Sot shënohen 32 vite nga eksodi i madh i shqiptarëve, në 8 gusht 1991.
Ishte 8 gushti i vitit 1991, kur anija “Vlora” zbarkoi në Portin e Barit në Italisë. Në bord ndodheshin rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët kërkonin një jetë më të mirë në vendin fqinj. Ngjarjen e kujtojnë çdo vit edhe vetë mediet italiane si e përditshmja “Corriere della Sera” e cila para tre vjetësh këtë eksod e ka titulluar: “Kur Italia ishte “Amerika” për shqiptarët”. Gazeta në fjalë nënvizoi se, ky rast ishte i pari që shënoi fenomenin e fluksit të emigrantëve drejt brigjeve italiane, fenomen që sot është mëse i zakonshëm, ndonëse jo më me protagonistë refugjatët shqiptarë.
Shqiptarët u transferuan nga porti në stadiumin Vittoria. Anija me refugjatë, ishte refuzuar më herët në Brindisi dhe kishte ndryshuar kurs për tu tërhequr më pas nga rimorkiatorët dhe për tu ndalur në portin e Puglias.
“Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Nuk mund ti kthejmë pas, ne jemi shpresa e vetme e tyre”. Kjo ishte fraza që shqiptoi asokohe kryebashkiaku Enrico Dalfino.
Anija Vlora ishte një anije tregtare që mbante flamurin shqiptar. Më 7 gusht 1991, ajo sapo ishte kthyer nga Kuba, me një ngarkesë kallam sheqeri. Sapo mbërriti në Shqipëri ajo u mbush nga mijëra shqiptarë, që kërkuan të shkonin drejt Italisë. Destinacioni i parë ishte qyteti i Brindisit, e më pas u drejtua drej Barit.
Eksodi nëpërmjet anijes tregtare Vlora ishte episodi më i famshëm, por sigurisht jo i vetmi. Regjimi komunist në Shqipëri kishte izoluar vendin nga bota perëndimore, duke sjellë shtimin e varfërisë. Pas rënies së diktatorit Enver Hoxha, në vitin 1985, situata nuk u përmirësua, e kështu, falë ndikimit të stacioneve italiane, filluan lëvizjet e shqiptarëve për kërkimin e një të ardhmeje më të mirë.
/Argumentum.al