78 vjet më parë u arrit Fitorja e Madhe e njerëzimit mbi nazizmin.
Kjo ideologji kriminale nuk ka të drejtë të rilindë sёrish.
Nga Ambasada e Rusisё nё Tiranё
Më 9 maj 1945, shtatëdhjetë e tetë vjet më parë, në strofkën e tij, në Berlin u përmbys nazizmi gjerman. Duke kujtuar këtë datë, ne jo vetëm nderojmë brezin e fitimtarëve, por edhe përpiqemi të nxjerrim mësime nga e kaluara historike, t’ua sjellim ato në vëmendje përfaqësuesve të brezit të ri, i cili nuk i njohu tmerret e luftës, dhimbjen nga humbja e atyre që nuk u kthyen nga betejat, që u vranë në bombardime, që humbën jetën në kampet e përqendrimit, që u pushkatuan, u varën.
Në përgjithësi pranohet se Lufta e Dytë Botërore filloi më 1 shtator 1939 me pushtimin nga Gjermania të Polonisë dhe përfundoi në 2 shtator 1945 me nënshkrimin e Aktit të kapitullimit të Japonisë militariste. Megjithatë, agresioni i Gjermanisë naziste, i udhëhequr nga fyhreri i saj, Adolf Hitler filloi në Evropë shumë më herët, me aneksimin e Austrisë më 12-13 mars 1938 dhe Marrëveshjen e fshehtë të Mynihut më 29 shtator 1938, që lejoi ndarjen cinike të Çekosllovakisë. Kjo u parapri nga konfliktet ushtarake në pjesë të ndryshme të botës të tilla, si sulmi i Italisë në Etiopi (tetor 1935) dhe në Shqipëri (prill 1939), lufta civile në Spanjë (qershor 1936 – prill 1939), agresioni i Japonisë kundër Kinës (korrik 1937 – shtator 1945), nënshkrimi nga Gjermania naziste i një sërë marrëveshjesh me qëllim përqendrimin e goditjes kryesore ndaj BRSS. E gjithë kjo mbështetet në fakte historike dhe nuk ngjall dyshime.
Lufta e Dytë Botërore nuk ndodhi menjëherë, nuk filloi papandehur. Dhe agresioni i Gjermanisë kundër Polonisë nuk ishte i befasishëm. Ai ishte rezultat i shumë tendencave dhe faktorëve në politikën botërore të asaj periudhe. Të gjitha ngjarjet para luftës u ndërtuan në një zinxhir fatal. Elementët kryesorë që paracaktuan tragjedinë më të madhe në historinë e njerëzimit ishin egoizmi shtetëror, frika, favorizimi i agresorit që po merrte forcë, dhe në të njëtjën kohë dobësimi i Ligës së Kombeve, e cila nuk mundi të parandalojë një numër konfliktesh ushtarake të përmendura më sipër, duke forcuar kështu veprimet agresive të Gjermanisë.
Më 22 qershor 1941, në agim, Gjermania fashiste, pa shpallur luftë, sulmoi me pabesi BRSS. Bashkimi Sovjetik u përball me ushtrinë më stërvitur, më të mobilizuar dhe më të fortë në botë, për të cilën ishte vënë në lëvizje potenciali ushtarak, ekonomik, industrial i pothuajse të gjithë Evropës së asaj kohe. Në këtë dyndje vdekjeprurëse mori pjesë jo vetëm Vermahti, por edhe satelitët e Gjermanisë, kontigjentet ushtarake të shumë shteteve të tjera të kontinentit evropian. Kundër makinës pushtuese gjakftohtë, të fuqishme e të armatosur deri në dhëmbë u ngrit forca gjigande e shoqërisë sovjetike, e bashkuar me qëllimin për të mbrojtur tokën mëmë, për t’u hakmarrë ndaj armikut që po shkelte me këmbë jetën e paqtë, planet dhe shpresat për të ardhmen.
