Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu ngushëllime për humbjen e jetëve në sulmin vdekjeprurës që ndodhi mëngjesin e 3 majit në një shkollë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Ndërsa, të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.
Në këtë sulm të armatosur që u krye nga një nxënës 13 vjeç, u vranë tetë fëmijë dhe një roje.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë, në Beograd, dhe për familjet e tyre… U uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Twitter.
Mbrëmjen e 3 majit, ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo shprehu ngushëllime për të gjithë prindërit që humbën fëmijët e tyre derisa uroi shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit.
Në sulmin e armatosur në shkollën “Vladislav Ribnikar” e cila ndodhet në qendër të Beogradit, u plagosën edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.
Pesë nga të lënduarit janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa gjendja e njërit prej fëmijëve të plagosur mbetet kritike.