Intervistë Ekskluzive për ARGUMENTUM.al me Ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri Z. Volodymyr Shkurov
Nga Marjana Doda
“Ukraina ende po lufton për pavarësinë e saj, por ndërkohë po lufton edhe për vlerat evropiane. Ky gjysmë-viti i luftës ruso-ukrainase u perceptua nga ukrainasit me dhimbje për ata që vdiqën dhe humbën të afërmit dhe miqtë e tyre, dhe në të njëjtën kohë me besim në fitoren dhe rimëkëmbjen e Ukrainës”, kështu shprehet në një intervistë për Argumentum.al Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Z. Volodymyr Shkurov duke kujtuar gjashtëmujorin e pushtimit rus në Ukrainë.
‘Populli ukrainas u bashkua dhe qëndroi në mbrojtje të Atdheut të tij, duke demonstruar guxim dhe sakrificë, si dhe besim dhe vullnet të pakushtëzuar për fitore. Ukrainasit do ta mbrojnë pavarësinë e tyre deri në fund. Dhe siç tha presidenti ynë Volodymyr Zelenskyy, lufta filloi me Krimenë dhe do të përfundojë me Krimenë. Domethënë, Ukraina synon të kthejë territoret e saj në kufijtë e vitit 1991. Ne besojmë në fitoren e Ukrainës, ne besojmë në ushtrinë tonë, e cila demonstroi forcën, profesionalizmin, vendosmërinë dhe heroizmin e saj, gjithë botës”, thekson Ambasadori Shkurov
Megjithatë, ndërsa flasim për luftën ruso-ukrainase, Ambasadori vë në dukje se në fakt përtej Ukrainës, në rrezik është vetë Europa.
“Kjo luftë përbën gjithashtu një kërcënim edhe për Evropën, pasi Rusia ende në mënyrë indirekte po përpiqet të vërë në dyshim aftësinë e Evropës për të mbrojtur veten”, thotë Ai
Madje ekziston rreziku që konflikti i Ukrainës të zgjerohet edhe në vende të tjera, duke mos përjashtuar as shtetet e Ballkanit Perëndimor duke marre parasysh këtë rajon tradicionalisht të trazuar.
“Marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Serbisë dhe Kosovës i përshtaten më së miri kësaj logjike. Është mirë që të dyja palët aktualisht po gjejnë një algoritëm për zgjidhjen teknike të problemeve ekzistuese. Shpresojmë për më të mirën. Por, më fjalë të tjera, ekziston rreziku përkatës”, u shpreh Ambasadori
Ambasadori ka vlerësuar mbështetjen e pakushtëzuar që Shqipëria ka demonstruar (dhe vazhdon ta demonstroj) për Ukrainën qoftë në nivel dypalësh por edhe shumëpalësh. Bëhet fjalë për mbështetje si politike ashtu edhe humanitare.
“Dua të theksoj se Shqipëria i dha ndihmë Ukrainës në fushën e municioneve ushtarake, por edhe në drejtim të garantimit të stabilitetit financiar të Ukrainës. Në fakt është ofruar edhe ndihma humanitare, medikamente, ushqime dhe produktet të nevojës primare. Theksoj se edhe Kosova tregoi solidaritet dhe mbështetje gjatë këtyre kohëve të vështira të sprovës për Ukrainën”.
Parashikimi për një përfundim të luftës duket ende larg. Negociatat janë në vendnumëro dhe u bënë edhe më të vështira pas pushtimit të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës nga trupat ruse. Ne jemi të interesuar për t’i dhënë fund luftës, thotë Ambasadori prandaj, çështja e furnizimit me armë mbetet kaq e rëndësishme për ne. Ky është një kusht i drejtpërdrejtë për afatin e përfundimit të luftës.