Për popujt e BRSS lufta vazhdoi gati katër vjet. Pushtuesit nazifashistë shkatërruan dhe dogjën 1710 qytete dhe qyteza sovjetike, më shumë se 70 mijë fshatra. U zhdukën më shumë se 6 milionë ndërtesa, pothuajse 32 mijë ndërmarrje industriale, 84 mijë shkolla, teknikume, universitete dhe institute shkencore kërkimore, 40 mijë spitale. 25 milionë banorë mbetën të pastrehë. E gjithë kjo duhej rimëkëmbur e ndërtuar nga e para.
Që në orët e ditët e para të luftës udhëheqja e lartë politike e ushtarake sovjetike zhvilloi një punë të jashtëzakonshme organizative për të rindërtuar ekonominë e vendit në baza ushtarake, për të bashkuar popullin dhe ushtrinë, për t’i bërë qëndresë armikut. Pothuajse gjithë populli sovjetik u ngrit në luftë kundër pushtuesve fashistë. Në momentin e sulmit të Gjermanisë kundër BRSS 4.5 milionë persona ndodheshin në shërbimin ushtarak. Gjatë viteve të luftës numri i tyre në ushtri dhe marinë shkoi tashmë në 34.5 milionë. Përfaqësues të kombeve të ndryshme luftuan në Ushtrinë e Kuqe me armë në dorë: rusë, ukrainas, bjellorusë, uzbekë, kazakistanas, armenë, taxhikë, kirkizas, turkmenë, përfaqësues të popujve të vegjël të Veriut dhe Kaukazit shumëkombësh, të cilët u ngritën në mbrojtje të Atdheut të tyre të përbashkët.
Pikёrisht Bashkimi Sovjetik dhe Ushtria e Kuqe e dhanё kontributin kryesor dhe vendimtar në shkatërrimin e nazizmit. Në betejat për çlirimin e Atdheut të tyre dhe një sërë vendesh evropiane humbën jetën 27 milionë qytetarë sovjetikë. Është për të ardhur keq që në tekstet e historisë në shumë vende të Evropës së sotme, SHBA-ve, Kanadasë këta të rënë nuk përmenden, ndërsa Bashkimi Sovjetik nuk përfshihet në vendet e koalicionit antihitlerian. Sikur kjo të mos kishte ndodhur! Kjo është ulje dhe poshtërim i atyre që dhanë jetën për çlirimin e njerëzimit nga murtaja naziste!
Një rol kyç në çlirimin e territoreve të BRSS, të pushtuara përkohësisht, luajtën operacionet strategjike të: Moskës, Stalingradit, Kurskut, Bjellorusisë. Fitorja e Ushtrisë së Kuqe në Betejën e Stalingradit (korrik 1942-shkurt 1943) pati një rëndësi shumë të madhe. Ajo i dha mundësinë Bashkimit Sovjetik të ndryshonte rrjedhën e luftës, të fitonte iniciativën strategjike dhe të mos e lëshonte atë deri në fitoren e plotë mbi Gjermaninë naziste. I rëndësishëm ishte edhe fakti që aleatët e Gjermanisë – Japonia dhe Turqia, pas rezultateve të kësaj beteje, hoqën dorë nga planet për të hyrë në luftë kundër BRSS. Si rezultat i fitores së Ushtrisë së Kuqe në betejën e Kurskut verën e vitit 1943 dhe operacionit të sukseshëm sulmues në Bjellorusi verën e vitit 1944, u krijua mundësia për një ofensivë të mëpasshme të forcave sovjetike me qëllim çlirimin e Polonisë dhe përparimin e mëtejshëm të Ushtrisë së Kuqe në Gjermani dhe Ballkan. Operacioni sulmues i Berlinit i dha fund Luftës së Madhe Patriotike. Është një nga betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore. Më 20 prill 1945 nisi sulmi ndaj Rajhstagut dhe në më pak se dy javë armiku u shpartallua. Më 8 maj 1945 në Karlhosrt, pranë Berlinit u nënshkrua Akti i kapitullimit të plotë dhe pa kushte të Gjermanisë.
