Krerët shtetërorë në Kosovë, në Ditën e Evropës kanë bërë thirrje që qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë në 27 shtetet e bllokut dhe Kosova të lëvizë drejt integrimit evropian.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova është një vend paqedashës dhe me orientim pro-evropian dhe ajo tha se po punohet drejt anëtarësimit në BE.
“Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën”, tha Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ajo shtoi se BE-ja duhet të mbajë fjalën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërkaq kjo e fundit, sipas presidentes Osmani, duhet “të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm”.
Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.
Thirrje të njëjtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, kishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Sipas Konjufcës, Kosova ka orientim të “palëkundur” drejt familjes evropiane dhe ka kritikuar BE-në se është vonuar sa i përket integrimit evropian të Kosovës.
“Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë”, tha Konjufca.
Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian, në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate.
Kjo ditë, në vendet anëtare, shënohet duke vendosur flamurin e Evropës.
Në Kosovë, Dita e Evropës është festë zyrtare./rel