Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim një delegacion të gjerë arbëreshësh nga Italia për kremtimin e 580-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.
Kreu i shtetit ftoi për këtë kremtim drejtues të bashkive dhe komunave ku jetojnë arbëreshët, personalitete të kulturës, sipërmarrës dhe drejtues të shoqatave që kanë luajtur një rol të rëndësishëm për komunitetin arbëresh në Itali.
Është hera e parë që një President ndërmerr iniciativën për mbledhjen e arbëreshëve në ceremoninë e nderimit të Besëlidhjes së 2 Marsit 1444, si një mesazh për nevojën e unifikimit mes shqiptarëve përballë sfidave të sotme.
“Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj! Ky është institucioni i Presidentit të Republikës dhe ju jeni në shtëpinë tuaj. Është kënaqësi t’ju pres sot në Shqipëri. Jemi vend i vogël po me zemër të madhe. Kemi bujarinë, mikpritjen, vlera të njëjta me atë të Italisë mike e cila u bë shtëpia juaj e re 6 shekuj më parë, ndërsa për shqiptarët e pas viteve ‘90 Italia , është shtëpia e dytë për ta”, u shpreh Begaj gjatë pritjes në Presidencë.
“580 vite më parë Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe të gjithë përfaqësuesit nga krahinat e ndryshme shqiptare u bashkuan dhe dhanë besën në ditë të vështira për të përballuar sfidat e ndryshme të kohës. Sot është një ditë e veçantë për ta kujtuar atë moment për faktin se sfidat tona të reja përballohen së bashku jo vetëm për ne si bashkëatdhetarë e patriotë por edhe me partnerët tanë”, tha Begaj.
“Po jetojmë kohë të vështira. Sapo dolëm nga një periudhe e pandemisë.
Luftë është duke vazhduar në Ukraine, situatë jo e këndshme në Lindjen e Mesme dhe kjo kërkon që ne të jemi bashkë për të zgjidhur gjërat.
Mendoj se sot është ditë e veçantë edhe për të falënderuar Italinë mike, pasi që ju dha mundësinë juve, parardhësve tuaj të mbani gjallë vlerat e shqiptarisë,kulturën, identitetin, gjuhën. Italia mike ka qenë afër Shqipërisë në periudha të vështira të saj. Dhe aktualisht është avokatja më e mirë e Shqipërisë për rrugëtimin e anëtarësimit të saj në BE.
Marrëdhëniet shumë të mira politike janë përkthyer në marrëdhënie shumë të mira ekonomike” – u shpreh Presidenti i Republikës.
“Ju falënderoj shumë që jeni pjesë e këtij gëzimi të ditës së sotme.
Në shenjë të kësaj vizite kam përgatitur një dhuratë: një monedhë që përfaqëson Shqipërinë. Nga nga njëra anë është Shqiponja e Skënderbeut, nga ana tjetër ka një shtëpi që gjendet në malet në Veri të Shqipërisë. Me këtë duke ju referuar një proverbi të vjetër tonin: “ Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” ju ftoj edhe një herë të shijoni këtë vizitë e të ndjeheni si në shtëpinë tuaj” – përfundoi mesazhin e tij Presidenti i Republikës.
Nga Lezha, Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Besëlidhjen e Lezhës si dëshmi e unitetit, guximit për liri dhe shembull të qëndresës në fjalën e mbajtur në ceremoninë e kremtimit të 580-vjetorit të kësaj ngjarjeje madhore historike në Lezhë.
“580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës shënon një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë mbarëkombëtare. 2 Marsi 1444 qëndron si dëshmi e unitetit, guximit dhe përkushtimit të shqiptarëve për liri e pavarësi. Nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut ne mbetëm të gdhendur në kronikat më të rëndësishme evropiane të kohës e shekujve më pas, si shembull i qëndresës dhe guximit për të gjithë Evropën”, u shpreh Presidenti Begaj.
Sipas Presidentit, bashkimi i shqiptarëve në Lezhë 580 vjet më parë mbetet një lajtmotiv evropian i qëndresës së përbashkët kundër çdo agresioni.
“Sot, faktori shqiptar në Ballkan vijon të luajë rol thelbësor në paqen dhe orientimin perëndimor të rajonit. Në kushtet e sotme gjeopolitike, ku sfidat dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të popujve, përfshi atyre të Ballkanit, dhe integritetit territorial evropian, janë aktuale, veçanërisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, Besëlidhja e Lezhës e roli i historik i shqiptarëve marrin një rëndësi të veçantë”, shtoi ai.
“Ato na kujtojnë se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësorë për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë. Ato na mësojnë se përballë sfidave nuk mund të qëndrojmë të ndarë, por vetëm të bashkuar”, u shpreh Presidenti Begaj.
Presidenti u ndal edhe tek historia e arbëreshëve dhe përpjekjeve të tyre për të ruajtur identitetin kombëtar.
“Arbëreshët, duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare, janë dëshmi e gjallë e bashkimit dhe forcës së identitetit shqiptar që mbijeton pavarësisht kufijve dhe kohës. Ata tregojnë se edhe larg dheut amë, zemra shqiptare rreh me të njëjtin ritëm të guximit dhe ndershmërisë, të krenarisë dhe respektit për tjetrin”, tha Begaj.
“Prania e tyre këtu sot, për të festuar së bashku, është simbolikë e një ure që lidh të kaluarën me të tashmen, duke i dhënë kuptim të ardhmes sonë. Akti i Besëlidhjes dhe shembulli i arbëreshëve na kujtojnë se bashkimi është forca që çdo ëndërr për liri dhe prosperitet e bën të mundur dhe të pashmangshme”, shtoi Presidenti.
“Ne kemi detyrë të mbajmë gjallë historinë tonë, ku Besëlidhja e Lezhës qëndron si kujtesë e dashurisë për lirinë dhe njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Begaj shfrytëzoi momentin për të theksuar në këtë ditë të shënuar të historisë shqiptare, rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe vijimit me bindje të rrugëtimit tonë drejt integrimit të plotë në BE.
“Padyshim që duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat shqiptarët përballen brenda vendit e kudo në rajon, por le të mos harrojmë se një ditë si kjo e sotmja provon aftësinë tonë për të adresuar çdo sfidë”, tha Begaj.
“Me orientimin tonë të palëkundur evropian, le të vijojmë të ndërtojmë mbi themelet e shëndosha të vendosura 580 vjet me parë, duke qenë gjithmonë të gatshëm të përqafojmë ndryshimet demokratike”, vijoi ai.
“580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës është një ftesë sa historike, aq dhe aktuale për të ripërsëritur përkushtimin tonë ndaj kombit shqiptar. Mbi të gjitha, le të përulemi me mirënjohje dhe të nderojmë sakrificat e atyre që para nesh u angazhuan për atdheun që ne gëzojmë sot e të ecim në rrugën që ata çelën: rrugën e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit mbarëkombëtar”, përfundoi Presidenti Bajram Begaj.
/Argumentum.al