Ekskluzivisht nga ARGUMENTUM
Olimpiada Verore e Munihut ( 26 Gusht – 11 Shtator 1972) ishte konceptuar dhe menduar si një festë e madhe e miqësisë dhe bashkëpunimit në paqe. Pas Olimpiadës së Berlinit më 1936, organizatorët donin të jepnin një imazh dhe perceptim të ri, krejt të ndryshëm të Gjermanisë, si vend i hapur dhe demokratik. Ndaj dhe policia dhe forcat e sigurisë ishin përgatitur për një event të madh sportiv paqeje, pa dhunë, ndërsa terrori as që mendohej.
Gjithçka shkoi mirë deri mëngjesin e datës 5 Shtator, kur pjestarët e një komandoje palestineze u futën në fshatin olimpik, të maskuar si pjesëmarrës në ato lojra dhe hynë në banesat e ekipit izraelit. Pas rezistencës, u vranë dy dhe u rrëmbyen 9 sportistë të tjerë izraelitë; komandoja e lartpërmendur kërkoi, në këmbim lirimin e 232 të burgosurve palestinezë dhe të dy drejtuesve kryesorë të RAF – fraksionit të majtë të kuq terrorist gjerman, Andreas Baader dhe Ulrike Meinhof, çka u refuzua nga pala gjermane. Përpjekjet për të shpëtuar 9 pengjet përfunduan me vrasjen e tyre makabër, si dhe të një punonjësi policie gjermane dhe 5 nga 8 rrëmbyesit palestinezë.
Ky atentat tragjik errësoi mjaft jehonën, suksesin dhe rezultatet spektakulare të Lojrave Olimpike të Munihut; ku krahas notarit legjendar amerikan Mark Spitz me 7 medalje ari e të tjerë, shkëlqeu dhe peshëngritësi ynë i ndjerë, Kampioni olimpik Ymer Pampuri. Për pasojë, në vend të një Gjermanie të hapur dhe krejt ndryshe nga ajo e Berlinit më 1936 me pasojat e saj, në atë Olimpiadë gjithë bota pa ” shtatorin e zi olimpik të Munihut” ku viktimat tragjike ishin sërish hebrej.
Me këtë rast, më 5 Shtator, në Fϋrstenfeldbruck u zhvillua ceremonia përkujtimore dhe inaugurimi i memorialit kushtuar viktimave të atentatit terrorist. Aty ishin të pranishëm Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeir, homologu i tij izraelit Isaac Herzog, Kryeministri i Shtetit të Bavarisë, Markus Sőder, Presidenti i Komitetit Olimpik Botëror Bach dhe personalitete të tjera të larta gjermane. Ishin të pranishëm me mesazhet e tyre shumë prekëse dhe familjarët e 11 sportistëve të vrarë hebrej.
Më në fund, në atë ceremoni ndodhi ajo që duhej të ishte bërë shumë kohë më parë: Presidenti Walter Steinmeier dhe Kryeministri bavarez Markus Sőder pranuan publikisht përgjegjësinë e trefishtë të shtetit gjerman dhe të Landit të Bavarisë për atë tragjedi; mospërgatitjen paraprake, mungesën e konceptit të sigurisë për atentatin terrorist më 5 – 6 Shtator, heshtjen, zvarritjen dhe mossqarimin e ngjarjes. Për rrjedhojë, ata kërkuan ndjesë publike.
Një akt ky i shumëpritur kudo dhe sidomos nga familjet e viktimave, të cilat kanë kaluar një kalvar shumë të gjatë derisa ia mbërritën kësaj dite. Në fakt, gjatë 5 dekadave të fundit, është bërë shumë pak, për të zbardhur të vërtetën e 5-6 Shtatorit.
