Fondi i rindërtimit do t’u japë grante shteteve të goditura nga Covid-19. Për këtë Komisioni Evropian do të marrë borxh në tregjet financiare, shkruan Auron Dodi.
Me flamujt gjermanë dhe francezë pas vetes, krahas atyre nacionalë dhe të BE, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron shpallën dje pasdite (18.05.) dakordimin e ri për Evropën.
“Është kriza më e rëndë, para së cilës ndodhet Bashkimi Evropian në historinë e tij. Një krizë e tillë kërkon edhe përgjigje përkatëse”, tha kancelarja Merkel pas videokonferencës së përbashkët me Presidentin Macron.
Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron ranë dakord për fondin e rindërtimit të BE, apo instrumentin e rindërtimit, siç quhet ai ndryshe. Fondi i rindërtimit do të financohet me obligacione, me mjete financiare që Komisioni Evropian do t’i marrë borxh në treg.
Elementi vendimtar në deklaratën e Merkelit dhe Macronit është që këto mjete do t’u jepen si grante shteteve të goditura më fort nga Covid-19. Kancelarja Merkel tha se nuk bëhet fjalë “për kredi”.”Këto 500 miliardë euro nuk do të kthehen nga ata që i përfitojnë,” deklaroi Presidenti Macron. Kjo u mundëson shteteve që kanë pasur borxhe të larta shtetërore edhe pa Covid-19, që të mos e thellojnë borxhin kombëtar.
Borxhet që do të marrë Komisioni Evropian për bashkësinë do të shlyhen “për një kohë shumë të gjatë”, tha kancelarja Merkel. Burime të ndryshme parashikojnë për këtë një periudhë deri 30 vjeçare. Barra që do të mbajë secili nga shtetet për këto borxhe do të jetë në përputhje me pjesën e tij në buxhetin e Bashkimit Evropian: Gjermania me 27 përqind, Franca me 20.2 përqind.
Kush përfiton nga mjetet për rindërtimin?
Presidenti francez tha se fondet do të shkojnë në “sektorët dhe zonat më të goditura”. Nga shtetet, përfituesit kryesorë pritet të jenë shtetet e Evropës Jugore si Spanja dhe Italia. Këto shtete janë goditur edhe ekonomikisht më fort nga pandemia. Por të goditura rëndë janë edhe Franca, Portugalia dhe Greqia, për shkak të mbylljes së degës së turizmit, shumë të rëndësishme për ekonomitë e tyre.
Si do të shpërndahen mjetet e fondit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do ta paraqesë planin e rindërtimit të Evropës në 27 maj. Më pas, më 18 qershor atë do ta vendosin kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE.
Komisioni Evropian ka paraqitur këto ditë disa përfytyrime për mënyrën e shpërndarjes së mjeteve financiare në vendet e krizës. Rëndësi vendimtare pritet të fitojë tani i ashtuquajturi Semestri Evropian, rekomandimet vjetore të Komisionit për politikën ekonomike dhe fiskale. Deri tani këto rekomandime përgjithësisht janë anashkaluar nga shtetet anëtare.
Dokumenti i miratuar dje nga Gjermania dhe Franca kërkon edhe investime “në tranzicionin digjital dhe të gjelbër” dhe në forcimin e kërkimit shkencor dhe të zhvillimit.
Pengesat në miratimin e planit të rindërtimit
Vëllimi i fondit është më i ulët nga ai që dëshironin shumë shtete jugore të BE. Por në një situatë të jashtëzakonshme Gjermania reagoi me hapa të jashtëzakonshëm: Berlini e braktisi me deklaratën e djeshme të kancelares Merkel përfundimisht kundërshtimin ndaj obligacioneve. Në Berlin ashtu si edhe në kryeqytete të tjera ky vendim kishte javë që po përvijohej. Pas goditjes nga Covid-19, një vendim i ndryshëm do ta kishte dëmtuar ndoshta në mënyrë fatale Bashkimin Evropian ndaj fuqive konkuruese për tregun evropian, Kinë e Rusi.
Është fakt që si në Gjermani, ashtu edhe në të 27 shtetet anëtare të BE, financimin e fondit të rindërtimit me obligacione, duhet ta miratojnë të gjitha parlamentet nacionale. Në Gjermani do të jetë detyrë jo e lehtë bindja e Bundestagut nga qeveria gjermane: që krahas buxhetit klasik të BE të miratohet fondi shtesë i Coronas, i financuar me obligacione. Në qarqe të CDU-së dhe te liberalët e FDP-së rezistenca ndaj bondeve evropiane vazhdon të jetë e fortë. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese gjermane, e cila u vuri pikëpyetje obligacioneve që blen në emër të shteteve anëtare Banka Qendrore Evropiane ia vështirëson punën bindëse qeverisë gjermane.
Por mendohet se mbështetjen do ta lehtësojë fakti që me obligacionet e Komisionit Evropian, Gjermanisë nuk do t’i duhet t’i rrisë kontributet në buxhetin e Bashkimit Evropian. Kancelarja Merkel e ofroi rritjen e kontributit gjerman në këtë buxhet, por sipas burimeve nga Brukseli, pak shtete janë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë. Një fondi i krijuar në këtë mënyrë do të kishte vëllim të vogël, të pamjaftueshëm. Disa analistë tërheqin megjithatë vëmendjen se fatura do të vijë, por vite më vonë: prej vitit 2025 do të jetë e nevojshme rritja e kontributeve nga shtetet anëtare në Bruksel.
Reagime evropiane
Përpara deklaratës së tyre të përbashkët, Merkeli dhe Macroni i patën njoftuar kryetarët e tjerë të shteteve dhe të qeverive për hapin e tyre. Reagimet sot qenë të përmbajtura. Komisioni Evropian foli për një “hap në drejtimin e duhur”, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde e përshëndeti dakordimin franko-gjerman.
Në Parlamentin Evropian grupi parlamentar i Gjelbër u shpreh skeptikë për shumën e fondit të rindërtimit: 2 bilionë euro ishte shuma e shpresuar nga europarlamentarët. Grupi parlamentar i AfD-së në Parlamentin Evropian kujtoi se “Merkeli dhe Macroni shkelin ligjin e BE”, pasi neni 311 i Marrëveshjeve të BE e ndalon marrjen e borxheve nga BE.
Nga kryetarët e shteteve, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz shkroi në twitter se “Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë me kredi vendet e prekura me shumë”. Ky është qëndrimi i mbrojtur deri tani edhe nga Holanda, Suedia e Danimarka.
Megjithë këtë: Merkeli dhe Macroni ngritën me iniciativën e djeshme një urë, për të bashkuar veriun me jugun e Evropës. Është një hap me përmasa historike. Ai dëshmon se në këtë kohë të jashtëzakonshme për botën, motori gjermano-francez për Evropën funksion./dw