Dr. JORGJI KOTE
50 vjet më parë, më 15 Mars 1973, isha student në Vitin e II të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja kur na njoftuan si drejtues rinie në shkolla dhe ndërmarrjet e ndryshme që të nesërmen në mëngjes të paraqiteshim në Komitetin e Rinisë të Tiranës, të Universitetit dhe në Plenumin e KQ të Rinisë, për t’u njohur me “fjalimin programatik” të Udhëheqësit të mbajtur atë ditë në mbledhjen e organizatës bazë të Partisë të Aparatit të KQ të PPSH-së. Në protokollin partiak të asaj kohe, kur fliste diktatori, media citonte frazën « fjalim i rëndësishëm”; por, kur thuhej « fjalim tepër i rëndësishëm » kjo nënkuptonte se “do të bëhej vërtet gjëma”. Atmosfera në të 5 apo 6 mbledhjet e sipërpërmendura ishte pak të thuhej e zymtë dhe e rëndë. Ndërsa më parë, sio të rinj takoheshim me njeri tjetrin gjithë qejf dhe gëzim, tani nuk pipëtinte asgjë, kudo fytyra të ngrysura.
« Bomba atomike» ra kur na lexuan fjalimin, rreth 30 faqe format i vogël. Atëhere nuk e kuptuam, se nuk patëm kohën dhe mundësinë të mblidhnim vehten apo të pyesnim se ç’po ndodhte. Por më vonë u pa qartë se fjalimi “ Si ta kuptojmë dhe luftojmë rrethimin e egër imperialisto-revizionist mbi vendin tonë “ ishte “ Hiroshima“ politike mbi rininë, inteligjencën dhe popullin tonë, lajmëtari kobsjellës i këqiave tragjike që do të vinin më pas, shuarja e çdo shprese për një orientim më të moderuar të diktaturës shqiptare.
Si të rinj dhe aktivistë të zgjedhur rinie të asaj kohe, ai 15 Mars dhe goditjet e tij të mëpasme “sizmike” na tronditën pa masë. Si mund të “përtypnim” ne faktin që ata kuadro të përkushtuar dhe komunikues, që i njihnim mirë, falë kontakteve të shpeshta me ta, po konsideroheshin dhe pritej të dënoheshin si armiq liberalë?!
Në fakt, “ Hiroshima” anti-liberale erdhi më tre valë. Në ditët e para të Janarit 1973, Enver Hoxha foli në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që çuditërisht kaloi pa shumë vëmendje. Një muaj më vonë, më 23 Shkurt, drejtuesit tanë të rinisë paraqitën një Raport në Byronë Politike mbi masat për përmirësimin e kushteve të punës e të jetesës së rinisë. Ndryshe nga sa pritej, raporti dhe « pretendimet « e tij liberale u fshikulluan ashpër. Me argumentin se rinia jonë është më e lumtura në botë, se Partia mendon për të, se gjithçka bëhet për rininë.
Por, sërish, edhe kjo goditje kaloi pa ndonjë pasojë deri sa erdhi 15 Marsi i zi, me kryetemë rrethimin e egër imperialisto – revizionist; u akuzuan rëndë Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, ish antarë të KQ të PPSH-së; Paçrami ish sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës për artin dhe kulturën dhe dramaturg i shquar, Todi Lubonja ish drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së. Se demek, duke abuzuar me luftën ndaj konservatorizmit, kishin shkarë me dashje në liberalizmin borgjezo-revizionist; nëpërmjet nxitjes dhe promovimit të shfaqjeve të huaja në kulturë, letërsi dhe art, të cilat do t’i përmendim më poshtë, me synimin për të minuar revolucionin në “vendin e vetëm socialist në botë”, siç pretendonte atëhere rregjimi monist.
Mirëpo, a ishte Shqipëria vërtet nën rrethimin e egër imperialisto-revizionist dhe a kishte ndonjë indikacion politik dhe ushtarak për një rrezik të tillë?
Në fakt, marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet 70 karakterizoheshin nga Detanta ndërmjet superfuqive kryesore. Po vijonin bisedimet sovjeto – amerikane për kufizimin e armëve bërthamore” SALT”; më 1971 Niksoni bëri vizitën historike në Kinë, që hapi një kapitull të ri cilësor në marrëdhëniet ndërmjet tyre. “Ostpolitika “ e Brandit legjendar kishte hapur perspektiva të reja në çtensionimin e marrëdhënieve midis dy Gjermanive dhe në përgjithësi Lindje – Perëndim. Më 1973 filluan negociatat për krijimin e KSBE-së historike ( Sot OSBE), madje ftesa për antarësim i erdhi edhe qeverisë shqiptare e cila e refuzoi, duke e etiketuar si “Konferenca e Mossigurisë Europiane”. Ndërsa në fushën e kulturës, artit dhe muzikës, Beatëllsat, Rolling Stones, Elvis Prestley e të tjerë kishin tronditur botën.
