Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë u zhvilluan sot homazhe për të përkujtuar 78-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.
Me rastin e Ditës së Çlirimit, Presidenti Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, familjarë të dëshmorëve, qytetarë, etj., nderuan kujtimin e dëshmorëve të Atdheut duke vendosur kurora pranë monumentit “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve.
Presidenti Begaj nderoi të gjithë heronjtë e Shqipërisë, që dhanë jetën e tyre për të mbrojtur vendin nga pushtuesit nazifashistë dhe shprehu mirënjohjen më të madhe përpara kujtimit të tyre.
Nën tinguj e himnit kombëtar, zyrtarët e lartë të shtetit nderuan sakrificën e dëshmorëve që dhanë jetën për Çlirimin e Shqipërisë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.