë veprimtari. Qëllimi i tyre është të shtinë në dorë shtetin, pushtetin, për këtë arsye FETO nuk është një kërcënim i madh vetëm për Turqinë, por për çdo vend ku ajo zhvillon aktivitet. Ne do të vazhdojmë luftën tonë me të njëjtën vendosmëri dhe vullnet derisa të gjithë terroristët me duar të përgjakura t’i dorëzohen drejtësisë”, tha ai.
Ai theksoi se ndiejnë një keqardhje të thellë nga prania aktuale në Shqipëri e kësaj strukture të FETO-s, dhe shtoi se “falë punës së qeverisë sonë dhe ambasadës sonë vërejmë me kënaqësi se në institucionet dhe opinionin publik shqiptar është formuar tashmë një ndërgjegjësim ndaj organizatës FETO”.
“Vëmë re se FETO është tepër e shqetësuar nga puna jonë në këtë drejtim dhe nga fuqizimi i marrëdhënieve Turqi-Shqipëri, prandaj ne e dimë mirë që FETO në çdo rast përpiqet të helmojë marrëdhëniet tona . Por, siç ka thënë edhe presidenti ynë ne nuk do të lejojmë asnjëherë që FETO të jetë e suksesshme në Shqipëri, falë partneritetit tonë strategjik i cili u zyrtarizua gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në janar të këtij viti. Marrëdhëniet tona dypalëshe do të vazhdojnë të thellohen dhe forcohen në çdo fushë”, tha ambasadori turk.
Kosovë
5-vjetori i tentativës për grusht shteti në Turqi përkujtohet në Kosovë me një minut heshtje përfaqësues të larte zyrtare të shtetit
Programi filloi me një minute heshtje dhe intonimin e himneve, ndërsa më pas u shfaq videoja e incizuar nga AA gjatë tentativës për grusht shtet më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste FETO
Në Prishtinë është organizuar një program përkujtimor me rastin e 15 korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në programin e organizuar nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë morën pjesë zv/kryeministrja e Kosovës për çështje të pakicave dhe të drejtat e hjeriut, Emilja Rexhepi, ministri i Zhvillimit Rajonal dhe kreu i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, deputetët e KDTP-së Fidan Brina Jılta dhe Enis Kervan, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, si dhe deputetë, përfaqësues të institucioneve turke dhe atyre vendase.
Programi filloi me një minute heshtje dhe intonimin e himneve, ndërsa më pas u shfaq videoja e incizuar nga AA gjatë tentativës për grusht shtet më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste FETO, ku e tregon fytyrën e vërtet të liderit të FETO-s, Fetullah Gulen.
Ambasadori Sakar në fjalën e tij tha se e ardhmja e Turqisë është më e ndritur se mëngjesi i 15 korrik 2016.
Ai theksoi se Turqia sot është shndërruar në një vend më i fuqishëm, më i sigurt dhe më i qëndrueshëm, duke shtuar se “organizata tradhtare terroriste, shtylla e së cilës është shkatërruar në Turqi, po përpiqet të mbijetojë jashtë vendit duke e përçmuar Turqinë”.
Ambasadori turk tha se janë duke vazhduar pa ndalur punimet jashtë vendit kundër organizatës terroriste FETO.
“Jemi në dijeni se për këtë nevojitet përpjekje afatgjate. Kështu që tani në 42 vende të botës janë mbyllur të ashtuquajturat shkolla të FETO-s. Prej tyre 20 i janë transferuar Fondacionit Maarif. FETO jo vetëm në vendin tonë, por edhe në arenën ndërkombëtare ka filluar të pranohet si organizatë terroriste. Më shumë se 120 anëtarë të FETO-s janë deportuar në Turqi për gjykim, si dhe atyre që janë deportuar në vendet e treta pasi u zbulua rrjeti kriminal prapa maskës që organizata fshehu”, u shpreh ai.
Zv/kryeministrja Rexhepi, nga ana e saj, tha se grusht shteti i 15 korrikut përveç Turqisë ka ndikuar thellë te të gjithë muslimanët.
“Qeveria e Kosovës është në solidaritet me ju. Dënojmë çdo lloj sulmi terrorist”, tha ajo.
Ndërkaq, ministri Damka theksoi se në natën e 15 korrikut populli turk që jeton në të gjithë vendet e botës është bashkuar.
“Natën e 15 korrikut, kombi turk u bashkua në çdo vend ku kanë jetuar, duke i bërë ata të qëndrojnë kujdestar të demokracisë. Ka treguar se kufijtë e zemrës së Turqisë janë më të mëdha se Turqia”, tha Damka.