“Vrasjet dhe abuzimet ndaj civilëve, faktet e dhunës dhe të pushkatimit cinike të njerëzve të zakonshëm, sulmet të përditshme masive me raketa pothuajse në të gjithë territorin e Ukrainës rrezuan pothuajse plotësisht mundësinë e negociatave. “Aktualisht, është shumë e vështirë të parashikohet data e përfundimit të luftës. Rusia po rrit numrin e ushtareve sepse e kupton që lufta nuk po zhvillohet sipas skenarit të saj (të Rusisë) dhe se humbjet e forcës së gjallë janë shumë të mëdha. Ukraina po mbron veten dhe po përpiqet të mposhtë agresorin. Ne gjithashtu kemi humbur dhe po humbasim shumë nga njerëzit tanë. Kjo do të thotë se ne jemi të interesuar për t’i dhënë fund luftës. Sa më shpejt aq më mirë. Prandaj, çështja e furnizimit me armë mbetet kaq e rëndësishme për ne. Ky është një kusht i drejtpërdrejtë për afatin e përfundimit të luftës”.
“Lufta është mjeti më i keq për të qartësuar marrëdhëniet dhe është një fenomen turpi në botën e qytetëruar. Por sot po kërkoj mbështetjen maksimale të Ukrainës me armë, sepse, për fat të keq, Rusia mund të kuptojë vetëm gjuhen e forcës”, kjo është thirrja e Ambasadoirit të Ukrainës në Tiranë në këtë intervistë të cilën mund ta lexoni të plotë si vijon.
Intervista e plotë:
Argumentum.al: Ndërsa Ukraina me 24 Gusht kremtoi Ditën e Pavarësisë, njëkohësisht kujton dhe 24 shkurtin e këtij viti që përkon me gjashtëmujorin e pushtimit rus. Duket se Ukraina po lufton ende për pavarësinë saj. Si i keni përjetuar ju dhe populli Ukrainës këtë datë?
SH.T.Z. Volodymir Shkurov: Po, është e vertet. Ukraina ende po lufton për pavarësinë e saj. Por ndërkohë po lufton edhe për vlerat evropiane, të cilat ndër të tjera përfshijnë respektimin e të drejtës së palës tjetër për të zgjedhur lirisht rrugën e zhvillimit të saj. Fakti i gjysmë-viti i luftës ruso-ukrainase u perceptua nga ukrainasit me dhimbje për ata që vdiqën dhe humbën të afërmit dhe miqtë e tyre, dhe në të njëjtën kohë me besim në fitoren dhe rimëkëmbjen e Ukrainës.
-Zoti Ambasador, tashmë jemi përballë faktit. Ukraina është në Luftë. Çfarë do të thotë ky moment për sovranitetin e Ukrainës dhe sigurinë e Evropës. Si e vlerësoni rolin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s?
Rusia nisi një luftë të shkalles së plotë kundër Ukrainës. Kjo luftë përbën gjithashtu një kërcënim edhe për Evropën, pasi Rusia ende në mënyrë indirekte po përpiqet të vërë në dyshim aftësinë e Evropës për të mbrojtur veten. Rusia po sulmon Evropën me anë të armëve të varësisë energjetike dhe presionit humanitar. Nëse më parë Rusia tregoi gatishmëri për të bashkëpunuar me Evropën, tani po demonstron një dëshirë për të ndarë Evropën dhe për të minuar efektivitetin e institucioneve evropiane. SHBA dhe NATO janë aktualisht aleatë të Ukrainës në luftën kundër Rusisë dhe ofrojnë ndihmë të fuqishme partneriteti si ushtarake, financiare ashtu edhe humanitare.
-Kur lufta u nis në orët e vona të 24 shkurtit, pushtimi i plotë i Ukrainës nga Kremlini supozohej të zgjaste vetëm disa ditë dhe të përfundonte me kapjen e shpejtë të Kievit. A është kjo zgjatje e luftës një sukses apo dështim për Rusinë dhe Ukrainën? Pas gjashtë muajsh, Rusia apo Ukraina po e fiton luftën?