Çfarë mësimesh nxorëm nga historia e Luftës së Dytë Botërore? Janë shumë, sigurisht. E rëndësishme është që pas saj pati një kuptim të përgjithshëm se ideologjia e nazizmit është një e keqe absolute dhe se ajo nuk duhet të rilindë më asnjëherë dhe askund. Por çfarë shohim sot? Në fillim në vendet baltike – Lituani, Estoni, tani edhe në vendet e tjera të Evropës nisën të zhvillohen marshe të neonazistëve dhe nacionalistëve të shfrenuar që lartësojnë dhe heroizojnë ata që vranë, varën dhe torturuan mijëra qytetarë të pafajshëm në emër të “Rajhut të Tretë”, për të mirën dhe sundimin e tij botëror. Ne vërejmë një rrënim masiv të monumenteve të heronjve çlirimtarë sovjetikë, përdhosje të varrezave të tyre, përndjekje të veteranëve etj. Përpjekjet për të hequr qafe provat materiale të Luftës së Dytë Botërore janë një nxitje e drejtpërdrejtë për të lënë në harresë të vërtetat historike. Nëse ditaret e Anna Frank dhe vajzës nga Leningradi, Tanya Savicheva janë monumente të shkëlqyera të gdhendura në letër, të cilat rrëfejnë për ideologjinë çnjerëzore të nazizmit, atëherë varrezat ushtarake, monumentet e ushtarëve dhe udhëheqësve ushtarakë të rënë janë një kujtim i gdhendur në gur e metal. Sjellja e vandalistëve është e turpshme dhe meriton përçmimin e të gjithëve!
Edhe një shembull tjetër. Pas grushtit të shtetit në 2014, regjimi kriminal i Kievit fillloi të ligjësojë dhe të zbatojë në jetën e përditshme teorinë dhe praktikën e nazizmit; pa druajtje nisi të organizojë në qendër të Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës marshime nën flamurin e divizionit SS; mbështeti në nivel shtetëror heroizimin e kolaboracionistëve ukrainas, të cilët gjatë luftës bashkëpunonin me pushtuesit nazistë nën petkun e pjesëmarrësve në “lëvizjen nacional-çlirimtare”. Tradhëtarët e popullit dhe sahanlëpirësit fashistë –Bandera, Shukheviç e të tjerë – u bënë ikona të Ukrainës së sotme. Duket se Perëndimi, i cili mbështeti me zjarr idetë e reja të Ukrainës dhe neonazistëve ukrainas, e ka harruar atë ferr që ideologët e fashizmit dhe nazizmit të shekullit të kaluar sollën në mbarë botën.
Pavarësisht gjithçkaje, dëshirojmë të besojmë se kujtimi për Luftën e Dytë Botërore dhe mësimet e nxjerra prej saj do të na ndihmojnë të shmangim një katastrofë të re me humbje edhe më të mëdha jetësh njerëzore dhe shkatërrime, për shkak të teknologjive dhe mundësive të reja ushtarake që zotërojnë fuqitë botërore. Përveç kësaj, Rusia, si dhe Shqipëria, e cila, duke qenë pjesë e koalicionit antihitlerian, humbi 28 mijë njerëz gjatë Luftës së Dytë Botërore, e di jo me të dëgjuar, se çfarë janë nazizmi dhe fashizmi. Moska nuk ka ndërmend të pajtohet me atë që po ndodh pranë saj, në Ukrainë, ku prej vitit 2014 qëllimisht dhe metodikisht janë shkatërruar qytetarë rusë, janё ndaluar gjuha dhe kultura ruse. Ashtu si ka deklaruar vazhdimisht udhëheqja ruse, qëllimet e denazifikimit dhe demilitarizimit të Ukrainës herët a vonë do të arrihen. Nazizmi duhet të shkojë në harresë, si në maj 1945, ndërsa autorët e rehabilitimit të tij, që çoi në dhjetëra mijë viktima të reja, do të dënohen dhe të marrin ndëshkimin përkatës.
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të vetë autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Argumentum.
/Argumentum.al