Me partnerë e miq të shumtë, përfshirë të ftuarën e nderit ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, festuam dje 25-vjetorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe përshëndetëm ambasadorin Vincenzo Del Monaco, në përfundim të detyrës së tij si Kryetar i Prezencës.
“Për Shqipërinë nuk ka dallim ndërmjet ligjërimit dhe praktikimit të paqes. E kam ndjekur me kujdes punën që bëni në rrafshin rajonal. Është e dukshme se Shqipëria është shumëfishuese e potencialit të OSBE-së dhe, nga ana tjetër, OSBE-ja mundëson lupën e zmadhimit për politikat shqiptare të paqes dhe sigurisë. Bashkëjetojnë në këtë marrëdhënie frytdhënëse dhe në këtë rend fisnik, që mund ta përshkruajmë si rrugëtim i cili nga Tirana shtjellohet nëpërmjet OSBE-së për të mbërritur tek Kombet e Bashkuara”, tha ambasadori Del Monaco.
Ministrja Xhaçka tha se për progresin e Shqipërisë “OSBE-ja ka vërtet një meritë të madhe, për të cilën ne të gjithë i jemi mirënjohës. Ka një meritë të madhe në fushën e konsolidimit të shtetit të së drejtës, të zgjedhjeve të lira e demokratike, të ndërtimit të administratës shtetërore, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit e trafikimit, mirëqeverisjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, barazisë gjinore e përfshirjes së të rinjve, bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të një shoqërie civile, të fortë dhe vibrante”. “Teksa hyjmë në vitin e 26-të të këtij rrugëtimi në Shqipëri, unë s’kam asnjë dyshim që puna e bashkëpunimi mes nesh do të vijojë po aq intensivisht e në mënyrë po aq konstruktive sa në këtë çerek shekulli që lëmë pas”, shtoi ajo.
Në një postim në rrjetet sociale, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e quajti të shkëlqyer marrëdhënien dhe bashkëpunimin me OSBE-në gjatë 25 viteve, të pasqyruar në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe reformat e rëndësishme të zhvillimit, demokratizimit dhe integrimit evroatlantik. Ajo veçoi partneritetin e suksesshëm të Kuvendit me OSBE-në për rritjen e efiçencës legjislative dhe transparencës parlamentare. “Faleminderit, Vincenzo, për ngritjen në një stad të ri të bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së!” përfundoi ajo.
/Argumentum.al