Për shkak të kësaj zvarritjeje që do thënë se bën një përjashtim nga tradita dhe shembulli brilant që Gjermania ka dhënë në të gjitha aspektet dhe rastet ndaj Shtetit të Izraelit, Holokaustit, etj, ishte vënë në rrezik dhe vetë zhvillimi i ceremonisë së lartpërmendur; çka do të ishte një skandal i madh në marrëdhëniet gjermano-izraelite dhe njollë turpi për politikën e jashtme gjermane; kur ajo po pretendon t’i kthejë sytë dhe vëmendjen nga parimet dhe jo pragmatizmi.
Ky rrezik vazhdoi deri një javë më parë, në prag të ceremonisë përkujtimore të 5 Shtatorit. Kjo mbasi, në pritje të një reagimi pozitiv lidhur me disa kërkesa të tyre legjitime, familjeve të viktimave u ra si bombë letra e 11 Gushtit e Ministrisë së Brendshme gjermane, ku pak a shumë shkruhej se atentati terrorist i 5 – 6 Shtatorit 1972 je do ”t’i nënshtrohej një analize tërësore të fakteve nga e para, që t’u jepet përgjigje disa çështjeve të hapura dhe të mbyllleshin të çarat e mundshme, për të krijuar kështu një piknisje për një kulturë të re të rijetësuar të kujtesës.”
Në këto kushte, Ankie Spitzer, bashkëshortja e trajnerit të ndjerë, Andre Spitzer, e cila është dhe zëdhënëse e familjeve i shkruajti 2 javë më parë Kryeministrit bavarez Sőder se ” 50 vjet abuzim, ofendime, poshtërim, refuzim, turpe dhe gënjeshtra janë më shumë se mjaft” ose më shqip ” e keni mbushur kupën sa nuk mban më”
Për pasojë, ajo njoftoi autoritetet gjermane se familjarët e 11 viktimave nuk do të merrnin pjesë në ceremoninë e datës 5 Shtator; madje, në shenjë solidariteti me to, atje do të mungonte dhe Presidenti izraelit, Isaac Herzog.!
Ky reagim, edhe pse tejet i ashpër nuk ishte diçka e papritur. Në fakt, familjet e lartpërmendura kanë hedhur me të drejtë akuza të ashpra ndaj qeverisë gjermane e sidomos asaj bavareze, se nuk kanë bërë asgjë gjatë 5 dekadave të fundit.
Së pari, pala gjermane është kritikuar rëndë se deri tani asnjë politikan i saj dhe i Bavarisë nuk ka marrë përgjegjësinë për atë ngjarje tragjike. Duke filluar qysh 50 vite më parë, nga ish Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Hans Dietrich Genscher e të tjerë. Veç kësaj, familjet nuk janë informuar dhe nuk iu është dhënë akses në dokumentat e ndryshme mbi dinamikat e atij atentati.
Ka dyshime të besueshme se kjo është bërë për të mbajtur fshehur disa të vërteta të hidhura lidhur me fajin dhe përgjegjësine e forcave policore dhe të sigurimit gjerman. Deficitet njerëzore dhe materiale, mungesa e përgatitjes së duhur, mangësitë e shuma në trajnim dhe municion, etj janë bërë me kohë të njohura në opinionin publik dhe në media. Çështë më e keqja, nga burime policore bavareze të asaj kohe, është aluduar dhe për veprime terroriste të sportistëve izraelitë në territorin gjerman çka e ka shtuar dhe më tej indinjatën e familjeve të viktimave!
Shqetësimi i dytë i madh ishte refuzimi gjerman për të pranuar ofertën e Tel Avivit për dërgimin e ekipeve të forcave speciale në operacionin policor të 5-6 Shtatorit 1972, çka e shton dhe më shumë fajin dhe përgjegjësinë e tyre.
Së treti, familjet e viktimave janë zhgënjyer dhe me refuzimin e palës gjermane për ngritjen e një komisioni të përbashkët me historianë.
