Qeveria shqiptare zhvilloi këtë të enjte ceremoninë për dhënien e gradës ushtarake “Kolonel” për sportistët kampionë të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë nderuar vendin në Lojërat Olimpike, apo edhe në kampionatet europiane dhe botërore.
Kampionet e Kosovës në xhudo, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë pjesë e Forcave të Armatosura, teksa peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, boksieri Alban Beqiri edhe atletja Luiza Gega do jenë tanimë me gradën “Kolonel”.
Në ceremoninë e zhvilluar kanë marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, si edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.
Në fjalën e tij, Edi Rama e ka quajtur një “heqje barre” këtë gradë për sportistët, duke cekur se shumë prej kampionëve tanë janë larguar nga vendi dhe kanë kontribuar për një tjetër shtet për shkak të mungesës së kushteve bazë.
“Sot është ditë historike për sportistët dhe Forcat e Armatosura, sepse bëhen pjesë e FA një grup sportistësh që kanë ngritur lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare. Pjesë e FA janë edhe tre shqiptare e Kosovës, që do jenë nën të njëjtin flamur për të njëjtin mision, me të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuara; në funksion jo vetëm të sportit por edhe Forcave të Armatosura. Përfshira e tyre si Kolonel dhe Kolonele e FA dhe gradave të tjera për arritjet në sport, përbën një vlerë të shtuar morale dhe profesionale, përtej simbolikës. Jam i lehtësuar sot që kam hequr këtë barrë nga kurrizi, që e kishim trashëguar nga e shkuara. Nuk e ulim kokën nga turpi për keqtrajtimin dhe harresën ndaj tyre. Na ka ndodhur në të shkuarën që djem të përkushtuar kanë ngritur flamuj të tjerë, sepse shteti nuk i jepte mundësi për të ngritur flamurin tonë kombëtar. E bënë këtë për një palestër, për një trajtim ushqimor dinjitoz, për një trajner të motivuar, për përfaqësim. Në pamundësi për këto, përfaqësuan forcën e talentit dhe pasionit të tyre. Kjo është një histori turpi e shtetit shqiptar që i përket së shkuarës”, tha Edi Rama.
Një fjalën e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit ceku faktin se tanimë sportistët dhe trajnerët mbështeten me ligj.
“Teksa përgatiteshim për këtë ceremoni, më kujtohen ata sportistë që u detyruan të garonin për një tjetër flamur. Jo sepse ata e donin më pak Shqipërinë, ata u detyruan nga kushtet që të largoheshin. Nuk kishin as kushtet minimale për stërvitje, ndërsa sot kemi një tjetër realitet. Falë punës dhe sakrificës së tyre, ata sot kanë merituar suksesin. Sot kemi një vendim të Këshillit të Ministrave që shpërblen sportistët dhe trajnerët, kemi plane konkrete për vlerësimin e tyre. Asnjë shpërblim monetar nuk e vlerëson atë krenari që ata na kanë dhënë. Kampionët tanë janë pjesë e Forcave të Armatosura, duke marrë edhe grada honorifike. Të jesh pjesë e FA është nder edhe privilegj. Këta kampionë do jenë pjesë e frymëzimit të brezit të ri. Ky është një mision i lartë ndaj Atdheut”, tha ministrja Kushi.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në ceremoninë e gradimit të sportistëve elitarë me gradën kolonel, ai tha se sot është një ditë e veçantë pasi elita e sportit shqiptar i bashkohet Forcave të Armatosura.
“Sot është një ditë e veçantë, ceremoni e pazakontë. Sot FA i bashkohet elita kombëtare e sportit shqiptar. Filloi si një angazhim i Ramës vitin e kaluar, u kthye në një ligj dhe sot ky ligj po zbatohet duke dhënë gradën e lartë kolonel 7 sportistëve tanë elitarë. Ka disa që fitojnë gradën, major, kolonel. Sot po kremtojnë gradën më të lartë, kolonel i FA. Ka një të përbashkët ndërmjet sportistëve elitarë, misionit të tyre dhe ushtarakëve të FA, kjo pikë është flamuri i Shqipërisë ka një zjarr të njëjtë në zemrat e ushtarakëve dhe sportistë, ky zjarr është dashuria për Shqipërinë. Kjo na bashkon sot këtu”, tha Peleshi.