Nga Ylli MANJANI
Ish-Ministër i Drejtësisë
Zotëria që u arrestua për atë muhabetin e leckës me ngjyra flamuri turk në plazh, qenka liruar dhe pa asnjë akuzë penale.
Normalisht nuk kishte si të akuzohej për atë budallallëk. Arrestimi i tij ishte fund e krye i paligjshëm.
Më vjen mirë që Gjykata e Apelit Durrës e ka konstatuar këtë paligjshmëri.
Me sa duket, Gjykata e Faktit atje nuk e ka pavarësinë e duhur nga Policia! Me sa kuptoj nga kjo sorollatje Polici – Prokurori – Gjykatë e Shkallës së Parë – Gjykatë Apeli, personi është mbajtur në paraburgim për 21 ditë pa faj e pa shkelur asnjë ligj të shtetit!
21 ditë paraburgim për një leckë me ngjyrë që Policia politike e quajti flamur ceremonial! Kulmi!
E gjithë toga e policëve dhe drejtuesit e tyre që urdhëruan atë arrestim duheshin marrë nën përgjegjësi penale të menjëhershme! Por kjo funksionon vetëm në shtetet demokratike.
Nejse, zotëria që vuajti për një gjest kurajoz, në fund të fundit, ta gëzojë pafajësinë!
Nuk po hyj këtu të analizoj kostot individuale që kësaj poshtërsie, sepse nuk më pushon helmi.
Është ai lloj helmi që të jep pezm nga mungesa e shpresës se mund të marrësh drejtësinë që të takon shpejt e pa kosto…
Por personi ta gëzojë pafajësinë dhe për mua është i nderuar që bëri një reagim qytetar, pavarësisht kostove.
Emri i tij është Shpëtim Sefa. Faleminderit Shpëtim!
Ndërkohë për median nuk përbën lajm lirimi pa akuzë i personit. As mbajtja në paraburgim padrejtësisht.
Media thjesht lexon komunikatat heroike të Policisë. Meqë kjo e fundit nuk njofton për fundin e ngjarjeve, por vetëm për fillimet e bujshme, edhe media nuk bën detyrën të ndjekë një çështje deri në fund pavarësisht ç’thotë Policia! Trishtim i madh!
Njoftimi i Policisë së Durrësit më 14 gusht 2022:
Hoqi me forcë nga një vendrojë detare, një flamur të shtetit turk, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Durrës, pas disa orësh kërkime, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Sh. S, 48 vjeç, banues në Mazrek, Tiranë.
Kapja dhe arrestimi i tij u bë për arsye se ky shtetas, gjatë kohës që ka qenë në plazhin e quajtur ‘Gjiri i Lalzit’, ka hequr me forcë nga një vendrojë detare, një flamur të shtetit turk, të cilin më pas e ka hedhur në mënyrë demonstrative në det.
Ky veprim është filmuar me celular dhe më pas është postuar në rrjetet sociale, nga ky shtetas. Shërbimet e Policisë e shpallën fillimisht në kërkim shtetasin Sh. S., pasi ishte fshehur pas ngjarjes.
Pas kërkimeve nga Policia u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Sh. S., për veprat penale ‘Nxitja e urrejtjes ose grindjeve’ dhe ‘Prishja e rendit dhe qetësisë publike’. Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.