E fundit dhe që ” i vuri kapakun” problemit ishte se pala gjermane u premtonte familjeve të viktimave një kompensim fare modest në shumën prej 10 Milion Euro; nga e cila, 4,6 milionë u ishin dhënë shumë kohë më parë nga Kryqi i Kuq. Mirëpo, përfituesit ishin kategorikisht kundër kësaj shume, kur gjysma e saj është shpenzuar për gjyqe dhe mbledhje dokumentacioni. Ata theksojnë se shpërblimi financiar, paraja nuk është më e rëndësishme, por këtu kemi të bëjmë me dinjitetin dhe drejtësinë për ta. Ndaj, ata nuk i kanë pranuar argumentat gjermane se aq ka qenë dëmshpërblimi dhe në rastet e mëparshme, si në atë të atentatit terrorist në Hanau, atë të Tregut të Krishtlindjeve në Berlin, etj. Ata kanë kërkuar që në këtë rast të zbatohen standardet ndërkombëtare dhe jo gjermane, siç është vepruar me familjet e viktimave të ”Lockerby” më 1988 dhe në diskotekën ”La Belle”në Berlin më 1986; ku secila familje e viktimave u dëmshpërblye me të paktën 3 miliona Euro për kokë. Ndaj, ata e refuzuan ofertën më të fundit gjermane, duke e konsideruar ”të turpshme, poshtëruese dhe ” pare xhepi”
Në këto rrethana të rënduara, famijet e viktimave shfrytëzuan organizimin e kësaj ceremonie të vonuar si ” gurin e fundit” për të bërë trysni dhe për të siguruar të drejtat e tyre. Më në fund, ia arritën qëllimit, falë një marrëveshje të ditëve të fundit me qeverinë gjermane. Këtu luajti rol të madh avokati i tyre gjerman, 90 vjeçari Gerhart Baum, ish deputet i Bundestagut dhe Ministër i Brendshëm Federal më 1978 – 1982; ai ka drejtuar me sukses disa operacione policore kundër forcave terroriste, rrëmbyesve, etj. Ka 30 vjet përvojë si avokat, duke përfaqësuar denjësisht familjet e puntoëve rusë që bënin punë të detyruar nën sundimin nazist, të aksidentit të avionave luftarakë në Ramstain më 1988, aksidentit të avionit ” Concord” në vitin 2000, të familjeve të viktimave të ” Love Parade” në Duisburg më 2010 dhe në raste të tjera.
Vlen të theksohet se Baum u vu në lëvizje nga familjarët e viktimave izraelite vetëm tri javët e fundit, kur kishte humbur pothuajse çdo shpresë për një marrëveshje midis palëve. Ai e trajtoi politikisht poblemin, duke venë në lëvizje të gjithë hierarkinë shtetërore dhe qeveritare gjermane në pranimin e të pesë komponentëve të lartpërmendur. Por, dhe nga ana e familjarëve të viktimave u tregua si përherë tolerancë, madje ata ranë dakord që në shumën e dëmshpërblimit të përfshiheshin dhe shpenzimet jo tyë vogla gjyqësore.
Për rrjedhojë, më 1 Shtator, krahas pranimit të përgjegjësinë nga pala gjermane dhe të ndjesës publike, ngritjes së Komisionit të Përbashkët me historianë u ra dakord që pala pala gjermane të akordojë 28 Milionë Euro për familjet e viktimave.
Kjo shumë nuk u quajt dëmshshpërblim, por një kontribut financiar, si shenjë e njohjes dhe vlerësimit të pasojave të rënda të terrorit ato ditë.
Kështu mori fund saga e vërtetë e shtyrjeve dhe zvarritjeve për këtë tragjedi olimpike që zgjati plot 50 vite rresht.
Padyshim që sidomos pala gjermane po nxjerr mësimet përkatëse që episode të tilla të mbeten përjashtime që nuk e prishin rregullin dhe traditën pozitive gjermane. Këto mesazhe u dhanë dhe në ceremoninë përkujtimore dhe gjatë vizitës së Presidentit izraelit në Berlin më 4 – 6 Shtator. Bashkë me dëshirën legjitime që t’i jepet dhe njëherë mundësia Munihut si mikpritës i Lojrave Olimpike, për të vendosur në vend nderin e nëpërkëmbur në atë ”shtator të zi” plot 50 vite më parë.
© 2022 Argumentum