Kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, iu dha doktorata e fundit e nderit më 23 qershor, në një universitet të Stambollit. Është kjo doktorata e tij e katërt e nderit. E treta në nëntë muajt e fundit.
Lidershipi, promovimi i të drejtave të njeriut dhe kontributi në një shoqëri multietnike përmenden si arsyetime për këto çmime, në ndarjen e të cilave Abazoviq shkoi me bashkëpunëtorët e tij, në kurriz të qytetarëve të Malit të Zi.
Zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa është shpenzuar për këto udhëtime dhe cilat janë përfitimet për qytetarët, përkatësisht shtetin malazez.
Nga këto “promovime personale përfiton vetëm Abazoviq dhe jo qytetarët e Malit të Zi, nga xhepat e të cilëve financohen udhëtimet”, thotë Ines Mërdoviq, nga Aksioni për Drejtësi Sociale në Mal të Zi.
Vetë Abazoviq doktoroi në vitin 2019 në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës. Ai është autor i librit “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”, i botuar në vitin 2010, dhe i librit “Kritika e etikës globale”, i cili u promovua në Podgoricë në fund të vitit 2022.
Kush i dha tituj dhe pse?
Titulli i parë ‘doktor nderi’, Abazoviqit iu dha në nëntor të vitit 2021 në Tiranë. Asokohe, ai ishte zëvendëskryeministër i Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.
Në sqarimin e Universitetit Luarasi në Shqipëri, Abazoviq e mori titullin për “kontributin e veçantë në vlerat ndërkulturore dhe në ndërtimin e një shoqërie multietnike”.
Qeveria e Krivokapiqit ra në shkurt të vitit 2022 dhe Abazoviq u bë kryeministër në prill të atij viti. Katër muaj më vonë, atij iu votua një mocion mosbesimi dhe, nga ajo kohë, ai qeveris Malin e Zi me mandat teknik.
Në tetor të vitit 2022, Abazoviq u nderua me doktoratë nderi nga Universiteti UMEF në Zvicër, për, siç u tha, “lidership dhe kontribut në sundimin e ligjit, promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Në mes të janarit të këtij viti, ai mori një tjetër çmim në kryeqytetin e Shqipërisë – doktoratë nderi nga Universiteti Mesdhetar. Arsyeja përse u shpërblye nuk u bë e ditur.
Në ceremoni morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe gjashtë ministra të tij dhe dy malazezë.
Pas ceremonisë së dhënies së doktoratës së nderit, Universiteti organizoi promovimin e parë të edicionit shqip të librit të Abazoviqit “Kritika e etikës globale”, ku foli edhe Rama.
Edhe një titull tjetër, Abazoviq e mori më 23 qershor në Stamboll.
Qeveria e Malit të Zi njoftoi se ai vizitoi Universitetin Medeniyet dhe Institutin Ndërkombëtar për Vendet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, ku mori një doktoratë nderi “për promovimin e të drejtave të njeriut dhe etikës në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Qeveria tha, po ashtu, se atë ditë ai ka pasur një takim me anëtarë të komunitetit të biznesit, si dhe me përfaqësues të komunitetit të emigrantëve malazezë.
Doktorata nën petkun e leksioneve dhe të vizitave të punës
Në ueb-faqen e Qeverisë së Malit të Zi, si arsye për udhëtimet në Turqi dhe në Zvicër përmenden ftesat për ligjërata, ndërsa për udhëtimin në Shqipëri thuhet se është vizitë pune. Vetëm në rastin e Turqisë thuhet se, me atë rast, Abazoviqit do t’i ndahet doktorata e nderit.
Mërdoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se “me siguri bëhet fjalë për një petk, me të cilin synohet të mbulohet promovimi personal i Abazoviqit, i cili vizitat e punës i shfrytëzon për të marrë edhe një doktoratë nderi në të njëjtën kohë”.
“Çështja është se sa nga ato doktorata nderi do t’i kishte marrë nëse nuk do të ishte në atë pozicion”, thotë Mërdoviq.
Në platformat e Stambollit dhe Gjenevës thuhet se shpenzimet i ka marrë përsipër Qeveria e Malit të Zi e jo institucioni arsimor ku ai ka ligjëruar si i ftuar.
Në dokumentin për vizitën e punës në Tiranë, ndërkaq, këto detaje nuk bëhen të ditura.
Delegacionet në këto udhëtime përbëheshin nga dy deri në katër përfaqësues të Qeverisë, pa llogaritur edhe dy ministrat në Tiranë.
Mërdoviq thekson se në delegacione nuk ishin vetëm përfaqësues të Qeverisë, por edhe pjesëtarë të sigurimit, sepse, kujton ajo, kryeministri është person i mbrojtur.