Planet e Rusisë në lidhje me luftën në Ukrainë kanë dështuar plotësisht. Nuk pati pushtim të shpejtë të Ukrainës. Diçka e papritur ka ndodhur për Rusinë. Populli ukrainas u bashkua dhe qëndroi në mbrojtje të Atdheut të tij, duke demonstruar guxim dhe sakrificë, si dhe besim dhe vullnet të pakushtëzuar për fitore. Ukrainasit do ta mbrojnë pavarësinë e tyre deri në fund. Por çështja se kush do ta fitojë këtë luftë aktualisht po përcaktohet në fushën e betejës. Dhe siç tha presidenti ynë Volodymyr Zelenskyy, lufta filloi me Krimenë dhe do të përfundojë me Krimenë. Domethënë, Ukraina synon të kthejë territoret e saj në kufijtë e vitit 1991. Ne besojmë në fitoren e Ukrainës, ne besojmë në ushtrinë tonë, e cila demonstroi forcën, profesionalizmin, vendosmërinë dhe heroizmin e saj, gjithë botës.
–Thirrja dhe kërkesa për armatime, nuk është pritur mirë nga liderë të ndryshëm, madje dhe vete Papa Françesku nga selia e shenjtë ka kritikuar ashpër ata që bëjnë thirrje të tillë. Përse thirrja per bisedime po sfumohet nga thirrja për armatime? Cila prej tyre mund të sjellë paqen?
Në fazat e para të pushtimit rus të Ukrainës, procesi i negociatave kishte një dinamikë të caktuar, e cila u jepte shpresë shumë njerëzve për një armëpushim të shpejtë dhe një zgjidhje paqësore. Megjithatë, pasojat e pushtimit të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës nga trupat ruse, vrasjet dhe abuzimet ndaj civilëve, faktet e dhunës dhe të pushkatimit cinike të njerëzve të zakonshëm, sulmet të përditshme masive me raketa pothuajse në të gjithë territorin e Ukrainës rrezuan pothuajse plotësisht mundësinë e negociatave. Mariupol, Bucha, Borodyanka, Irpin, Kharkiv dhe qytete të tjera të Ukrainës, të cilat janë bërë simbole të sjelljes çnjerëzor të rusëve ndaj popullsisë civile të Ukrainës, e detyruan Ukrainën të zëvendësoj tryezën e negociatave me në një dialog në fushën e betejës. Kjo nuk ishte zgjedhja e Ukrainës, ishte rezultat i realizimit së negociatat nuk kishin një rrugëdalje drejt paqes dhe perceptimit të nevojës për të mbrojtur tokën dhe popullin tonë.
–Ndërsa kujtojmë të gjitha pasojat e kësaj lufte në 6-mujorin e saj, Presidenti i Rusisë, ka nënshkruar dekretin për të rritur me 137 mijë , numrin e ushtarëve në ushtrinë ruse, nga ana tjetër Zelensky është shprehur se “Lufta e Ukrainës duhet të përfundojë me çlirimin e Krimesë”. Duket se jemi larg një marrëveshjeje paqeje? Kur do të përfundojë lufta në Ukrainë?
Aktualisht, është shumë e vështirë të parashikohet data e përfundimit të luftës. Rusia po rrit numrin e ushtareve sepse e kupton që lufta nuk po zhvillohet sipas skenarit të saj (të Rusisë) dhe se humbjet e forcës së gjallë janë shumë të mëdha. Ukraina po mbron veten dhe po përpiqet të mposhtë agresorin. Ne gjithashtu kemi humbur dhe po humbasim shumë nga njerëzit tanë. Kjo do të thotë se ne jemi të interesuar për t’i dhënë fund luftës. Sa më shpejt aq më mirë. Prandaj, çështja e furnizimit me armë mbetet kaq e rëndësishme për ne. Ky është një kusht i drejtpërdrejtë për afatin e përfundimit të luftës.
– Sot jemi më të pasigurtë se 6 muaj më parë. Pasojat e Luftës duket se do ti ndiejë Europa por dhe Ballkani . Sa rrezikon rajoni ynë përballë kofliktit Rusi-Ukrainë duke marrë parasysh se që nga fillimi i Luftës, disa herë në deklaratat nga Rusia flitet për Kosovën?