Ky fllad i ri liberalizmi kishte depërtuar dhe po fitonte terren ndaj konservatorizmit dhe në Shqipëri. Vërehej një çlirim nga rregullat strikte, me më shumë dëfrim e argëtim, muzikë të lehtë dhe moderne, duke lejuar dhe interpretime të këngëtarëve të huaj francezë, italianë, anglezë, etj. Ismail Kadareja me kryeveprat e tij, Dritëro Agolli e të tjerë po thyenin klishetë duke krijuar një realizëm të ri në letërsi dhe arte. Një ekip poetësh dhe shkrimtarësh të rinj e modernë po shpërthenin, ku dalloheshin Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, Frederik Reshpja, Koçi Petriti, Moikom Zeqo, etj; në muzikë, krahas legjendares Vaçe Zela, kishin dalë këngëtarë, muzikantë dhe kompozitorë të tjerë brilantë. Në pararojë ishte dhe teatri, falë një trupe aktorësh dhe rregjizorësh të shquar si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Edi&Mihal Luarasi, Piro Mani, etj. Kishin filluar Festivalet e Studentit, konkurse të talenteve të rinj, etj.
Në këtë sfond liberal dhe me mes një interesimi të jashtëzakonshëm publik u zhvillua Festivali i 11 i Këngës në Radio – Televizion. Pata mundësinë ta ndiqja festivalin në sallë, mbasi për herë të parë na dhanë ftesa si drejtues rinie. Me dukuritë dhe risitë e tij të njohura Festivali nuk zhgënjeu. Por, pastaj, ndodhi hataja e madhe. Festivalit ju vu damka e tradhtisë dhe e turpit kombëtar, duke e nxjerrë “jashtë ligjit”. Dhe vetë kënga fituese “ Erdh pranvera “ pa asnjë shfaqje të huaj sipas standardeve të atëhershme u ndalua për “ melodi dhe tingëllim fetar”.
Me një fjalë, zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare nuk kishin të bënin me “ rrethimin e trumpetuar imperialisto – revizionist” por vetëm se ai rrezikonte “ rolin udhëheqës të Partisë” pushtetin e Njëshit dhe luftën famëkeqe të klasave. Ndaj, iu tha “ JO” me forcë të gjitha prirjeve dhe zhvillimeve të lartpërmendura.
Kushtetuta e re socialiste e vitit 1975 i shpalli “tradhti të lartë” shfaqjet borgjeze-revizioniste në art e kulturë, ashtu si marrjen e huave dhe kredive; SHBA-të, BS-ja, NATO dhe BE-ja u shpallën ligjërisht armiqtë më të mëdhenj të socializmit.
Gjithsesi, “ shpata dragoniane” e 15 Marsit dhe e Plenumit të IV të KQ të PPSH-së në Qershor 1973 ra pa mëshirë brenda vendit. Me sulme, burgime, ekzekutime dhe kufizime të çdo lloji që vazhduan gjatë. “ Viktimat” e para të degjenerimit ideologjik dhe politik ishin rinia, letërsia dhe artet, si pikat më të ndjeshme të shoqërisë, ku “ishin drejtuar dhe valët e degjenerimit dhe rrethimit imperialist që përplaseshin në Adriatik dhe Jon” bashkë me drejtuesit e tyre kryesorë, familjarët dhe bashkëpuntorët e tyre, personalitete të shquara në politikë, art, kulturë dhe letërsi.
Gjithsesi, kjo ishte vetëm gjysma e të keqes; 15 Marsi 1973 paralajmëroi kobshëm edhe “ kurbanë” të tjerë më të mëdhenj, kur theksoi se degjenerimi ideologjik, kulturor dhe artistik i paraprin komploteve dhe puçeve kundër udhëheqjes së Partisë në të gjitha fushat e tjera. Dihet tashmë historia e linçimit të grupeve armiqësore, sidomos në ushtri, Ministrinë e Brendshme, ekonomi, diplomaci, tregti të jashtme, industri, bujqësi, arsim dhe shëndetësi, deri te vetvrasja e Mehmet Shehut më 1981 dhe pushkatimi i Kadri Hazbiut më 1982.
Për pasojë, u muarën masa dragoniane për t’u mbrojtur nga rrethimi imagjinar i 15 Marsit që çuan në bunkerizimin politik, ideologjik dhe kulturor të jetës në vend.