“Dikujt që ishte sigurimi i tij, i janë dhënë mëditje, i është paguar udhëtimi zyrtar dhe akomodimi në hotel. Këto mjete sigurisht që kanë ardhur nga buxheti i shtetit”, thotë Mërdoviq.
Polemika rreth doktoratës nga Zvicra
Mërdoviq thotë se vizitat nuk kanë kaluar pa polemika dhe përmend dhënien e doktoratës së nderit nga Universiteti UMEF.
Pasi Qeveria njoftoi se Abazoviqit iu nda doktorata e nderit, reagoi shumë shpejt Dragan Hajdukoviq, shkencëtar malazez, i cili kishte punuar me dekada në Zvicër.
Ai tha se bëhet fjalë për një institucion arsimor të paakredituar, që nuk është as universitet, por shkollë biznesi, “diplomat e së cilës nuk njihen zyrtarisht në Zvicër, por mirëpriten nga studentë të pasur nga një sërë vendesh afrikane dhe aziatike, ku UMEF-i ka zhvilluar këtë biznes”.
Në një letër të hapur, Hajdukoviq tha se me pranimin e doktoratës së “pavlerë” të nderit, Abazoviq “pështyu vlerat universale të dijes dhe arsimit” dhe si kryeministër i shkaktoi “dëm reputacionit të Malit të Zi”.
Qeveria e Malit të Zi nuk iu përgjigj këtyre akuzave.
A është Oksfordi Oksford?
“Abazoviq i ftuar të mbajë një ligjëratë në Oksford” – me këtë titull nga njoftimi i Kryeministrisë, mediat malazeze paralajmëruan njërën prej disa vizitave të Abazoviqit në universitetet botërore.
Disa ditë më vonë, më 23 maj, 2023, në ueb-faqen e Qeverisë u njoftua se kryeministri mbajti një “ligjëratë në Universitetin e Oksfordit – universiteti më i vjetër në botën anglofone”, me ftesë të presidentit të Unionit të Oksfordit, Matthew Dick.
Në fakt, kryeministri foli në një seancë të Unionit të Oksfordit, që është një shoqëri debatuese, që nuk ka asnjë lidhje zyrtare me universitetin me të njëjtin emër.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se vizita pasoi ligjëratat që Abazoviq mbajti në universitetet më prestigjioze të botës, si: Kembrixh, Harvard, Kolumbia.
Në të njëjtin stil, Qeveria e paralajmëroi edhe vizitën në Kembrixh: “Abazoviq sot në Kembrixh”. Gjithashtu u tha se ftesa kishte shkuar nga sindikata e Kembrixhit.
Në platformat e miratuara nga Qeveria thuhet se Abazoviq mori tre, përkatësisht katër këshilltarë në këto vizita dhe se të gjitha shpenzimet e tij dhe të anëtarëve të delegacionit i pagoi shteti.
Gjatë këtyre vizitave, kryeministri promovoi librin e tij “Kritika e etikës globale”.
Sa ndajnë universitetet doktorata nderi?
Për shembull, në më pak se pesë dekada të ekzistencës së tij, Universiteti Shtetëror i Malit të Zi (UCG), i themeluar në vitin 1974, ndau 12 doktorata nderi.
Vetëm njëri prej laureatëve nuk është përfaqësues i komunitetit akademik. Bëhet fjalë për ish-kreun e diplomacisë sllovake dhe të dërguarin aktual të Bashkimit Evropian për Ballkanin, Mirosllav Lajçak. Atij iu nda doktorata në maj të vitit 2019.
Lajçak mori pjesë në organizimin e referendumit për rivendosjen e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006, në emër të përfaqësuesit të atëhershëm special të BE-së, Havier Solana.
Siç thuhet për Radion Evropa e Lirë nga UCG-ja, doktoratat e nderit u ndahen individëve që “e vënë gjithë jetën e tyre shkencore dhe profesionale në shërbim të zhvillimit” të universitetit, duke ngritur nivelin e shkencës dhe reputacionin brenda dhe jashtë vendit.
“Por, edhe atyre që nuk janë pjesë e komunitetit akademik të UCG-së dhe me veprimet e tyre e kanë futur në borxh Universitetin e Malit të Zi”, thonë nga ky institucion.
Që nga themelimi i Universitetit privat të Donja Goricës në Mal të Zi u dhanë dy doktorata nderi – historianes Llatinka Peroviq në vitin 2015 dhe zëvendësguvernatores së Bankës Qendrore të Austrisë, Barbara Kolm, më 2019.
Nga universiteti privat Adriatik thonë se nuk ka doktorata nderi, ndërsa Universiteti Mesdhetar nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë./REL