Si sot 7 vite më parë, më 5 shtator 2016, Nëna Tereza u shpall shenjtore.
5 Shtatori, data kur Papa Françesku vendosi të shenjtërojë murgeshën katolike me origjinë shqiptare, përkon me ditën kur ajo, më vitin 1997-n, u nda nga jeta.
‘’Një jetë në shërbim të tjerëve’’. Ky ishte misioni i shenjtores Nënë Tereza, të cilës Ati i Shenjtë i njohu mrekullitë e bëra në shërimin e një gruaje nga kanceri dhe shërimi i një personi tjetër në Brazil, i prekur gjithashtu nga tumori.
Për punën dhe kontributin e saj, veçanërisht me fëmijët në Kalkuta të Indisë, atje dhe ku ndërroi jetë në vitin 1997, Nënë Tereza u vlerësua me çmimin Nobel të Paqes.
5 Shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, është shpallur festë zyrtare. Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare” në vend, sipas të cilit data 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, zëvendësohej me datën 5 Shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj.
5 Shtatori i 2016-s shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë dhe humbi jetën në Kalkutë më 5 shtator 1997. Sot bëhen 26 vite që Nënë Tereza është ndarë nga jeta. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.
Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?
Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qenë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.
/Argumentum.al