Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur tashmë fazën e parë të zbatimit të ligjeve për tranzicionit të saj në Ushtri.
Tranzicioni i FSK-së nga një forcë për emergjenca civile në Ushtri ishte një proces i gjatë që u finalizua në fund të vitit 2018 pas mbështetjes që Kosovës i erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, vetëm një muaj më vonë, ky tranzicion po sfidohet me mospërfilljen që po tregon Kosova ndaj kërkesës amerikane për pezullimin e taksës doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjës, si kusht për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel.
Në një letër që zyrtarët amerikanë i kanë dërguar drejtuesve të institucioneve të Kosovës, kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mospezullimin e taksës doganore, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Zyrtarët amerikanë, në letër kanë shkruar se “është e pabesueshme” që Kosova po injoron këshillën e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e taksës doganore.
Pas kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së për pezullimin e tarifës, SHBA ka vendosur që të ndërmarrin hapa “për të shprehur shqetësimin tonë, përfshirë edhe partneritetin tonë në fushën e sigurisë”, thuhet në letër.
Por, zëvendësministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Burim Ramadani beson se këto dallime nuk do të prekin përkrahjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës.
“Unë konfirmoj dy gjëra. Së pari, marrëdhënia strategjike speciale e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përgjithësi, por sidomos në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes, është marrëdhënie vërtetë e avancuar dhe si e tillë asnjëherë nuk vendoset pikëpyetje. Së dyti, mund po ashtu të konfirmoj se situatat dhe debatet publike nuk pasqyrojnë dhe nuk reflektojnë të vërtetën sepse është tepër e qartë se kjo marrëdhënie strategjike, speciale do të vazhdojë edhe më tutje dhe me përkushtimin tonë do të thellohet edhe më tej”, tha Ramadani.
Vet komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama e ka paralajmëruar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për faktin se po rreyikohen të paktën 12 milionë euro mbështetje amerikane për FSK-në.
Në anën tjetër, eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se autoritet e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht kërkesën e amerikanëve për pezullimin e tarifës doganore për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Me këtë refuzim të kërkesës se SHBA-së, ne hymë në një fazë shumë të ndjeshme apo të rrezikshme, të ngrirjes së raporteve që mendoj se mund të ketë pasoja të paparashikuar për vendin. Mendoj se këtu duhet të jemi shumë të kujdesshme. Është shumë e domosdoshme aspekti i përkrahjes edhe i ngritjes së kapaciteteve të FKS-së nga SHBA-ja në këtë fazën e transformimit”, tha Ibishi.
Qeveria amerikane së fundi ka marrë vendim që të anulojë vizitën e gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës në produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur habinë e tij për faktin se anulimi i vizitës së gjeneralit Orr, ka marrë një publicitet të madh në opinion.
“Ndodh të anulohen vizita, të shpeshtohen vizita, por e kuptoj logjikën pse po bëhen kaq të zhurmshme, e kuptoj pse mendojnë që ruhet miqësia. Janë duke e dëmtuar miqësinë në këtë mënyrë”, është shprehur Haradinaj.
Ndërkaq, është raportuar edhe për mundësinë që SHBA të ndalë edhe mbështetjen logjistike e financiare për FSK-në, përderisa Qeveria e Kosovës të mos zbatojë kërkesën për pezullimin e taksës. Sidoqoftë, Ministria e Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, ka nisur tashmë punën me hapjen e konkursit për pranimin e rekrutëve të rinj, të cila pas përfundimit të trajnimit bazik do të marrin gradën e ushtarit.
Zëvendësministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Burim Ramadani, tha për Radion Evropa e Lirë, se interesimi nga të rinjtë pa përjashtuar etninë e tyre, është vërejtur që në ditën e parë të konkursit. “Ne jemi jashtëzakonisht të inkurajuar me besimin e madh që FSK-ja ka në opinionin publik në Kosovë dhe me interesimin e madh të të rinjve të Kosovës që t’i shërbejnë atdheut përmes shërbimit në FSK”, tha Ramadani.
FSK është përballur kohët e fundit me mungesën e pjesëtarëve të komunitetit serb në radhët e saj. Dhjetëra prej tyre kanë lëshuar radhët e FSK-së pas raportimeve për presion e dhunë ndaj tyre, që sipas autoriteteve të Kosovës, është ushtruar nga ana e autoriteteve të Serbisë, të cilat nuk pajtohen me formimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Nga të gjitha komunitetet absolutisht që ka interesim dhe presim që ky interesim të jetë i vazhdueshëm”, deklaroi Ramadani. Zëvendësministri Ramadani, tha po ashtu se hapja e fushatës për rekrutimin e rekrutëve të rinj të FSK-së është në kuadër të planifikimit vjetor që Ministria e Mbrojtjes ka.
“Sigurisht se plani i tranzicionit – plan 10-vjeçar, pra ka një periudhë të caktuar kohore në të cilën do të zhvillohet. Kjo pjesë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe si e tillë edhe rritja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së, ushtarëve të Kosovës, është pjesë e planit të tranzicionit”, tha Ramadani.
Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë, se Forca e Sigurisë së Kosovës, gradualisht edhe me inkuadrimin e gjeneratave të reja, rekrutëve të rinj, po e merr formën e një ushtrie.
“FSK-ja, është në realizimin e tri fazave. Tash është në fazën e parë kur Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë nga 2500 do të ketë edhe 2500 anëtarë të tjerë dhe kjo do të ndodhë brenda 10 vjetëve në këto tri faza me pjesë aktive. Dhe nga 1800, do t’i ketë 3000 anëtarë aktivë të pjesës rezervë”, tha Ibishi.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj.
Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
FSK-ja aktualisht numëron 2500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër pas ndërrimit të mandatit, do të dyfishohet. Më mandatin e ri parashihet që të ketë 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 pjesëtarë rezervë./rel