Dhe tani, për të shuar kurreshtjen sidomos te brezat e rinj le të përmendim fare shkurt “shfaqjet e huaja borgjeze dhe revizioniste”, për të cilat pas 15 Marsit 1973 dënoheshe jo vetëm moralisht, por dhe penalisht. Ato fillonin nga veshja dhe paraqitja e jashtme, për djemtë, vazhdonin me ndalimin e flokëve të gjata, mustaqeve dhe mjekrës, blu xhinsave dhe pantallonave “ kauboj”. Ndërsa për vajzat ndaloheshin fundet sadopak mbi gju ( për minifunde nuk bëhej fjalë) bluzat me dekolte apo fundet/fustanet pak a shumë të ngjitura pas trupit; varëse, byzylyk dhe “çingla mingla” të tjera të kësaj natyre.
Këtu pati shumë telashe dhe situata “për të qarë e për të qeshur” edhe me turistët e huaj që vinin në Shqipëri. Duke shërbyer si shoqërues i tyre gjatë sezonit të verës në ato vite i shihja kur sapo zbarkonin në Rinas gjithë qejf, i çonim detyrimisht te berberi për t’i qethur e hequr mjekrën/mustaqet, në prani të mikeshave të tyre që i vinin në lojë; kishte prej tyre që nuk pranonin të tjetërsonin pamjen dhe ktheheshin mprapsht. Disa të tjerë, shihnin portretet e Karl Marksit dhe Engelsit aty në mure dhe pyesnin me ironi ” Po Marksit, a do t’ia ruanit mjekrën?” Shkurt, rregjimi i asaj kohe donte që “njeriun tonë të ri” ta “ eksportonte” kudo në botë!
Më tej, ndalohej ndjekja e emisioneve në stacionet e huaja radio-televizive; Festivali i famshëm i San Remos dhe “ canzionissimat “ ishin sinonim i degjenerimit borgjez.
Po kështu dënohej penalisht imitimi i këngëve amerikane, angleze, italiane, interpretimi në mbrëmjet tematiko-dëfrimi i muzikës së huaj e sidomos asaj me ritme të “ shfrenuara “ si xhaz, tëist, rock§roll. Nuk e di si kishin shpëtuar disa këngë të Tom Jones, Engelbert Hamberdingut e ndonjë tjetri që i kishim mësuar dhe i këndonim në mirëbesim. Gjithashtu, ndaloheshin antenat për të kapur stacione të huaja televizive. Por, asaj iu gjet ilaçi nga të rinj novatorë, duke sajuar të ashtuquajturat “ kanoçe”, për të kapur fshehtas disa stacione të huaja.
Sa i takon fatit të zi të ish drejtuesve tanë liberalë, vetëkuptohet se pas viteve 90 ne ishim në pozita më të mira për të bërë vlerësime më gjakftohta dhe të pjekura, duke e thënë me bindje të plotë se ata ishin social – demokratë, por vetëm se u “ra për hise” komunizmi! Mjaft prej personaliteteve të dënuara atëhere mbetën politikanë, deputetë, ambasadorë, profesorë, poetë, piktorë, shkrimtarë, studiues, historianë, artistë e publicistë të shquar, mbrojtës të devotshëm të Atdheut, kontribues elitarë të artit, muzikës dhe kulturës sonë.
Së fundi, zbulimi dhe dënimi i grupeve armiqësore do të bëhej bashkëudhëtari i jetës sonë për 18 vitet e ardhëshme. Viktima të tyre, për shkak të ushtrimit biologjik të luftës së klasave, që as Marksi nuk e pat predikuar, do të bëheshin edhe mjaft shokë, shoqe dhe kolegë tanë të shkollës dhe të punës, për shkak të dënimit të prindërve të tyre. Ka qenë një përvojë trishtuese, e paparë dhe krejt unikale. Pas aq vitesh shoqëri, kur ishe nder dhe privilegj të kishe shokë dhe shoqe me prindërit e tyre në udhëheqje dhe një ditë të mësosh se ata janë fëmijtë e armiqve të egër të Partisë dhe të popullit! Si të silleshe, cili kishte faji i tyre, çfarë t’u thoje, pse t’i dënoje dhe një mori pyetjesh të tjera na brenin kujtesën e na linin vërtet pa gjumë. Për më tepër e që të jemi të sinqertë, ata ishin në përgjithësi djem dhe vajza shumë të mirë dhe asnjëherë në sjelljen e tyre nuk tregonin se ishin “ të këtij apo të atij”. Të tilla mbetën dhe pas vitit 1990, me pozivitetin e tyre rrezatues, nuk kërkuan hakmarrje, por vetëm drejtësi dhe demokraci, megjithë devijimet dhe zhgënjimet e saj të shumta, duke përfshirë dhe recidiva të së kaluarës moniste.