Maqedoni e Veriut
Ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkok, ka theksuar se Turqia do të ndjekë personat e lidhur me organizatën terroriste FETO dhe të gjitha dosjet të cilat u janë përcjellë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut deri sa të arrihet rezultat lidhur me këto.
Ambasadori Sekizkok në rezidencën e ambasadës në Shkup organizoi një konferencë për media me rastin e 15 korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, ku gjithashtu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Ai duke kujtuar se kanë kaluar pesë vite nga tentativa për grushtshteti e 15 korrikut, e planifikuar nga organizata terroriste e gjeneratës së re, FETO, tha se populli turk asnjëherë nuk do ta harrojë 15 korrikun.
Sekizkok vuri në dukje se është e rëndësishme qëtentativa e përgjakshme e FETO-s, që ka strukturime edhe jashtë Turqisë, nuk duhet të harrohet jo vetëm në Turqi, por edhe në gjithë botën, ndërsa për të kuptuar sfondin e 15 korrikut duhet të merren parasysh tentativat për infiltrim të FETO-s ndaj institucioneve shtetërore për dhjetëra vite duke manipuluar mendjet e të rinjve nëpër shkolla.
Ambasadori turk tha se FETO synon të vendosë anëtarët e saj në të gjitha institucionet shtetërore, të përdorë burimet publike dhe autoritetin në drejtim të interesave të organizatës, si dhe të vendosë ndikim politik, duke potencuar se populli nën lidershipin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka lënë të pasuksesshëm këtë tentativë për grusht shteti që synonte shfuqizimin e demokracisë dhe institucioneve kushtetuese.
Sipas tij, një ndër prioritetet themelore të shtetit të Turqisë në 5 vitet e kaluara ka qenë pastrimi i strukturave të FETO-s brenda dhe jashtë vendit. Ai deklaroi se struktura organizative e FETO-s në institucionet shtetërore brenda Turqisë është deshifruar, kanë filluar procedura ligjore ndaj anëtarëve si dhe është shpërbërë struktura paralele shtetërore e organizatës në Turqi.
Mes tjerash, ambasadori Sekizkok, tërhoqi vëmendjen se FETO synon t’i krijojë vetes zona me ndikim politik dhe ekonomik duke formuar struktura të fshehta edhe në vendet e tjera.
“Masat administrative dhe proceset gjyqësore janë aktivizuar nga autoritetet turke, me qëllim për të ngushtuar zonën e lëvizjes së organizatës terroriste jashtë vendit, si dhe të parandalojë ikjen e anëtarëve të saj nga drejtësia dhe transferimin e parave. Kërkesat tona për dëbim dhe ekstradim janë dërguar në vendet e huaja në kuadër të hetimeve të hapura në Turqi kundër anëtarëve të FETO-s jashtë vendit, u shpreh ai.
Sekizkok theksoi se strukturat e FETO-s janë duke vazhduar praninë e tyre në Maqedoninë e Veriut, nën petkun e identiteteve si institucion arsimor dhe kompani tregtare.
“Ne ua përcjellim kërkesat tona autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në çdo rast për të mos lejuar strukturat e FETO-s dhe për të deportuar individë të lidhur me FETO-n. Përfundimi i aktiviteteve të strukturave të FETO-s në Maqedoninë e Veriut dhe deportimi i personave të lidhur me FETO-n do të jenë hapa konkrete në drejtim të bashkëpunimit tonë bilateral në luftën tonë kundër terrorizmit. Me këtë rast dua të përsëris pritjet tona në këtë drejtim. Përpjekjet tona për të përmbysur strukturimin e FETO-s jashtë vendit do të vazhdojnë me vendosmëri”, theksoi ambasadori turk.
I pyetur se sa persona u janë kërkuar autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për dëbimin e anëtarëve të FETO-s dhe vallë kanë ndonjë përgjigje nga autoritetet e vendit, Sekizkok tha se, “Në krahasim me më parë dua të theksoj se dosjet me kërkesë për dëbim dhe ekstradim janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Tani kemi kërkesa për dëbim për 86 persona, dëbimin e tyre nga Maqedonia e Veriut, ndërsa 20 prej tyre janë për ekstradim. Të gjithë këto dosje u janë përcjellë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Por deri më sot nuk është hedhur asnjë hap nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, as në lidhje me kërkesat tona për dëbim e as për ekstradim”.
(AA- Argumentum.al)