Ballkani në parim njihet si një “fuçi baruti”. Sigurisht, Rusia do të ishte e interesuar të hapte një lloj fronti të dytë diku në këtë rajon tradicionalisht të trazuar. Marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Serbisë dhe Kosovës i përshtaten më së miri kësaj logjike. Është mirë që të dyja palët aktualisht po gjejnë një algoritëm për zgjidhjen teknike të problemeve ekzistuese. Shpresojmë për më të mirën. Por, më fjalë të tjera, ekziston rreziku përkatës.
-Aktualisht të gjithë sytë e liderëve botëror janë të siguria e centralit bërthamor në Zaporizhzhia. A mund të provokojë cënimi i këtij centrali një luftë bërthamore? Cili është rreziku me të cilin bota mund të përballet në muajt në vijim?
Kërcënimi bërthamor i Evropës nga Rusia është një gjë e keqe. Ukraina i mbijetoi fatkeqësisë së Çernobilit dhe i kupton mirë pasojat përkatëse. Rusia i drejtohet përpjekjeve për terrorizëm bërthamor, duke kapur stacionin dhe duke vendosur një sasi të madhe municionesh në territorin e saj. Shpresojmë që vizita e specialistëve të IAEA, mes të cilëve, është ndërkohë edhe një shtetas shqiptar, do të sqarojë situatën, dhe protokollet përkatëse për rezultatet e kësaj vizite do të ofrojnë bazat e nevojshme për të siguruar një qasje civilizuese ndaj një teme kaq komplekse siç është siguria bërthamore. Shpresojmë edhe në efektivitetin e veprimtarisë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili po ashtu po merret me këtë çështje.
-Shqipëria që në krye të herës është deklaruar krah Ukrainës. Si e vlerësoni mbështetjen e Shqipërisë dhe e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor përfshirë dhe Kosovën?
Shqipëria ka demonstruar (dhe vazhdon ta demonstroj) mbështetje të pakushtëzuar për Ukrainën qoftë në nivel dypalësh por edhe shumëpalësh. Bëhet fjalë për mbështetje si politike ashtu edhe humanitare. Dua të theksoj se Shqipëria i dha ndihmë Ukrainës në fushën e municioneve ushtarake, por edhe në drejtim të garantimit të stabilitetit financiar të Ukrainës. Në fakt është ofruar edhe ndihma humanitare, medikamente, ushqime dhe produktet të nevojës primare. Theksoj se edhe Kosova tregoi solidaritet dhe mbështetje gjatë këtyre kohëve të vështira të sprovës për Ukrainën.
Nga ana tjetër, dëshiroj të nënvizoj se ne vazhdojmë të evakuojmë një numër të madh njerëzish nga rajonet e vijës së parë, dhe si rrjedhoje, nevojiten rezerva të mëdha për strehimin dhe akomodimin e tyre. Ndaj i jemi mirënjohës të gjithëve që nuk lodhen duke na ndihmuar dhe mirëpresim çdo lloj ndihme.
-Z.Ambasador një muaj para konfliktit në Ukrainë gjatë intervistës tuaj të parë përArgumentum.al keni bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike. Sot 6 muaj më pas, cila është thirrja juaj?
Si diplomat, mbetem mbështetës i zgjidhjes së problemeve të çfarë do lloj kompleksiteti përmes negociatave. Do të doja shumë që lufta në Ukrainë të përfundonte.
Në thirrjen time të tanishme, dëshiroj të shpreh dhimbjen time për numrin e madh të njerëzve, përfshirë fëmijët, të cilët tashmë humben jetën në këtë luftë, të cilët kanë humbur të afërmit dhe të dashurit e tyre, shtëpitë dhe paqen. I përulem guximit të popullit tonë. Dhe konfirmoj mendimin se lufta është mjeti më i keq për të qartësuar marrëdhëniet dhe është një fenomen turpi në botën e qytetëruar. Por sot po kërkoj mbështetjen maksimale të Ukrainës me armë, sepse, për fat të keq, Rusia mund të kuptojë vetëm gjuhen e forcës.
Faliminderit!
© 2022 Argumentum